Një tjetër goditje e suksesshme e Policisë së Shtetit ndaj bazave ku mbahet tritol që përdoret për qëllime kriminale. Pas aksioneve në Malësi të Madhe, Lezhë dhe Krujë, dje është zbuluar një grup që dyshohet se është i organizuar, teksa posedonte sasi të mëdha eksplozivi dhe armatimi. Burime zyrtare të policisë vendore thanë se arrestuan në flagrancë gjatë operacionit të koduar “Lozhan”, vendi ku dhe u krye aksioni, 4 persona të dyshuar, ndërsa kanë sekuestruar të paktën 101 kallëpe tritoli. Në pranga janë vënë Vasiljan Plasari, 19 vjeç, banues në Bulgarec, Sergei Cenolli, 22 vjeç, banues në Vashtëmi dhe Halil Agolli, 26 vjeç, banues në Lozhan të Korçës, si dhe u bë shpallja në kërkim e një personi të katërt, Ledjon Shupe, 20 vjeç, banues në Vashtëmi, që u kap në orët e mbrëmjes së bashku me makinën e tij, me të cilën u largua nga vendngjarja.
Arrestimi i të dyshuarve u bë në bashkëpunim me Njësinë Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme, ndërsa udhëtonin drejt Korçës me një automjet “BMW”. Policia, pas konkludimit të këtij operacioni, ka bërë të mundur sekuestrimin fillimisht në mjet të 66 kallëpeve të tritolit, kurse një sasi tjetër tritoli në forma të ndryshme, me 35 kallëpe u zbulua nëpër banesa. Gjithashtu u sekuestruan një mitraloz i rëndë 12,7 mm, 2 kuti me fishekë, dhe një pako detonatorë.
Dyshohet se grupi është i përfshirë në një trafik të mundshëm armatimi dhe municioni, por po hetohet për lidhjet e tyre me grupe të tjera kriminale që janë të përfshira në vendosjen e lëndëve plasëse ndaj institucioneve, zyrtarëve, qytetarëve të ndryshëm apo bizneseve.
“Të dyshuarit ishin duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Korçës me një automjet dhe u arritën të kapeshin përkatësisht në fshatin Lozhan, duke transportuar sasinë e tritolit të lartpërmendur. Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes kriminale”, thanë burime zyrtare të policisë vendore. Për këtë grup po heton edhe Prokuroria e Rrethit, me akuzën “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit, e kryer në bashkëpunim”.
Armatimi i sekuestruar:
66 kallëpe tritoli
35 kallëpe në forma të ndryshme
Një mitraloz i rëndë 12,7 mm
2 kuti metalike me fishekë
1 pako me detonatorë
Të arrestuarit:
Vasiljan Plasari, 19 vjeç, Bulgarec
Sergei Cenolli, 22 vjeç, Vashtëmi
Halil Agolli, 26 vjeç, Lozhan
Ledjon Shupe, 20 vjeç, Vashtëmi
