Zbardhet vendimi i plotë, si do të shlyhen borxhet ndaj biznesit

anazapta

Fundjavën që lamë pas është botuar në fletoren zyrtare ligji për “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit”, duke zbradhur në mënyrë të detajuar se si do të bëhet pagesa për kompanitë që ju detyrohet shteti, kush do të jetë komisoni që do të merret me verifikimin e borxhit, sa do të zgjasë i gjithë procesi dhe sa është në total ky borxh. Strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura parashikon që brenda tre viteve të ardhshme qeveria të paguajë mbi 72 miliardë borxhe ndaj sektorit privat. Sipas strategjisë, pothuajse gjysma e kësaj shume do të paguhet në vitin 2014. Strategjia përcakton procedurat për kontrollin, verifikimin dhe rakordimin e të gjitha pagesave të prapambetura si edhe hartimin e masave për të shmangur krijimin e detyrimeve të reja në të ardhmen.

Radha e pagesave do të ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar, detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet, të dokumentacionit përkatës.

Një tjetër vendim i rëndësishëm për sektorin privat është ai që lidhet me kriteret e dhënies me qira së pronave shtetërore. Vendimi përcakton se dhënia me qira e ambienteve shtetërore do të bëhet mbi bazën e konkurrimit, ku kriteret kryesore do të jenë, sipas radhës, vlera e investimit, niveli i punësimit dhe oferta e qirasë mujore. Sidoqoftë, nga procedurat e konkurrimit do të ketë disa përjashtime, një prej të cilëve është rasti kur qiramarrësi angazhohet të kryejë investime mbi dy milionë euro. Vendimi përcakton edhe rastet kur pasuritë jepen me qira simbolike 1 euro. Kjo do të bëhet vetëm me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, kryesisht për ndërmarrje të sektorit të fasonëve ose edhe për biznese të tjera, me kusht që ato marrin përsipër investime mbi 10 milionë euro.

 

Procesi i verifikimit dhe sa është detyrimi?

Në shtator 2013, qeveria filloi vlerësimin e detyrimeve financiare të pashlyera me qëllim shlyerjen e tyre në një kohë sa më të shpejtë. Fillimisht në muajin tetor 2013 u kontraktua një shoqëri e pavarur për të ndërmarrë një proces kontrolli dhe për të nxjerrë gjendjen përfundimtare në lidhje me kontratat qeveritare të pashlyera deri në fund të gushtit 2013. Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qendrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve, të cilat kërkojnë kontrolle të mëtejshme, vlerësohen të arrijnë 24.6 miliardë lekë. Këto vlerësohen të jenë vetëm një kategori e detyrimeve financiare të prapambetura. Detyrime të prapambetura janë identifikuar dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH-së dhe tatim-fitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore. Sipas ligjit te miratuar në fletoren zyrtare, nga vlerësimet paraprake, detyrimet e përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisjes qendrore deri në dhjetor 2013 parashikohen të jenë afërsisht 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e PBB-së. Kjo shifër do të jetë subjekt i verifikimeve të mëtejshme gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve. Përveç këtyre detyrimeve të prapambetura, mund të ketë edhe detyrime të tjera të konsiderueshme të prapambetura në sektorin më të gjerë publik, duke përfshirë ndërmarrjet shtetërore në sektorin e energjisë.

 

Parandalimi i krijimit të detyrimeve të prapambetura në të ardhmen

Referuar detyrimeve të krijuara gjatë tre viteve të fundit, një shtyllë themelore e strategjisë është parandalimi i rikrijimit të detyrimeve të prapambetura. Për këtë qëllim, qeveria ka zhvilluar një analizë të shkaqeve të pagesave të vonuara dhe do të miratojë masa specifike për të forcuar disiplinën buxhetore, kryesisht në drejtim të planifikimit buxhetor, kontrolleve financiare paraprake dhe rritjen e eficiencës së shpenzimeve. Masat për forcimin e disiplinës financiare përfshijnë, sigurimin e financimit të mjaftueshëm në vitin ushtrimor dhe në vitet në vazhdim përpara se të fillojë prokurimi, kjo bazuar në disponibilitetin e fondeve buxhetore për të gjitha detyrimet e marra përsipër nga njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore. Këshilli i Ministrave do të miratojë kufijtë shumëvjeçarë të angazhimeve, si pjesë të dokumentit të buxhetit afatmesëm dhe në vitin 2015 këta kufij do të miratohen nga Kuvendi si pjesë e ligjit të buxhetit vjetor, pas rishikimit të bazës ligjore për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë. Mbi këtë bazë edhe respektimi i angazhimeve do të monitorohet dhe kontrollohet nëpërmjet sistemit informatik financiar të qeverisë (SIFQ). Duke filluar nga janari 2014, të gjithë urdhrat e prokurimit për mallrat, shërbimet dhe investimet e nxjerra gjatë vitit, përveç blerjeve emergjente me vlerë nën 10,000 lekë, duhet: i) t’i përmbahen regjistrit të prokurimeve të dorëzuar në thesar; ii) të vulosen nga dega e thesarit të rrethit nëse ka fonde buxhetore në dispozicion të institucionit, përpara procedimit sipas rregullave të prokurimit publik. Për mallrat, shërbimet dhe investimet, për të cilat ka nisur procesi i tenderimit përpara hyrjes në fuqi të strategjisë, do të paraqitet kontrata në degën e thesarit, për t’u kontrolluar kundrejt fondeve disponibël dhe vulosur, përpara nënshkrimit të saj nga nëpunësi autorizues i njësisë. Dega e Thesarit refuzon me shkrim një urdhër prokurimi, apo kontratën si më lart, të pambuluar me fonde publike dhe për këtë njofton Agjencinë e Prokurimit Publik, e cila e publikon në faqen e internetit. Ndryshime në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, ligjin për menaxhimin dhe kontrollin financiar, ligjin e prokurimeve dhe rregulloret e tyre përkatëse për të realizuar kontrollin e kërkuar dhe kërkesat e raportimit etj.

Parashikimi buxhetor

Fondet e caktuara për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nuk janë pjesë e buxhetit të miratuar për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme. Buxheti për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura do të identifikohet dhe menaxhohet nga KDP-ja. Fondet buxhetore për çdo kategori miratohen nga ministri i Financave si zë më vete në buxhet dhe rrisin nivelin maksimal të shpenzimeve për çdo njësi të qeverisjes qendrore, mbështetur në masën e detyrimeve të prapambetura që shlyhen, si dhe saktësinë e inventarizimit të detyrimeve për çdo kategori. Parashikimet për vitet në vazhdim do të përfshihen në programin buxhetor afatmesëm. Pagesat e verifikuara dhe të rakorduara do të paguhen brenda një periudhe që nuk i kalon tri vite kalendarike.

 

Radha e pagesave

Radha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara do të ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar edhe sipas sektorëve. Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSH-së, tatim-fitimit. Radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullsi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme. Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit.

 

Kryerja e pagesave

Pagesat për subjektet kontraktore do të bëhen pas njoftimit zyrtar nga DPT-ja dhe DPD-ja për detyrimet tatimore, si dhe aprovimit të listës analitike nga KDP-ja. Të gjitha pagesat do të kryhen nëpërmjet sistemit të thesarit me transfertë të vlerës totale të detyrimit në llogarinë bankare të subjektit/individit. Në rastet kur subjekti tatimpagues figuron me detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, pagesa do të kryhet nga thesari për totalin e detyrimit financiar të prapambetur duke përdorur një nga mënyrat si më poshtë vijon:

a) Pas dhënies së garancisë bankare për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga ana e subjektit

tatimpagues;

b) Transfertë në një llogari bankare escroë kundrejt konsensusit për shlyerjen e detyrimeve tatimore, të shprehur me një marrëveshjeje midis Ministrisë së Financave, subjektit tatimpagues dhe Bankës së nivelit të dytë ku ka llogarinë subjekti.

 

Ndarja në zëra e detyrimeve të prapambetura në miliardë lekë

 

Detyrime për projekte investimesh                                   24.6

Detyrime për mallra dhe shërbime                                         5

Rimbursim i TVSH-së                                                      12.84

Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare                   1

Të tjera (vendime gjyqësore, shpronësime publike, përfitimet për persona me aftësi të

kufizuar etj.)                                                                      19.13

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *