Në komisionin e sigurisë së Kuvendit, anëtarët socialistë të komisionit kanë nxjerrë në dritë të vërtetën e shitjes së pronave të ushtrisë, dhe pse Arben Imami është përgjegjësi kryesor i këtyre shitjeve në çmime shumë larg vlerës reale të tregut. Deputeti socialist në këtë komision Pirro Lutaj është shprehur gjatë mbledhjes se është ministri i mbrojtjes ai që ende deklaron se ministria që ai drejton nuk shet prona një gjë tërësisht e pavërtetë. Lutaj në komision u shpreh: ”Po të konfirmojmë të kundërtën e kësaj që thoni ju, nëpërmjet një dokumenti të firmosur nga auditimi i Ministrisë Mbrojtjes, një ekstrakt të të cilit po jua vë në dispozicion ju dhe medias
RAPORT
Mbi auditimin e plotë me objekt: “Vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare në ish Komandën Mbështetëse (Komanda dhe Shtabi, ish Reparti Ushtarak nr.4001), Tiranë.
Përmbledhje ekzekutive:
Në zbatim të Programit të auditimit miratuar nga Ministri i Mbrojtjes, nr.12071, datë 23.12.2011, për kryerjen e angazhimit të auditimit me objekt “Vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare në ish Komandën Mbështetëse (ish Reparti. Ushtarak nr.4001), Tiranë.
Auditimi u krye për periudhën 01.02.2009 deri më 31.07.2010, nga grupi i punës i përbërë nga inspektorët/auditët, z.Agim Zenelaj dhe z.Tonin Tuci, me personat përgjegjës të ish kësaj strukture, ish shefi i financës së shtabit të KM, z.Armir Balili, ish shefe e degës financës N/Kolonele Figali Golemi, ish shefat e logjistikës N/Kolonel Jorgo Mino dhe Kolonel Ilmi Laçi, ish shefi i personelit N/Kolonel Mehmet Baze, ish shefi i furnizimit N/Kolonel Janaq Prifti i ngarkuar me detyrën e përgjegjësit për mbylljen e aktivitetit të veprimtarisë ekonomiko-financiare të KM për periudhën 1 Mars 2010 deri më 30 Maj 2010, ish shefi i infrastrukturës Majror Nikoll Tushi, i ngarkuar edhe me detyrën e përgjegjësit për mbylljen e aktivitetit të veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën 1 Qershor 2010 deri më 31 Korrik 2010, ish komandanti i togës shtabit, Toger Bledian Dule dhe ish Komandantët e Komandës Mbështetëse (Rep.Ushtarak nr.4001) Tiranë, për periudhat që kanë drejtuar; Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi dhe Gjeneral Major, Xhemal Gjunkshi si dhe Komandantin e Brigadës Logjistike, strukturë e cila ka thithur aktivitetin e ish-KM, Kolonel Bardhyl Hoxha.
Auditimi nga grupi i punës u realizua nga data 28.12.2011 deri më 20.02.2012.
Faqe 55,……………..Nga auditimi i kryer në fushën e administrimit, për regjistrimin e vlerës së pronës nr.11 me emërtimin “Klubi sportiv Partizani” rezulton se, veprimet e kontabilizimit të kësaj prone janë kryer në mënyrë ekstra kontabël, dhe pa dokument.
Sipas protokollit të Dhomës së Noterisë Tiranë, me Nr.3553 Rep. dhe Nr.661 Kol. Të mbajtur mes palëve shitësi, Ministria e Financave, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, përfaqësuar nga z.Urim Muja, Drejtor dhe Ministria e Mbrojtjes, Komanda Mbështetëse e përfaqësuar nga Komandanti i KM, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, sipas autorizimit të Ministrit të Mbrojtjes nr.6927, datë 15.10.2009 dhe blerës pronaret pëerkatës … Rezulton se kjo procedurë është bërë në kundërshtim me Kreun III, Dokumentimi i veprimeve ekonomiko-financiare, neni 7 i Ligjit nr.6942, datë 25.12.1984 “Për ruajtjen, administrimin, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, nenin 6, të Ligjit nr.9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i ndryshuar, Kapitullin I, pika 2, germa c, Dokumentet kontabël, të VKM nr.783, datë 22.11.2006 “Për përcaktimin e standardeve dhe rregullave kontabël”, dhe ngarkon me përgjegjësi grupin e punës dhe ish shefin e financës së shtabit të KM, në zbatim të nenit 23, shkeljet dhe dënimet, të Ligjit nr.9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i ndryshuar, nenit 71, kundërvajtje administrative, germa “ë”, të ligjit nr.9936, datë 26.06.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.
Kontrata e shitjes është bërë për sipërfaqen totale 26.524 m2, … , nga 28.000 m2 që është në fakt, në bazë të VKM nr. 515, datë 18.07.2003, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, inventarizuar si prona me nr.11, ose me një diferencë afërsisht 1.500 m2, ndërsa krahasuar me proces-verbalin e marrjes dorëzim nga komisioni i ngritur për këtë qellim, referuar matjeve të Institutit të Gjeografisë Ushtarake, kjo sipërfaqe është 31.000 m2, dhe diferencë e pasqyruar në kontratën e shitjes arrin në sasinë prej 4.478 m2, në favor të blerësit.
Kam edhe praktika të tjera të kësaj natyre.
Si përfundim, po ju them zoti Ministër,
Së pari, ju mashtroni opinionin publik kur thoni që Ministria e Mbrojtjes nuk shet prona.
Së dyti, materialet që disponojmë, njërit prej të cilëve iu referova, tregojnë që ju, jo vetëm po i shisni pronat, por për më keq akoma po i dhuroni ato ku ju do qejfi, siç është rasti i 4.478 m2 në klubin sportiv Partizani.
Së treti, është kjo arsyeja që unë refuzoj të dëgjoj herë pas here konferenca shtypi nga ana juaj, me të pa vërteta të neveritshme dhe vazhdoj të insistoj se mbyllja që i keni bërë Ministrisë së Mbrojtjes, duke bllokuar mbikëqyrjen parlamentare, nuk është e rastësishme, por e qëllimtë.
Ju kujtoni se po i fshihni bëmat tuaja, por ne do të vazhdojmë t’i denoncojmë ato përditë.
U njoftua se gjatë votimit për hetimin e Arben Imamit, për pak sa nuk votoi pro dhe Aldo Bumçi. Dhe e ka të drejtë: në vitin 1995 i ka sharë vjehrrin, të ndjerin Safet Zhulali dhe vjehrrën.
Ja një shkrim i botuar në “Investigim”.
1995. Imami, akuza Zhulalit: I lidhur me agjenturat serbe
Nga Gjergj Thanasi
“Imami akuzon Ministrinë e Mbrojtjes se është nën influencën e agjenturave serbe”, ky është një nga titujt e gazetave të datës 3 shkurt 1995. Më 2 shkurt 1995, dy deputetët e Partisë Aleanca Demokratike, të shkëputur nga Partia Demokratike, i ndjeri Perikli Teta dhe Arben Imami, i servirën shtypit një dosje të tërë me dokumente që vërtetonin, sipas tyre, implikimin e Ministrit të Mbrojtjes, në vitet 1992-1997, të të ndjerit Safet Zhulali në kontrabandën e armëve. Imami i deklaroi shtypit se kishte fakte që vërtetonin se Ministria e Mbrojtjes ishte në shërbim të agjenturave serbe. Pikërisht më 1 shkurt 1995, deputetët Teta dhe Imami zhvilluan dy interpelanca me Kryeministrin Aleksandër Meksi dhe Ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali. Sipas deklaratës për shtyp të lexuar nga Arben Imami (me profesion regjisor, duke pasur diksion por dhe duke interpretuar mjeshtërisht si aktor) më 2 shkurt, objekti i interpelancave “ishte problemi i korrupsionit përgjithësisht dhe ai që ka përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes veçanërisht…. por seanca e djeshme parlamentare u zhvillua në kushtet e dhunës verbale”.
EKSTAZA
Madje, Imami kaloi në ekstazë kur interpretoi, para gazetarëve të pranishëm, tekstin shpotitës kundër paraardhësit dhe gruas së tij, ose vjehrrit dhe vjehrrës së ministrit të sotëm të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Aldo Bumçi: “Nervozizmi i zotit Zhulali u manifestua që në fillim, me hutimin e tij, kur për pesë minuta mbajti në pritje parlamentin pasi nuk gjente dot fjalët e përgjigjes ashtu si një mësues i keq fshati që ngatërron defterët e bulmetit të së shoqes me ditarin e aritmetikës. Ai nuk mundi të kthejë asnjë përgjigje për të justifikuar kontrabandën, të cilën ai drejton, frymëzon dhe ushqen në ministrinë e tij, dhe nuk e fshehu inkriminimin e tij”. Imami e akuzoi Ministrin e Mbrojtjes se “gjatë vitit 1994 hapësira ajrore dhe ajo tokësore e vendit ishte shkelur mbi katër herë. Ç’garanci jep Ministri i Mbrojtjes për mbrojtjen e vendit? Ky ministër po vepron si kambist duke injoruar banka dhe duke bërë tregti me para në dorë. Ky ministër ia ka arritur të ulë çmimin e naftës në ish-Jugosllavi, duke lejuar autobotet greke të shkojnë drejt Malit të Zi”.
KU SHKOI TRITOLI
Deputeti i PAD_it, Arben Imami, sot Ministër i Mbrojtjes, që akuzon opozitën e sotme se nxjerr sekrete ushtarake, më 2 shkurt 1995 u ka vënë në dispozicion gazetarëve dokumente për eksportet ushtarake. Në shtyp është botuar një faksimile Autorizimi, me nr. 3/3 Regj., datë 3 shkurt 1993, që Arben Imami kishte arritur të merrte:
“Autorizohet Uzina Kimike (Reparti Ushtarak Nr. 6959) në Mjekës Elbasan si subjekt ekonomik më vete, me numër llogarie në lekë 373/112 në Bankën e Shtetit në Elbasan dhe me numër llogarie në valutë 678/107/01 në Bankën Tregtare në Tiranë të eksportojë në Kroaci, nëpërmjet firmës “Kastrioti” [Slloveni] materialet e mëposhtme:
1. Trinitrotoluol “TNT” 140 tonë
2. Barut 20 “
3. Mostra eksperimentale baruti 0,297 “
4. Hegzogjen RDX 5 “
Ky autorizim është i vlefshëm deri më 28.2.1993.
MINISTRI I MBROJTJES
SAFET ZHULALI
(Nënshkrimi, vula)”
Sipas deputetit Arben Imami, me informacionin e deriatëhershëm (2 shkurt 1995), “janë bërë rreth tetë ngarkesa me anijen “Vela Luka” në periudhën nga prilli 1992 deri në shkurt 1993 (kujtojmë që është pikërisht kjo anije që u sekuestrua nga flota italiane dhe në bordin e saj u gjendën 100 automatikë “Kallashnikov” me origjinë nga Shqipëria)”. Imami tundte në mënyrë teatrore shkresën e Zhulalit dhe kishte zbuluar se anija nuk kishte shkuar as në Slloveni as në Kroaci, por “ka shkarkuar mallin luftarak në ndonjë nga portet e Malit të Zi e implikuar haptazi në konfliktin në Bosnjë si aleat i Serbisë”.
MOSPADITJA
Megjithëse u shkëmbyen replika të ashpra dhe Teta-Imami tundnin kudo dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes, as Ministri Safet Zhulali dhe as Kryeministri Aleksandër Meksi nuk i kërcënuan me burg dhe as i paditën në prokurori për nxjerrje sekreti shtetëror dhe ushtarak. Më 3 tetor 2012 Ministri aktual i Mbrojtjes, Arben Imami, pasardhës i Ministrit të ndjerë Safet Zhulalit, dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal në emër të deputetit Erion Braçe. Motivacioni i këtij kallëzimi është nxjerrja e dokumenteve të klasifikuara sekret shtetëror sipas ligjit përkatës, si dhe disponimi i dokumenteve shtetërore në rrugë të paligjshme. “Zoti Braçe dhe Partia Socialiste duhet të kuptojnë që kontratat ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive tregtare nuk mund të përfliten nëpër konferenca shtypi apo faqe gazetash”, tha Imami, i cili 17 vjet më parë përfoli nëpër konferenca shtypi apo faqe gazetash kontratat ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive tregtare.