Prokuroria e Beratit ka zbardhur një tjetër vrasje të kryer në muajin prill të vitit 1997, gjatë trazirave në Kuçovë. Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën, kurse për krimin pas 17 vitesh janë zbuluar dy autorët pas rihetimit të dosjes nga e para. Po me urdhër të prokurorisë, dje është bërë ndalimi nga policia i të dyshuarit Bashkim None, 43 vjeç, ish-polic, i akuzuar për vrasjen e Hasan Shallarit, si dhe plagosjen e Altin Zhurit dhe Jaçe Hajdarit. Po për këtë krim, si bashkëpunëtor është zbuluar edhe Festin Hasanllari, i cili ka vdekur në fund të vitit 1997. Motivi i ngjarjes ishte refuzimi i pagesës së pijeve të konsumuara në lokal nga dy autorët, si ‘gjobë’ për shoferët që kalonin traun në Kuçovë.
Krimi
Kjo dosje sipas burimeve zyrtare të organit të akuzës, është hetuar disa herë që prej vitit 1997, por për mungesë provash është pezulluar deri në vitin 2012, kur është vendosur rifillimi i saj. Nga faktet e mbledhura së fundmi, dëshmitë, riekspertimi dhe gjurmët e gjetura, është zbuluar dinamika, shkaqet dhe rrethanat. Më 15 prill 1997, Altin Zhuri ka pasur në furgonin e tij Hasan Shallarin dhe Jaçe Hajdarin, dhe po lëviznin nga Kuçova në drejtim të Skraparit. Gjatë rrugëtimit, kanë kaluar pranë një lokali, sipër varrezave, ku gjendeshin ndër të tjerë, edhe Bashkim None (Nona) dhe Festim Hasanllari. Bashkim Nona në atë kohë ka qenë edhe efektiv i policisë, si pjesë e “Komitetit të Shpëtimit” në Kuçovë. Dy autorët ishin të armatosur, Bashkimi me automatik “Kallashnikov”, ndërsa Festimi me pistoletë. Sipas “një rregulli të pashkruar”, kushdo që kalonte me automjet para këtij lokali ku gjendeshin dy të dyshuarit, duhej të paguanin faturat për alkoolin e konsumuar nga Nona dhe Hasanllari. Këtij rregulli s’i është bindur drejtuesi Altin Zhuri, i cili ka vijuar të lëvizte me furgon. Në këtë moment, fillimisht u qëllua nga Hasanllari me pistoletë, nga goditjet e të cilit janë dëmtuar gomat e automjetit. Më pas, Bashkim Nona ka qëlluar me automatik me breshëri. Më tej janë afruar për të parë trupat e përgjakur, ku Altin Zhuri dhe Jaçe Hajdari të plagosur, ndërsa i treti, Hasan Shallari, i vdekur.
Hetimet
Një tjetër automjet ka ndaluar për të ndihmuar Hasan Shallarin, por pa sukses, sepse mjekët e Kuçovës konstatuan se kishte vdekur. Por kanë ndihmuar të plagosurit Zhuri dhe Hajdari. “Dinamika dhe autorët e ngjarjes janë zbuluar pas një serie të gjatë hetimesh, duke përfshirë edhe metodat speciale të hetimit, si edhe ekspertizën mjeko-ligjore, pas zhvarrimit të Hasan Shallarit”, tha prokuroria dje. Nga ekspertiza, ka rezultuar se në trupin e të ndjerit Shallari janë gjetur gjurmë të katër plumbave arme automatiku “Kallashnikov”, që është përdorur nga Nona. Po kështu me kalimin e viteve, i dyshuari është përpjekur nëpërmjet të njohurve të tij që t’i kërkojë falje familjes së viktimës, gjë e cila nuk është pranuar. Vrasja dhe plagosjet nuk kanë pasur motiv të fortë, por vetëm për refuzimin e pagesës së pijeve në lokal. Me dëshmi është provuar se autorët i kanë marrë biçikletën një tjetër personi pas ngjarjes, pasi nuk kishte lekë për të paguar pijet e tyre.