Zbatica e të keqes

redaktor

Ka pasur një dendësim të ekspozimit publik të disa ngjarjeve kriminale kohët e fundit. Midis tyre dallojnë frekuenca e lartë e krimeve të pedofilisë, ngacmimeve seksuale dhe dhunës familjare, kjo e fundit më e zakonshme se dy të parat. Duket sikur e keqja është në një periudhë batice dhe morali i shoqërisë po merr përditë goditje të rënda prej krimit me natyrë sociale.

 

  1. Te rrënjët e të keqes

Incidenca e lartë publike e dukurive të mësipërme devijante është një fakt për të cilin biem dakord të gjithë. Pavarësisht interpretimeve mbi shkaqet, fajtorët dhe rrugëzgjidhjet, të gjithë ndihemi njëlloj nën peshën e rëndë të turpit, zemërimit të natyrshëm dhe protestës që shkaktojnë raportet e shtypit mbi intensitetin, gjeografinë dhe makabritetin e dukurive të tilla. Megjithatë, jo të gjithë reagojmë njëlloj ndaj të keqes. Shumica kërkojnë t’ia lenë topin në dorë policisë dhe drejtësisë. Por duhet të rikujtojmë se këto lloj krimesh kërkojnë një impenjim të të gjithë shoqërisë. Ekspozimi i krimit është pjesa e dukshme e ajsbergut. Por ne duhet të shqetësohemi për pjesën e nënujshme të tij. Duhet, pra, të luftojmë rrënjët e të keqes. Doni një nga rrënjët? Mos shkoni larg. Shtypi njofton përditë për ish drejtues institucionesh arsimore në kërkim. Ka ku të shkojë më tepër sesa helmatisja e agjensive të socializimit? Nga ana tjetër, fakti që drejtësia është ajo që është, e bën kalimin e topit në fushën e saj të tingëllojë si cinizëm ndaj viktimave. Kur në fakt, viktimë e këtyre baticave të krimit është e gjithë shoqëria.

 

  1. Mobilizimi anti-krim i medias

Media është bërë gjithashtu më reaguese ndaj krimeve me natyrë sociale. Ekranet dhe faqet e gazetave, sensibilitetit të njohur për të prodhuar lajme i kanë shtuar edhe përgjegjësinë njerëzore dhe thirrjet e hapura për të kundërvepruar ndaj krimit. Dallohet një përgjegjësi kombëtare e pushtetit të katërt, për t’u bërë thirrje pushteteve të tjera të rreshtohen në një front të përbashkët kundër krimit social. Por ky sensibilitet nuk është shoqëruar me një rishikim të programeve prej të cilave emetohen sinjale dhe mesazhe që shkojnë përkundër përkushtimit anti-krim të medias. Me frymën e qëndrimeve ndaj kronikave të zeza media është rreshtuar hapur kundër krimit. Por fryma e mjaft emisioneve të tjera mbetet ende jashtë këtij rreshtimi.

 

  1. Gijotina e publikut

Publiku po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm ndaj episodeve të krimit me natyrë sociale. Frekuenca e lartë e ekspozimit të këtyre ngjarjeve dëshmon edhe për një irritim më të madh publik. Më shumë sesa kurrë më parë disa lloje krimesh po vihen në gijotinën e shoqërisë. Rrjetet sociale ziejnë dhe janë shndërruar në platforma vlerësimesh, reflektimesh, irritimesh e madje edhe dënimesh. Qëndrimi ndaj krimeve të tilla po u bashkangjitet qëndrimeve të avancuara të publikut ndaj disa çështjeve aktuale kritike për shoqërinë: Korrupsioni, pandëshkueshmëria etj. Pra, edhe publiku është bërë më kurajoz dhe i drejtpërdrejt ndaj shfaqjeve kriminale me natyrë sociale. Por publiku është presion i jashtëm, që nuk shkon, dhe nuk e ka për detyrë, të shkojë te rrënjët e problemit.

 

  1. Trimërimi i shoqërisë

Dukuritë e mësipërme (ekspozimi më inkandeshent i krimeve; theksimi i ndjeshmërisë sociale; rritja e përgjegjshmërisë mediatike; irritimi dhe reagimi publik) tregojnë se në vend është krijuar një klimë mbytëse ndaj krimit me natyrë sociale. Ashpërsimi i legjislacionit penal kundër këtyre krimeve ka “trimëruar” edhe shoqërinë. Goditjet ndëshkuese ndaj niveleve dhe formave të ndryshme të krimit po çlirojnë atë nga makthi që e kishte mbërthyer prej kohësh. Kemi filluar të jetojmë në një kontekst kur shoqëria kërkon më me forcë, ndoshta në mënyrë të pakthyeshme, të dallohet nga devijanca, krimi dhe kriminelët. Distanca midis tyre po thellohet dhe kjo, jo vetëm shoqërinë e bën më të ndjeshme, por dhe krimin e bën më të ekspozuar. Ajo që duket si baticë e të keqes, nuk është gjë tjetër veçse një zbaticë e saj, për shkak të baticës së shoqërisë ndaj devijancës. Shoqëria po shtulatet dhe po vesh mantelin e forcës për t’u përballur më fort me krimet që lindin e zhvillohen brenda saj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *