Kur ishte publikuar fillimisht plani për riorganizimin e madhor të kryeqytetit maqedonas në vitin 2010, projekti i njohur si “Shkupi 2014” parashihte ndërtimin e rreth 40 monumenteve, skulpturave, fasadave dhe ndërtesave të reja.
Mirëpo, kur shihet në vitin 2015, numri i ndërtesave dhe monumenteve tani është trefishuar.
Hulumtimi i BIRN dëshmon që ndërkohë edhe çmimi për pamjen e re të Shkupit është rritur, duke e tejkaluar shumë çmimin e paralajmëruar fillimisht prej 80 milionë eurosh, në 560 milionë euro.
Hulumtimi tetëmujor mbështetet në të dhëna të marra përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, faqes zyrtare në internet të Byrosë së Prokurimit Publik, auditimit të projektit “Shkupi 2014” dhe një raportit të përbashkët të qeverisë, Bashkisë së Qendrës së Shkupit dhe Ministrisë së Kulturës, raport ky i prezantuar pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013.
Hulumtimi mbulon më shumë se 130 objekte, që të gjitha të financuara me para publike, dhe investitorë të të cilave janë Ministria e Kulturës, Byroja e Prokurimit, Bashkia e Qendrës, Qyteti i Shkupit si dhe bashkia të tjera e shoqëri aksionare ku shteti ka aksione.
Dokumentet e marra nga BIRN tregojnë se më shumë se 260 subjekte juridike dhe persona fizikë kanë marrë pjesë në riorganizimin e pamjes.
Dokumentet tregojnë që shumë prej tyre kanë marrë kontrata të shumëfishta dhe kanë ndërtuar disa objekte dhe monumente. Ato gjithashtu, dëshmojnë se autorët janë shpërblyer me shuma të majme për dizajnet e tyre.
Për herë të parë që nga promovimi zyrtar i Shkupit 2014, BIRN ka arritur të marrë kontratat me skulptorët të cilët e kanë formësuar këtë projekt.
Hulumtimi përfshin objektet e ndërtuara gjatë viteve të fundit që kanë pasur një rol jetik në ndryshimin e pamjes së kryeqytetit.
Disa si Filarmonia, zyrat qendrore të kompanisë shtetërore të energjisë, ELEM, Gjykatës Penale dhe pallati administrativ, “Lazar Pop Trajkov”, e disa të tjera, mbeten ende të papërfunduara.
Disa janë në fazë kur vetëm dizajnet janë përzgjedhur që ngrit dyshime që çmimi përfundimtar i këtij projekti kundërthënës në fund, mund të rritet edhe më shumë se 560 milionë euro.
Shpenzimet e sigurimit dhe mirëmbajtjes vazhdimisht po thithin edhe më shume fonde nga buxheti shtetëror.
Një kompani ka ndërtuar një të tretën e projektit
Një analizim i të dhënave të siguruara nga BIRN tregon që kompania ndërtimore Beton ka fituar shumicën e kontratave dhe ka ndërtuar shumicën e ndërtesave dhe skulpturave që formojnë Shkupin 2014.
Kjo kompani ka fituar 163 milionë euro, një të tretën e parave të përgjithshme të shpenzuara në riorganizimin e qytetit nga projekti.
Katër kompani të tjera ndërtimore janë lojtarët e tjerë të mëdhenj, përkatësisht kompanitë Granit, Strabag, Beton–Stip dhe Bauer BG.