ZBULIMI / NASA kërkon falje për gjenocidin ndaj banorëve të Hënës!

redaktor

 

E përfshirë në valën e madhe të kërkimit të ndjesës dhe vrasjes së ndërgjegjes që ka kapluar së fundi Shtetet e Bashkuara, nga politikanët te aktorët e Hollivudit dhe sportistët, agjencia hapësinore NASA ka bërë dje një deklaratë tronditëse.

Agjencia kërkoi paraprakisht falje pse ky gjest është tejet i vonuar.

Kështu, NASA publikoi një ndjesë zyrtare lidhur me gjenocidin e panjohur që kjo agjenci ka kryer ndaj popullsisë së pambrojtur të Hënës në vitin e largët 1969.

“Ka ardhur koha që të pranojmë kokëulur rolin e urryer të NASA-s në masakrën famëkeqe ndaj popullatës vendase hënore”, pohoi zëdhënësja e agjencisë, Natalie Warheit, duke shtuar se gjaku ngjyrë zhive i mijëra banorëve indigjenë të këtij sateliti paqësor, kurrë nuk do të shkyhet nga duart e NASA-s.

“Kur vumë këmbë për herë të parë në Hënë, gjetëm një qytetërim të paqtë dhe të lulëuar, që na priti ne njerëzve si miq, e madje astronautin Neil Armstrong e adhuronin si perëndi. Po ne çfarë bëmë, do thoni ju? Një mijë të zezat, u sollëm si lunatikë”, foli me ton të penduar zëdhënësja.

“Shfrytëzuam besimin e tyre, grabitëm mineralet e Hënës, i vramë, akoma më shumë hënorë vdiqën nga ekspozimi ndaj sëmundjeve tona, pasi nuk kishin imunitet”, dhe zëdhënësja nisi të përlotej, “të gjithë i futëm në varre masive në basenin e madh Mare Serenitatis! O zot, sa turp!”

Sipas njoftimeve më të fundit, mësohet se NASA do të kërkojë falje edhe për rolin e saj okult në rrëzimin e qeverisë demokratike të Neptunit, gjatë misionit Voyager 2.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike me cipë, që paraprakisht nuk kërkon falje për gjithçka do të shkruajë numrat e ardhshëm.

 

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *