Zbulimi i një bime të rrallë nga botanistët, që rritet vetëm në territorin e vendit tonë, nuk është një gjë e zakonshme, ndaj sa herë që ka një lajm të tillë vëmendja nuk mungon.
Nuk është hera e parë që Profesor Lulëzim Shuka zbulon një lloj luleje, e cila rritet vetëm në Shqipëri. Në katër vitet e fundit janë marrë katër patenta të rralla dhe autor është pikërisht ai. Lulja që është zbuluar këtë herë quhet ”Lulekambana Vezulluese”.
Kjo bimë, e cila nuk gjendet në asnjë vend tjetër të botës është shtuar në Regjistrin e Florës shqiptare. Ajo u zbulua në Malin e Tomorit falë një bashkëpunimi me botanistë kroatë dhe italianë.
Ne kemi folur me një nga autorët e zbulimit, Lulëzim Shukën, botanist dhe Profesor pranë Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Për “Lulekambanën Vezulluese” nuk ka një atdhe të dytë.
Kjo bimë endemike rritet vetëm në Malin e Tomorit. Përveç detajeve të këtij zbulimi në këtë bisedë për Dita-n, Profesori flet edhe për problemet e fundit që po shkakton dëmtimi i bimësisë në ekosistemin e disa zonave në Shqipëri dhe për…mungesën e një Kopshti Botanik të denjë.
Profesor, ju sapo keni zbuluar një tjetër bimë të rrallë në Shqipëri, na tregoni pak më shumë për të?
“Lulekambana Vezulluese” (Campanula aureliana Bogdanovic, Resetnik, Brullo & Shuka), është zbulimi më i fundit për shkencën dhe florën shqiptare, i publikuar së fundi në revistën shkencore ndërkombëtare ”Sistematika e Bimëve dhe Evolucioni” (Plant Systematics and Evolution) nën titullin “Campanula aureliana (Campanulaceae), a new species from Albania”. Ky zbulim i ri vjen nga Mali i Tomorit, faqet veriperëndimore dhe ultësirat perëndimore, duke filluar nga 500 m deri 200 m lartësi. Ai është rezultat i punës paralele të pavarur të botanistëve kroatë Sandro Bogdanoviç, Ivana Resetnik dhe italianit Salvatore Brullo nga njëra anë, dhe nga ana tjetër botanistët shqiptarë të seksionit të botanikës dhe Kopshtit Botanik.
Grupi i parë janë specialistë të kësaj gjinie (Lulekambanat, seksioni Garganika) dhe ishin duke studiuar evolucionin filogjenetik të tyre. Për këtë arsye, ata morën mostra për analiza gjenetike (të dhëna mbi ITS bërthamore dhe trnL–trnF e kloroplasteve) në fshatrat Tomorr dhe Kapinovë (Berat) në lartësitë 500-600 m, mbi bazën e të dhënave nga Markgraf rreth 100 vjet më parë.
Grupi i botanistëve shqiptarë (L.Shuka, M. Xhulaj, M. Mersinllari dhe P. Hoda) synonte të vlerësonte florën dhe bimësinë e Malit të Tomorrit. Midis tyre, grupi ynë identifikoi këtë lloj të ri nën Çukën e Partizanit (2000 m lartësi dhe në Kalanë e Tomorit, rreth 1250 m lartësi), dhe në vende të ndryshme nga grupi kroato-italian. Rastësia vërtetoi që të dy grupet kishin zbuluar të njëjtin lloj Lulekambana Vezulluese (Campanula aureliana, i vërtetuar nga analizat gjenetike prej grupit kroato-italian dhe morfologjikisht nga grupi i botanistëve shqiptarë) dhe i botuar si lloj i ri për shkencën, me vendndodhje vetëm në Malin e Tomorit.

Cilat janë karakteristikat e kësaj bime dhe pse konsiderohet e rrallë për ju?
Bima është e ndryshme gjenetikisht nga simotrat e saj të përafërta dhe gjithashtu e dallueshme nga pamja e jashtme. Ajo ka një lule blu, me bazën e petaleve pak sa si të zbardhura, prandaj dhe ne e kemi emërtuar si Lulekambana Vezulluese. Është e rrallë sepse mund të gjendet vetëm në Tomor dhe askund tjetër në botë.
Ishte e vështirë për ta pikasur si bimë?
Është e vështirë, sepse i vështirë është terreni ku ajo ndodhet. Mjafton të themi që për të shkuar në Çukën e Partizanit (Maja veriore e Malit të Tomorit) duhen të paktën 6 orë ngjitje dhe rreth 3-4 orë zbritje, shto këtu edhe mjetet e punës, që kapin një peshë rreth 15 kg, të cilat duhet t’i kesh në shpinë. Dhe në fund mund të mos gjesh diçka interesante, mundim shkon kot, dhe e kundërta, ja vlen mundimi kur ndjen kënaqësinë e diçkaje të re.
Profesor, ju jeni një person që udhëtoni shumë nëpër Shqipëri, na tregoni pak më shumë, si paraqitet gjendja e bimësisë në vendin tonë?
Shqipëria është një vend i pasur nga pikëpamja e florës. Në vendin tonë rriten natyralisht rreth 3900 taksone bimore (lloje dhe nënlloje). Megjithëkëtë, vendi ynë fsheh ende një numër të lartë llojesh bimore dhe shumë më tepër shtazore, të cilat kërkojnë studime dhe punë për t’u evidentuar. Bimët ashtu si edhe qeniet e tjerat të gjalla jetojnë në shoqëri duke formuar shoqërime bimore. E parë në këtë këndvështrim, mjaft shoqërime dhe habitate bimore ndjejnë keqmenaxhimin, dhe ndërhyrjen e pakontrolluar të njerëzimit. Bimësia është gjithashtu edhe nën presionin e ngrohjes globale, e cila po ndryshon strukturën e popullatave vendase dhe favorizimin e përhapjes së llojeve rezistente ndaj temperaturave si dhe llojeve të tjera invazive.
Cilat janë zonat më të dëmtuara sipas jush?
Ndoshta zonat më të prekura, janë ato më të ekspozuarat ndaj mbikullotjes, zjarreve dhe ngrohjes globale, dhe këto përfshijnë gjithë ekosistemet natyrore në Jug të vendit, përfshirë edhe Malin e Tomorit. Ngrohja globale duket diçka si utopi, por mjafton të përmendim që malet tona gjithmonë e më shumë kanë ose mbajnë më pak borë, një rregullator i rëndësishëm i kapaciteteve ujore në tokë, dhe njëkohësisht i influencuar nga klima.
Po ato të ruajtura mirë?
Unë nuk mund të them se mund të gjendet ndonjë zonë në Shqipëri ku ndërhyrja e njeriut të mos jetë e dukshme. Ndoshta vetëm pjesa më veriore e Shqipërisë, Seferca, vetëm atje ndikimi është minimal. Gjithkund tjetër ndikim i njeriut, ndoshta për shkak edhe të varfërisë dhe keqshfrytëzimit të burimeve natyrore, është mjaft i madh, i dukshëm dhe me pasoja për mjedisin dhe ekosistemet natyrore.
Por, përpos të gjithave, a mund të themi se jemi një vend me një bimësi të pasur?
Ne jemi një vend i pasur ashtu si edhe vendet fqinje. Unë mendoj se duhet të kemi shumë më tepër lloje bimore nga sa ne njohim deri më tani, dhe njëkohësisht kemi më pak studime se vendet e tjera, kjo për shkak të interesimit të vogël të shtetit dhe mosekzistencës së institucioneve të domosdoshme për vlerësimin dhe monitorimin e burimeve natyrore dhe gjenetike.
Çfarë duhet të bëjmë që ta ruajmë dhe ta mbrojmë bimësinë?
Shteti në radhë të parë dhe institucionet e mbrojtjes së natyrës janë përgjegjës për mirëadministrimin e burimeve natyrore dhe njëkohësisht mbrojtjen e Florës dhe Faunës në zonat e mbrojtura të krijuara. Kjo gjë deri më tani, nuk ka ekzistuar. Nga ana tjetër, vetë komunitet lokale ose popullsia e zonave përkatës duhet të mbrojë dhe të ngrejë zërin për mbrojtjen e pasurive të natyrës. Por çfarë mund të bëjnë komunitetet lokale kur pushteti në simbiozë me biznesin, po ju merr atyre dhe mjedisit, gjënë më jetësore, Ujin, duke u sjellë si pronar i tyre?

Cila është rëndësia e saj?
Rëndësia e mbrojtjes së mjedisit dhe ekosistemeve, qëndron në ruajtjen e ekuilibrave ekologjike, si dhe ruajtjen e prodhimtarisë së tyre, si pronë e të gjithë brezave dhe jo e një grupim të caktuar, që për qëllime fitimi të shpejtë, po shkatërron pasurinë e brezave. Rëndësia duket në efektet kundërpërgjegjëse të Natyrës ndaj njerëzimit, me përmbytje, zjarre ose me shkatërrimin e prodhimeve.
Ky nuk është zbulimi juaj i parë, por cilat janë planet tuaja për të ardhmen në fushën e botanikës?
Në katër vitet e fundit, ky është zbulimi i katërt, në të cilat përfshihet zbulimi i Tulipanit Shqiptar (Tulipa albanica), Lulehelmit të Malos (Gymnospermium maloi), Tulipanit Kosovar (Tulipa kosovarica), dhe ky i fundit, Lulekambana Vezulluese. Ne vazhdojmë të punojmë sepse nuk rrimë dot pa punuar. Natyra është pjesë organike e qenies tonë, kështu që ndoshta së afërmi do të kemi të tjera të reja për shkencën.
Profesor, ju thoni që ne jemi një vend i pasur, por nga ana tjetër jemi ndoshta një ndër vendet e pakta që kemi një Kopsht Botanik kaq të varfër. Si e shpjegoni ju këtë?
Eh, kjo puna e Kopshtit është si puna e mjedisit në tërësi. Kopshti është rrethuar nga e keqja (me shaka, nga xhindet). Biznesi i VNM-istëve kërkoi t’i ndërtonte një lumë si zëvendësim i unazës së ndërtuar! Po kështu tenderat, i morën edhe makinën që kishin për të kryer detyrat funksionale ndaj bimëve të strehuara atje. E çfarë mund të presësh tani nga Kopshti?
Sa i rëndësishëm është Kopshti Botanik për një vend?
Po kopshti është i rëndësishëm sepse në të mund të ruhen për një kohë të gjatë llojet e rralla dhe të kërcënuara. Kopshti është i rëndësishëm gjithashtu sepse është qendër e rëndësishme e edukimit të njeriut me dashurinë për natyrën, nëpërmjet njohjes së këtyre vlerave praktikisht në kopsht.
Si mund të “lulëzohet” ai?
Ne kemi vetëm një Kopsht Botanik Kombëtar, dhe nuk e mbajmë dot, në një kohë që pothuajse të gjitha shtetet kanë më shumë se një, dhe i kanë shndërruar në qendra të rëndësishme edukimi dhe relaksi për banorët e tyre. Prandaj, vëmendja e institucioneve përgjegjëse duhet të jetë më e madhe dhe njëkohësisht, vëmendja kërkon financime dhe jo vetëm premtime boshe.
Një pyetje që bëhet zakonisht në të tilla rraste, sa keni përfituar financiarisht prej zbulimeve?
Unë mund t’ju them se sa kam humbur financiarisht dhe jo fituar, megjithëse kam konkurruar në fondet që jepen për kërkimin shkencor në vendin tonë, por projekt-propozimet e mia janë rrëzuar, pa më kthyer as përgjigjen e humbjes së aplikimit. Kështu që po të llogaritësh shpenzimet vetjake, pa mohuar ndihmesën e shumë miqve të mi, që shpesh më ndihmojnë në transportin falas, këto zbulime nuk do ta kishin parë dritën e publikimit. Unë kam qenë gjithashtu me fat që bordi editorial dhe botues i revistës Phytotaxa ka zgjedhur për të vendosur në kopertinë në 3-numra të saj (10, 25 dhe 62) fotografitë e llojeve tona…
Profesori-zbulues
“Tulipa Albanica” dhe “Tulipa Kosovarica”

Për herë të parë, përpara pesë vitesh një shqiptar zbuloi një lloj tulipani endemik. Zbulimi i rrallë është bërë nga biologu Lulëzim Shuka. Kjo bimë endemike është bërë e famshme në të gjithë botën dhe është regjistruar në data-bazën në radhë të simotrave të saj anembanë globit. Por, mbi të gjitha mban një emër që na përfaqëson, “Tulipa Albanica”. Tashmë, me një pasaportë të vetën, kjo bimë gjendet edhe në kopshtin botanik të Kopenhagenit në Danimarkë. Zbulimi është bërë në fshatin Surroj në Kukës. Një më vonë, një tjetër bimë e rrallë u zbulua nga i njëjti person, është “Tulipa Kosovarica”. Ai gjendet vetëm në zonën e Rahovecit, Mirushe të Kosovës dhe për këtë arsye është endemik i Kosovës. Zbulimi i kësaj bime është publikuar në revistën shkencore “PHYTOTAXA”, në nr. 62 të saj. Sipas profesorit, “Ashtu si edhe në 2 bimët e tjera të zbuluara me parë (Tulipa albanica dhe Gymnospermium maloi) këto janë lloje të reja për shkencën dhe për nga rëndësia dhe bukuria e tyre kanë kapur kopertinën e revistës, duke u bërë imazhi i revistës për numrat përkatës. Kjo përbën jo vetëm një arritje shkencore në fushën e botanikës për vendin tonë, por edhe një reklamë e mirë për Shqipërinë dhe Kosovën”.

Me duket se e teprojme duke thene qe gjendet vetem tek ne dhe askund ne bote.Kush e paska studiuar aq shume thelle boten e nuk paska gjetur te tille bime?!Megjithate autoret kane merite dhe duhen respektuar dhe uruar.Edhe nje gje tjeter me ben pershtypje,ne autoresine,shqiptari vihet si ndihmes i te huajve .si p.sh. Agimi, Aliu,Sela dhe Gazi.Pra Gazi ka qene si shtese aty.
Nuk më duket si rastësi që për gjetjen e rrallë të Malit Tomorr shkruan një gazetare e rrallë si Entela Resuli ! Kambana vezulluese dhe kambana artikullshkruese të dyja nga një krahinë! Ec e mos u çudit pastaj! Tung!
Ky eshte lajm dhe jo ai per Tom Doshin dhe strukturat e ISIS-it qe pergatiteten dhe rekrutohen ne Shqiperi !
Urime Profesoreve dhe studjueseve-zbulueseve te apasionuar: L.Shuka, M. Xhulaj, M. Mersinllari dhe P. Hoda, nje vazhdimesi e tradites se vyer kerkimore te fakultetit te Shekencave te Natyres, dhe qe ka shume vlera per evidentimin-eksplorimin e diversitetit tone biologjik, qe megjithe punen e madhe te bere mbetet ende’ per te zbuluar, dhe cuar me tej per te hequr skepticizmin se vendi yne nuk ka vetem 3200 specie vaskulare por shume e me shume…Urime dhe gjithe te mirat Profesoreve te nderuar !!!
Pergezime dhe ju inkurajojme per vazhdim te metejshem profesor..
Eshte e rralle se e vadit aliu nga teqeja prandaj
Ky tulipani rritet dhe ne zonen e Hasit.Me ka rene rruga andej para shume e shume vitesh dhe e kam pare ne pranevere ne shpatijet e Oplasit.
MALI I TOMORIT KA DIAMANTE DHE GURE TE CMUAR DHE MERMER E SHUME MINERALE TE RRALLA DHE SHUME E SHUME TE FSHEHTA NEN TE !!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Une jam I lindur dhe rritur ne krahinen e Tomorrit,por kurre nuk kam pare e degjuar qe te kete nje KALA ne Tomorr.Nuk e di per cfare e ka fjalen artikullshkruesi!
jane rrenoja, por e kam pare ne foto dhe ka qene nje kala afer Tomorrit, jo tamam mbi Tomorr. Respekt per punen e studjuesve, qe shkojne me pasion per nje “cope lule”, qe ne fakt vlen me shume sesa fabulat me Tome dhe hallet e Pularise se Koplikut.