VLORË, KARABURUN e rrethina – Të dhëna dramatike mbi situatën sociale në vend zbuloi së fundmi studimi i shoqatës “Pako pa Kufi”, mësojnë Gojët e Liga.
Sipas studimit të prezantuar nga eksperti hashasholog Jaçe Llulla, gati 85 përqind e thasëve me hashash që ndodhen në territorin e Republikës, duan të largohen jashtë Shqipërisë në një mënyrë ose një tjetër.
“Anketimet tona nëpër stanet, hauret, bunkerët, shpellat e Karaburunit e gjetiu kanë treguar se thasët e hashashit nuk shohin të ardhme brenda vendit, të paktën për një periudhë afatmesme,” deklaroi z.Llulla. Sipas studimit, pjesa dërrmuese e thasëve synojnë që, sapo të mbushen, të lënë Shqipërinë me ndonjë mjet transporti çfarëdo.
“Padyshim, preferenca e tyre do ishte një largim me skaf super të shpejtë, apo përmes një fluturimi ajror me avionë sportivë. Por gjithsesi, të kënaqur do ishin edhe me një udhëtim në rehatinë e fundit të dyfishtë të ndonjë kamioni, apo në zgavrat e fshehura të ndonjë makine të vogël,” tha eksperti Llulla.
Por ç’është më dramatike, shton specialisti, edhe thasët me hashash modest nga fshatrat e thella synojnë largimin, qoftë në samar të ndonjë mushke apo në çantën e ndonjë këmbësori ilegal nga kufiri i gjelbër.
Zoti Jaçe Llulla shpjegon se vetëm rreth 15 përqind e thasëve që aktualisht ndodhen në Shqipëri, janë optimist dhe besojnë se mund të gjejnë punë brenda vendit.
“Këta janë kryesisht thasët që zhvendosen demografikisht, nga zonat e thella rurale në qytetet kryesore të vendit, ku u është premtuar punë pranë grupmoshave 15-45 vjeçare në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan etj,” deklaroi eksperti.
Ndërkaq, në një studim paralel akoma më tronditës, shoqata “Pako pa kufi” ka konstatuar se gati 97% e kokainës që ndodhet në Shqipëri, madje edhe sasia që ende nuk ka hyrë në vend, synon vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian.
*****
SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike, ndërsa studimi është i vërtetë

Vallahi edhe ato thase qe mbeten ketu jane penduar si dreqi