Zinedine Zidane ka lajmëruar largimin e tij nga Real Madrid.
Francezi ka patur një sukses të paprecedent gjatë tre viteve të kaluara në drejtim të “Los Blancos” dhe dorëheqja e tij e papritur ka krijuar një boshllëk të madh te madrilenët.
Janë disa kandidatë për të marrë vendin e tij, me Real Madrid që do të ketë detyrën e vështirë të gjejë një pasardhës të “Zizou”, i cili fitoi tre Champions League radhazi që nga koha kur mori vendin e Benitez në janarin e 2016-ës, ashtu si edhe një kampionat në sezonin 2016/17.
Një nga emrat në listën e Florentino Perez është Joachim Low, trajneri i kombëtares së Gjermanisë, ashtu si ish-lojtari i “Los Blancos”, Guti, i cili është trajneri i ekipit të të rinjve.
Real mund të provojë të marrë edhe trajnerin e Tottenham, Mauricio Pochettino, pavarësisht se argjentinasi ka rinovuar kontratën e tij për pesë vitet e ardhshme.
Në fund, një nga emrat e mundshëm është ai i Arsene Wenger, me francezin që i tha lamtumirë Arsenal pas 22 vitesh me klubin e londinez.
a.s/dita
