Zbardhet vrasja e ish-policit Arben Bilali, arrestohet ‘i forti’ i Myslym Shyrit

Leda Hysa

Vrasja e ish-policit Arben Bilali, përpara banesës së tij, duket se është zbardhur nga Policia.

Gjergj Cukali, i njohur ndryshe si “i forti” i Myslym Shyrit, me precedentë të mëparshëm penalë është arrestuar si autor i dyshuar i ngjarjes.

Në deklaratën e saj, Policia e Shtetit nuk jep detaje mbi motivet e ngjarjes ndërsa pritet që dinamika dhe shkaqet të zbardhen në vijim nga grupi hetimor.

Ish-efektivi Arben Bilali u vra në zonën e Selitës, në janar të këtij viti. Ai ishte vëllai i tretë që mbeti i vrarë në atentat.

Më herët uniformat blu kishin zbuluar gjurmë në vendngjarje si dhe në automjetin e autorëve të dyshuar. Bilali jetonte në vilën e tij, që ruhej nga disa kamera sigurie.

CV kriminale e Gjergj Cukalit

Në 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj Fajton Demirlikës, ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte 10 vite burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.

Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më publike, për të cilat u akuzua Gjergji Cukali. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro.

Ndërkohë që ai mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, problemet e të riut me policinë nuk kanë mbaruar.

Më 20 gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjergji Cukali. Arrestimi i tij u bë asokohe pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.

Ndërkohe në korrik te vitit 2016, gjatë hetimit për disa persona shpërndarës të drogës u konstatua se furnitori i tyre ishte Gjergj Cukali.

Zinxhiri i vrasjeve që goditi familjen Bilali

Kujtojmë se Arben Bilali u vra me armë zjarri para banesës së tij, teksa mjeti me të cilën udhëtonte u ndoq nga atentatorët me një makinë tip “Benz”.

Dyshohet se Bilali është vrarë për hakmarrje, për shkak të disa përplasjeve me një bandë në Tiranë. Mirëpo Bilali është viktima e tretë brenda familjes, pasi në vitin 2008, i kanë vrarë vëllanë Leonard Bilali, i ish-mundës, pak kohë pasi ishte kthyer nga emigrimi.

Ndërkohë në vitin 1997, 50-vjeçarit i kanë vrarë edhe një vëlla Bujar Bilali.

Kalvari i vrasjeve në familjen Bilali, dyshohet të ketë lindur për shkak të konflikteve që ka pasur për shkak të detyrës 50-vjeçari i vrarë në muajin janar, pistë për të cilën dhe po hetohet.

Madje pas vrasjes së dy vëllezërve, Arben Bilali thuajse ishte izoluar dhe banesën e kishte rrethuar me kamera sigurie.

Edhe në maj të vitit 2010, Arben Bilalit i është bërë një atentat në zonën e Selitës, prej të cilit mbeti i plagosur. Bilali ishte i martuar me një efektive policie, e cila punon në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *