Hair Zeqiri largohet nga Flamurtari. Lajmi është bërë publik nga klubit vlonjat që ka zyrtarizuar kështu largimin e njërit prej shtyllave të skuadrës. Sipas njoftimit zyrtar të klubit kuqezi, Zeqiri është larguar për arsye personale nga Flamurtari dhe se divorci është arritur me konsensus mes palëve. Ka qenë vetë lojtari ai që ka kërkuar këtë ndarje, ndërkohë që nuk bëhet i ditur destinacioni i tij, edhe pse kanë nisur të qarkullojnë shumë emra klubesh. Gjithsesi, klubi i Flamurtarit i ka uruar suksese mesfushorit të talentuar, duke mos i paraqitur asnjë pengesë në karrierën e tij.
“Sot (dje) lojtari i Flamurtarit, Hair Zeqiri, ka kërkuar të largohet për arsye personale. Klubi e vlerëson jashtëzakonisht kontributin e futbollistit ndër vite dhe e konsideron një investim të rëndësishëm, por për këtë arsye ka vendosur të mos e pengojë në karrierën e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit vlonjat.
Më tej, Flamurtari saktëson se boshllëku i krijuar nga largimi i Zeqirit do të plotësohet me afrimin e një lojtari po aq cilësor.
“Flamurtari i ofron suksese futbollistit Hair Zeqiri, duke garantuar se do të zëvendësohet më së miri. Çdo futbollist që nuk dëshiron të vazhdojë të japë kontributin e vet për Flamurtarin, nuk do të pengohet të shkojë kudo që të dëshirojë. Flamurtari kërkon lojtarë të përkushtuar 100% për ngjyrat e klubit dhe profesionistë, për të krijuar një të ardhme të shkëlqyer për klubin, që synon te futet në shinat e profesionalizmit si gjithë Europa”, përfundon deklarata zyrtare e klubit të Flamurtarit.
Reagimi i Zeqirit
Ndërkaq, edhe vetë protagonisti ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” ku ka shpjeguar se divorci me Flamurtarin ka ardhur për arsye personale. “Për arsye personale dhe familjare më duhet të largohem nga Vlora dhe sinqerisht më vjen shumë keq..! Më besoni që kam dashur të vazhdoj karrierën time jashtë vendit gjithmonë, dhe Flamurtari të ishte ekipi im i vetëm ku do t’i përkiste mendja dhe zemra brenda vendit… Por ja që ndodh dhe kështu”, shkruan Zeqiri i cili nënkupton se skuadra e tij e ardhshme do të jetë e kampionatit shqiptar. “Ju falënderoj me sinqeritetin më të lartë për gjithçka keni bërë për mua dhe për ekipin dhe një ditë të vesh përsëri fanellën kuqezi që të gjithë e dashurojmë…! Falënderoj drejtuesit për mirëkuptimin dhe suksese Flamurtarit tim!”, përfundon mesazhi i vlonjatit Hair Zeqiri.