ZEMËRIMI I BALLANIT – Një tregim mbi ikjen, kthimin në shtëpi dhe lirinë

redaktor

 

Nata e fundit m’u duk tepër e gjatë. Prisja me padurim të gdhihej. Ndodhesha në një qeli në fshatin Konicë të Greqisë. Si shumë emigrantë edhe unë isha ndaluar për mungesë dokumentash.

Dëgjova llozin e derës që u hap. Roja hyri dhe më tha se isha i lirë. U ngrita. Këmbët s’më mbanin. Ndihesha I këputur dhe ecja si në tym. Dola jashtë, mora frymë thellë dhe mallkova ditën që kisha shkelur në atë vend.

Pas ca orësh rrugë, hyra në tokën e vendit tim. Dëbora kish nisur të binte e dendur. Që nga malet deri në rrugën automobilistike, duhej të ecja goxha. Pranë një kodre, pashë një stan. Aty pranë, një bari kulloste kopenë e tij me dhi. Qeni i tij m’u sul dhe nisi të lehë. I zoti më qetësoi. Më tha të mos kisha frikë, se ai s’kafshonte.

Bëmë një copë muhabet, i qava hallin miqësisht. I thashë se kisha kaluar matanë për të kërkuar punë, por ushtarët më kapën e më rrasën në qeli. Tani, po nxitoja të kthehesha në shtëpi.

– Nuk ke ku vete, nata po bie, më tha ai. Do rrish këtu, nesër shohim e bëjmë.

Qe zemër njeriu, më priti shumë mirë. U shtriva dhe u përpoqa të fle por gjumi s’më zinte. Për më tepër, mbi gunën që kisha hedhur mbi vete, erdhi e u shtri një qen i vogël. Më lëpinte duart, fuste turinjtë në gjoksin tim. Loza me të dhe e ledhatova.

Të nesërmen, koha u hap dhe u nisa. Qeni i vogël m’u qep pas dhe s’më ndahej. Kuiste lehtë dhe kërcente përreth këmbëve të mia. E mora në duar dhe e përkëdhela. Ktheu në stan, I fola. Por ai s’më dëgjonte. Vazhdoi të më ndiqte nga pas. Atëherë u ktheva nga rruga, e cova tek i zoti I stanit.

– Pse erdhe prapë, më pyeti bariu.

– Solla qenin, i thashë, më ndoqi pas dhe nuk më ndahej.

– Po deshe merre, ta kam falur ma ktheu ai. Pastaj më pa në sy dhe shtoi: Mbrëmë pashë se i kishe hyrë në zemër e s’të ndahej. Prandaj merre, ta kam falur, është i joti. Dhe dëgjo, ushqeje mirë se është racë besnike, do bëhet qen i fortë.

E falenderova. Si e ka emrin, e pyeta. Gjeje vetë ma ktheu ai. Qeshi, ma shtrëngoi përsëri dorën dhe më uroi edhe një herë udhë të mbarë.

Eca gjithë ditën me torbën në krahë dhe qenin në duar. Vonë, mbërrita në fshat. Kish rënë nata. Kur iu afrova shtëpive të para, fqinjët më njohën dhe që nga larg dikush thirri me qesendi: Hajde, hajde Mitat trimi, po ç’tu desh ty emigrimi. E njoha nga zëri, ishte Safai, çobani i fshatit.

Erdhi dhe duke më hedhur dorën në qafë më tha: U ktheve Mitat? Mos u mërzit, kështu e ka kjo punë. Mirë që u ktheve shëndoshë e mirë. Dhe si gjithmonë, hokatar i njohur, më pyeti duke bërë shaka: Hë more Mitat, thuamë, po emrin a e ndryshove andej? I thashë se atë gjë nuk do ta bëja kurrë në jetë.

U afrova pranë oborrit të shtëpisë. M’u duk sikur kisha një shekull që se kisha prekur portën me dorë. Dritaret ndriçonin nga drita. Askush se dinte që isha kthyer e për pak do isha mes tyre.

– Ah, s’ka si shtëpia jote, thashë me vete. Shpirtin ma pushtoi një ndjenjë ngazëllimi. Hyra brenda dhe u përqafova me mall me të gjithë. Nga gëzimi, nëna ngashërente dhe fshinte lotët me cepin e shamisë. Ajo natë kaloi plot gëzim. U mblodh tërë farefisi dhe e gdhimë të çmallur…

Që nga ajo natë e paharruar kaluan pesë vjet. As që mendoja të merrja përsëri udhën e kurbetit. Kisha ngritur një tufë me bagëti, punoja tokën time dhe jetoja. Qeni që më kish falur çobani i stanit buzë kufirit ishte rritur goxha. Emrin ia kisha vënë Ballan. Kish hedhur trup të madh, qe bërë i bukur, besnik, vigjilent, kështu që edhe bagëtinë e kisha siguruar për bukuri. Natën e zgjidhja dhe ai më hidhte putrat në gjoks, sikur donte të më përqafonte. Gëzonte, i vinte shtëpisë vërdallë, lehtë lodronte.

Një mbrëmje shkova me familjen në një gëzim. Nuk e di pse, por atë natë Ballanin e mbajta lidhur. Nuk e zgjidha. Hungëriu duke treguar dhëmbët. Siç dukej, kjo gjë s’i pëlqeu hiç. Kur u ktheva dhe e zgjidha më pa gjithë inat, mori forcë, m’u hodh sipër dhe më shtyu me putrat e tij të fuqishme. U rrëzova dhe s’po ngrihesha dot. Kur më pa ashtu, shtrirë, Ballani u largua i heshtur.

Unë mezi u ngrita. Ndjeva dhimbje në shpatull. E kontrollova me dorë dhe kuptova, krahu më kish dalë nga vendi. Eh, thashë me vete, po pse ma bëre këtë punë o Ballan?

Për një javë të tërë Ballani iku dhe s’u duk në shtëpi. U bëra merak, rrija dhe mendoja. Po si vallë ia bënte për të ngrënë? Isha vërtet i shqetësuar, por edhe i sigurtë se Ballani nuk bënte dëme në stane të tjerë. Do kish zënë strehë në pyll e atje bënte si bënte. Sidoqoftë, duhej ta kërkoja. S’mund ta lija të endej si egërsirë.

Sa mora udhën drejt pyllit, pranë një përroi pashë një çakall të ngordhur. U afrova afër tij. Të katërta këmbët I kishte të thyera. Ky është marifeti I Ballanit, thashë me vete. Sepse, ndodhte që çakejtë afroheshin afër shtëpisë, por Ballani dinte si të vepronte. I mbërthente dhe u thyente këmbët. Siç dukej, natën, ai vazhdonte të vinte përreth shtëpisë e na ruante bagëtinë. Dhe ishte atje që kishte mbytur dhe çakallin…

Pas shtatë ditësh arratie Ballani u kthye në shtëpi. E pashë fare rastësisht. Ishte jashtë portës, ulur poshtë një mëni. Iu afrova heshtaz. U ndala para tij por nuk i fola, edhe pse isha i gëzuar që po e shihja. Edhe ai bëri të njëjtën gjë. S’luajti fare nga vendi, vetëm më pa drejt e në sy dhe uli kokën. Ndenja pak e pastaj, pa thënë gjysëm fjale, e lashë dhe hyra brenda. U ula në verandë dhe i thashë gruas se Ballani qe kthyer. Ajo u gëzua dhe i thirri me zë të lartë: hajde, hajde në shtëpi, Ballan.

Por qeni nuk lëvizi nga vendi, vazhdonte të rrinte ulur në bisht, nën hijen e mënit. Foli ti, më tha gruaja, mos mbaj mëri, foli të vijë…

U ngrita dhe i lëshova një fërshëllimë të fortë, ashtu siç bëja kur kullosja bagëtitë, Ballani levizi, tundi bishtin dhe u lëshua me vrap drejt derës së shtëpisë. Hyri në oborr dhe iu afrua kolibes së tij. U ul aty, hapi gojën, lëshoi gjuhën dhe nisi të marrë frymë thellë. Lehu dy tre herë dhe pastaj lëshoi një klithmë.

