Zbardhet vrasja e shqiptarit në Holandë dhe lidhja me masakrën tek Shkencat e Natyrës

Saimir Lleshi

Një qime floku e gjetur në mbështetësen e kokës së sediljes së automjetit zbulon autorin e vrasjes së shqiptarit Durim (Ilirjan) Sulku, ndodhur më 6 prill 2015, në Roterdam të Holandës.

Vrasja e 33-vjeçarit, që kishte përdorur edhe emrat Durim e Besnik Sulku, dyshohet se u bë shkak për një masakër të vërtetë që ndodhi në Tiranë, më 27 maj 2015. Atë ditë, në një atentat të organizuar nga vëllai i 33-vjeçarit të vrarë në Holandë, mbetën të vrarë tre persona para Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë.

Autorësia e vrasjes së ndodhur në Holandë, më 6 prill 2015, kishte mbetur mister, edhe pse atje ishte fillesa e masakrës me armë që ndodhi muaj më pas në Tiranë. Por policia holandeze gjeti fillimisht makinë tip “BMW” dhe më pas brenda saj sekuestroi një pistoletë, me të cilën dyshohet se ishte qëlluar me plumb në kokë Ilirjan Sulku.

Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj
Ekzaminimi i makinës “BMW”, e cila u gjet buzë një lumi e ndaluar në dishezë, kishte qenë më i hollësishëm nga policia holandeze. Në mbështetësen e kokës te sedilja e shoferit, hetuesit holandezë kishin gjetur qime floku, të cilave iu bë analiza e ADN-së. Kjo analizë ka identifikuar një shtetas shqiptar si autor të vrasjes së 33-vjeçarit, Ilirjan Sulku, ndodhur më 6 prill 2015, në Roterdam të Holandës. Rezultati i analizës së AND-së mësohet se i është njoftuar edhe prokurorisë shqiptare nga pala holandeze.

Personi i identifikuar nga AND-ja në Holandë rezulton se ka qenë prezent edhe në vendin e masakrës në Tiranë. Në datë 27.05.2015, rreth orës 18:30, në vendin e quajtur “Bulevardi Zogu i Parë”, Tiranë pas një shkëmbimi zjarri kanë mbetur të vdekur shtetasit Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj, ndërsa shtetasi Mentor Lufi (Doçi) është transportuar për në spitalin Universitar të Traumës, ku nga plagët e marra ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi hetimet me akuzën e vrasjes për gjakmarrje pas ekzekutimit të tre personave në “Bulevardin Zogu I” në Tiranë, më 27 maj 2015. Nga hetimet rezultoi se shtetasi Besnik Sulku kishte menduar të hakmerrej për vrasjen e vëllait, Ilirjanit, në Holandë, duke i bërë atentat Mentor Lufit në Tiranë.

Besnik Sulku për të kryer sulmin me armë kishte marrë me vete edhe Salvatore Letizia- n një shtetas italian i dyshuar si vrasës me pagesë. Pasi ndoqën Mentor Lufin dhe arritën ta lokalizonin atë para Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë, Besnik Sulku dhe shtetasi italian qëlluan me breshëri armësh mbi makinën tip “BMW”, seria 7. /Panorama/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *