Zbardhet udhëzimi, skema e re e aplikimit për strehim. Kategoritë që përfitojnë

Gazeta Dita

Nuk do të ketë më aplikime dorazi. Shumë shpejt të gjitha kërkesat për strehim do të kalojnë përmes një sistemi elektronik që shumë shpejt do të jetë funksional. Kjo do të thotë që të gjitha aplikimet, për të qenë përfitues i një prej programeve të strehimit, do të mund të bëhen online.

Pasi e paralajmëroi një gjë të tillë pak muaj më parë, kur u miratua edhe ligji i ri, Ministria e Zhvillimit Urban ka hedhur hapin e parë drejt konkretizimit të nismës.

Përmes një udhëzimi janë detajuar të gjitha praktikat që do të ndiqen nga qytetarët dhe punonjësit e bashkisë deri në shpalljen e listave të fituesve. Jo vetëm kaq, qytetarët po ashtu do të kenë mundësi që të ndjekin në vijimësi procesin. Të dhënat personale janë “kodi” për të mësuar gjithçka mbi ecurinë e dosjes së tyre.

“Nëpërmjet këtij sistemi synohet që të unifikohen procedurat e aplikimit për programet e strehimit në 61 Bashkitë e vendit. Sistemi do të ofrojë elektronikisht për çdo qytetar mundësinë për të aplikuar online, marrë informacion, si dhe të shkarkojë formularët e aplikimit.

Gjithashtu online do të mundësohet ndjekja e të gjitha procedurave, deri në fazën përfundimtare të miratimit nga Këshilli Bashkiak”, thuhet në udhëzim.

Qëllimi i ngritjes së këtij sistemi është jo vetëm eliminimi i mundësive abuzive, por edhe ofrimi i lehtësive për qytetarët dhe shmangja e radhëve nëpër sportele. Veç kësaj, vënia në jetë e këtyre rregullave të reja do t’i krijojë kushtet Ministrisë që mbulon çështjet e strehimit që të monitorojë procesin.

KUSH PËRFITON

Të drejtën e aplikimit për t’u trajtuar me strehim e kanë të gjitha familjet, por kategori të caktuara janë të favorizuara, pra kanë përparësi në raport me të tjerët. Kjo është e përcaktuar mbi bazën e kushteve ekonomike, sociale dhe familjare.

Të tilla janë të gjithë ata që trajtohen me ndihmë ekonomike. Nga të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit Urban mësohet se nga kjo kategori kanë paraqitur kërkesë 3223 familje. I lartë është edhe numri i aplikimeve nga gratë kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuara si edhe çiftet e reja përkatësisht me 2611 kërkesa, 2228 dhe 2598.

Ndërkohë shifra të ulëta janë regjistruar nga radhët e të familjeve të policëve të rënë në detyrë, azilkërkuesve si edhe grave të dhunuara. Por aplikime janë regjistruar edhe nga radhët e ish-të përndjekurve dhe ishpronarëve. Këto dy kategori po ashtu do të kenë përparësi gjatë aplikimeve.

“Disa prej bashkive kanë evidentuar edhe grupe të tjera vulnerabël që duhen marrë në konsideratë. Për shembull: në Durrës një grup të rëndësishëm formojnë familjet e ish-pronarëve me 554 aplikime dhe në Shkodër kemi 10 aplikime nga të persekutuarit”, specifikohet në udhëzim.

Referuar të dhënave zyrtare mësohet se në të gjithë vendin janë 32 mijë familje me status të pastrehë. Por duke qenë se jo të gjitha bashkitë kanë raportuar, mendohet se kjo shifër është edhe më e lartë. Aktualisht janë 5336 familje që trajtohen me një nga programet e strehimit.

PROGRAMET

Gjithsej do të jenë 6 programe sociale, që do të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve, pra dyfish më shumë nga çfarë është e përfshirë në ligjin aktual.

Krahas programit të banesave sociale me qira dhe shpërndarjes së banesave me kosto të ulët, në skemë janë përfshirë edhe disa programe të tjera, siç është ai për përmirë- simin e kushteve të banesave ekzistuese, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, krijimi i strehëve të përkohshme, si edhe programi për ndërtimin e banesave të specializuara.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *