Kuksiani përfaqëson Anglinë, ndërsa kosovari fenomenal mahnit Gjermaninë dhe tërheq pas vetes të mëdhenjtë e kontinentit
Shqiptarët që veshin fanellën e Zvicrës nuk përbëjnë më lajm tani, pasi kombëtaret helvete të niveleve të ndryshëm, deri në skuadrën e madhe, janë të mbushura me lojtarë nga Kosova, të lindur ose jo në vendin e origjinës. Tani, edhe kombëtare me shumë më tepër peshë se ajo zvicerane, si Gjermani apo Anglia, janë destinacione të mundshëm për futbollistë shqiptarë, nga ata që konsiderohen si talente të vërtetë. Një prej tyre është Ismail Zeli, i lindur në Kukës dhe i rritur në Angli, që përfaqëson kombëtaren ishullore në nivel moshash. Djaloshi i lindur më 1993 është futbollist i Wolverhampton, por dje ka nënshkruar një kontratë huazimi me MK Dons, deri më 2 janar. Me Wolves, mesfushori ka zhvilluar vetëm një ndeshje, në Kupën e Ligës, ku skuadra e tij u dërrmua 0-6 nga Chelsea. Ish-drejtori i akademisë së Wolverhampton, Chris Evans, dikur ka deklaruar se Zeli do të bëhet futbollisti i parë në botë që do ta kalojë shifrën e 100 milionë sterlinave në merkato dhe pak javë më parë klubi rinovoi kontratën me djaloshin deri më 2015.
E ndërsa për Zelin parashikohet një shifër më e lartë se ajo që është paguar për Kristiano Ronaldon, në Gjermani është një tjetër djalosh shqiptar që mund të mos ketë çmim të tillë marramendës, por që ka tërhequr mbi vete interesimin e shumë klubeve të mëdhenj, e pikërisht Bajern, Arsenal, Liverpul, Juventus dhe Inter. Bëhet fjalë për sulmuesin 16-vjeçar të Shalkes, Donis Avdijaj, lojtar tepër i talentuar, i cili është i zoti të bëjë gjithçka në zonën kundërshtare. Cilësohet si prototip i sulmuesit modern, i fuqishëm, i ftohtë e i pamëshirshëm. Avdijaj është lindur në Osnabryk nga prindër kosovarë dhe me veprimet në fushë i ka bërë për vete të gjithë, trajnerë, vëzhgues e gazetarë. Përfaqëson Gjermaninë U-17 dhe ka shkëlqyer menjëherë në takimet kualifikuese për kampionatin evropian të moshës, finalet e të cilit zhvillohen vitin e ardhshëm në Sllovaki. Në pesë ndeshje, Avdijaj ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë pesë asist. Shifrat janë mbresëlënëse edhe me skuadrën e klubit. Me të rinjtë e Shalkes, kosovari ka shënuar 21 gola në 11 ndeshje, ndërkohë që ka dhënë edhe tetë asist. Duke parë interesimin e madh rreth tij, djaloshi nuk ka nënshkruar ende kontratë profesioniste me Shalken dhe klubi gjerman pothuajse e ka të sigurt se nuk do të arrijë ta mbajë edhe për shumë kohë Avdijajn. E ardhmja e Avdijajt parashikohet e madhe, ashtu si dhe keqardhja që një lojtar i tillë mbron ngjyra të ndryshme nga ato kuqezi, ashtu si dhe talenti tjetër në Angli.