Fëmijët e dëgjuan dhe dolën me vrap në verandë. Ballan, Ballan, thirrën ata dhe zbritën poshtë drejt kolibes së tij. Qeshnin e rendnin të gëzuar. Por, Ballani, ndryshe nga herët e tjera, nuk lëvizi nga vendi. Thirrjet e fëmijëve si bënë as përshtypjen më të vogël, vazhdonte të rrinte i mërzitur.

Ah, Ballan, Ballan, të njoh mirë unë ty, thashë me vete, zemërimin e ke me mua. Ti do që të zbres unë aty poshtë. Të vijë e të të ledhatojë me dorën time… Atëherë vendosa, zbrita poshtë, iu afrova dhe i ledhatova kokën, veshët, qafën. I fola me dhembshuri, i thashe fjalë të ngrohta.

Sa ndjeu dorën time mbi kokë, lëvizi, kërceu përpjetë, më lëpiu në duar e fytyrë e pastaj, ia dha vrapit përreth shtëpisë. Fëmijët e ndoqën pas, duke lozur me të.

Atë mëngjes, duke pirë kafen mendoja: Eh, si është kjo punë! Dhe kafshët janë si njeriu. Ja, Ballani, u zemërua dhe provoi të ikte nga foleja e tij. Për fajin tim dhe jo të tij, se e mbajta lidhur. Iku e morri hak, thjesht ngaqë nuk e zgjidha nga zinxhiri. Sa e shtrenjtë është liria! Dhe sa mirë është të jesh në shtëpinë tënde, në vendin tënd…

 

——

Botuar në DITA në rubrikën Letër Kryeredaktorit. Autori është lexuesi Brahim Omeri, Vlorë
0694313909

Share This Article
11 Comments
  • Se ku e kam lexuar nje tregim per nje qen me emrin Ballan shume vite te shkuar.Nje shkrimtar nga Fushe-Bardha me duket,..

  • Ah,sikur te ishte edhe qeveria jone kaq besnike ndaj popullit qe e votoi,sa mire do te ishte!
    Por qellove ti Brahim i mire,i ndershem,njerezor,qe Ballani te qendroi besnik,por po te kishte pronar Ramen ,me siguri do kishte ikur qe naten e pare nga ai!
    A nuk ikin shqiptarewt nga Shqiperia neper bote,per te mos u kthyer kurre nga ky vend qe eshte pushtuar nga jeniceret e pushtuesit Rama?

  • Tregim i thjeshte dhe i bukur! Ndoshta donte pak me teper emocione aty nga fundi, qe te behej edhe me terheqes.

  • Tregimi Ballan Ballan,eshte shkruar nga shkrimtari Hyjni Ceka Eshte botuar ne permbledhjen me tregime:Horizonte te Elektrifikuara,Shtepia botuese Naim Frasheri 1969.

    • Një hajduteri brilante.
      Shkruaj nje paragraf , vidh gjithë tregimin, vendose ne kohen qe po jetojmë dhe korr duartrokitje të pamerituara.
      A ka ligj të të drejtës së autorit (copyright) në Shqipëri që ta padise dhe të marrë një ditë të mirë parash nga këta hajdutë më shkolle por të paskrupullt?
      Demaskoni pa mëshirë njerëz të tille më 200 artikuj ne te gjitha faqet e shtypit që të mos guxojë më kush të vjedhi krijimtarinë e tjetrit.

  • O Brahim Omeri! Te dhjefsha tregimin ! E paske vjedhur o mavri?
    Une e di qe Labt vjedhin bagetite,nuk vjedhin qente.
    Ti paske vjedhur Stanin me gjithe qen.

    • I madh je Lato!
      Duket qe e njeh mire historine e leberve.
      “ Po nuk vodhe , nuk je burre!”
      Kjo ka qene motoja e tyre brez pas brezi ne edukimin e te rinjve .
      Megjithate Jane te mire, nuk ke ci thua.

  • Redaksi e nderuar!Nuk e more vesh se ky Brahimi e paska vjedhur tregimin?
    Pak me lart z.LEON te ka dhene adresen e ORIGJINALIT.
    Nuk eshte veshtire ta gjesh ne Biblioteke origjinalin dhe ta botosh krahas PLAGJATURES.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *