Ze Maria, trajneri i Tiranës, është mjaft optimist se në takimin e nesërm kundër Maccabi Tel Aviv ekipi i tij mund t’ia dalë të surprizojë.
Në konferencën për shtyp ai u shpreh se u ka kërkuar lojtarëve të luanin një futboll brazilian duke përdorur sa më shumë topin, me objektivin për të tentuar kualifikimin.
Tekniku i ri i bardhebluve gjithashtu u shpreh se nuk ka bërë plane për pushime pas ditës së enjte.
“Kemi dy javë stërvitje, një javë më shumë se sa në ndeshjen e parë. Përballë kemi një kundërshtar të rrezikshëm dhe ekspert, por ama unë tani e njoh më mirë skuadrën time. Në bëmë një paraqitje të mirë në Izrael dhe shpresojmë për më mirë tani. Lojtarët e dinë se çfarë dua unë, i njohin më mirë idetë e mia”.
Sa e vështirë do të jetë nesër?
Ne do të luftojmë për të fituar, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, do të jetë shumë e vështirë. Kemi provuar gjithçka gjatë javës. Do të jetë e vështirë edhe për ata, sepse ata në ndeshjen e parë na ndëshkuan vetëm në dy gabimet tona.
Do të përpiqemi që të shënojmë minimalisht dy gola që t’ia dalim. Por le të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë.
Tani që e njihni më mirë ekipin, çfarë kërkoni saktësisht nga skuadra?
“Çfarë dua unë nga skuadra? Dua që të luajnë futboll të mirë. Duhet të luajmë në mënyrën braziliane, pra duhet ta dashurojmë futbollin. Nesër kundër Makabit e dimë se duhet të luamë me gjithë zemër dhe duhet të bëjmë gjithçka.
Ata janë të fortë, por ekipi im e di se ka besimin tim, sepse unë besoj shumë tek lojtarët e mi. Ne kemi një projekt të qartë, por ama këto dy javë kemi punuar vetëm për këto ndeshje.
Do të provojmë më pas edhe mënyra të ndryshme për t’u përgatitur. Por për nesër ne kemi shanset tona dhe do të tentojmë gjithçka”.
A ju shqetëson fakti që shumë lojtarë të rinj të Tiranës kërkohen në merkato?
“Flitet shumë për merkaton, por unë u kam kërkuar lojtarëve që të qëndrojnë këtu. Disa të rinjve zërat e merkatos nuk u bëjnë mirë.
Po ju marr si shembull Dokën, për të cilin flitet se mund të shkojë në ndonjë klub të madh… Janë lojtarë të rinj dhe unë shpresoj që të qëndrojnë me ne. Gjithsesi është klubi ai që mendon për të tashmen dhe për të ardhmen.
Në karrierën time kam parë shumë futbollistë të talentuar që kanë çuar dëm karrierën sepse kanë dashur të hedhin hapa të mëdhenj pa i studiuar mirë. Ndaj unë i kërkoj Dokës dhe të tjerëve që t’i marrin gjërat hap pas hapi dhe të qëndrojnë këtu”.
Çfarë lojtarësh ju duhen për Kategorinë e Dytë?
Çfarë duhet për të Kategorinë e Dytë? Klubi e di mirë se çfarë na duhet për të ardhmen dhe specifikisht për Kategorinë e Dytë.
Duhen lojtarë me eksperiencë, sepse shumë skuadra të vogla do të kërkojnë që ta mundin Tiranën pasi është ekipi më i madh.
Skuadra nuk është ende gati, megjithatë duhet të jemi të përqendruar fillimisht për këtë ndeshje, por për të ardhmen sigurisht që na duhen disa lojtarë. Gjithsesi më parë duhet të presim dhe më pas të flasim për merkaton.
Cili është opinioni juaj për dy blerjet e fundit?
“Sentamu? Jam i kënaqur për atë që bëri për ndeshjen e parë. Ndërsa për mbrojtësin brazilian, ai ende nuk ishte gati për ndeshjen e parë, por mund të jetë gati për nesër.
Çfarë po ndodh me Moisenë?
“Moise? Kush është ky? Aha… Nuk e njoh, sepse nuk e kam pasur asnjë ditë në ekip dhe nuk di çfarë të them”.
A rrezikon Daja largimin, sepse duket sikur nuk bën pjesë në planet tuaja?
“Të gjithë futbollistët janë të rëndësishëm për mua. Këtu përfshihet edhe Daja. Ai e di se çfarë mendoj unë për të ndaj nuk mendoj se ka ndonjë problem. Ka eksperiencën e duhur dhe ai na duhet. Për mua është i rëndësishëm”.
A keni menduar se çfarë do të ndodhë pas kësaj ndeshjeje?
“Nuk jemi përgatitur për pushime pas ndeshjes së nesërme. Jemi përgatitur për të vazhduar, megjithatë duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Sa shanse keni për nesër?
Po ua bëj unë një pyetje? Pse ju djem (gazetarët) nuk keni besim te kjo skuadër? Unë për vete kam shumë besim. E kam thënë edhe para një jave, por po ua them sërish po ju them se kur isha lojtar i Kombëtares me Brazilin na ka mundur Nigeria në vitin 1996.
Atëherë kishim lojtarë të mëdhenj si Aldair, Bebeto, Ronaldo, Ze Maria etj., por ja që humbëm… E respektoj shumë Makabin, por nuk e kam frikë”.
Çfarë na duhet për nesër?
“Na duhet edhe pak mbështetje nga media. Çfarë ka ndodhur në të kaluarën duhet ta lëmë pas krahëve. Futbollistët kanë nevoje për mbështetje në prag edhe të këtij sezoni të ri.
Duhet një bashkëpunim i gjerë mes stafit, klubit, tifozëve, por edhe mediave”.
Çfarë ju shqetëson në këtë moment?
“Vapa. Këtu është më tepër vapë se në Afrikë dhe nesër do të jetë më vapë se sa sot, por gjithsesi ne do të japim 200% që të mund të shpresojmë”.
