Shënime mbi vëllimin “Mrekullia e Tetë” të poetit dhe përkthyesit Met Gjergji
Mihal Gjergji
Poeti Met Gjergji. Një Krisht i braktisur nga njerëzit pa gjak dhe pa Zot. Një dhimbje që ulërin. Me kë të flasë ai? Të gjithë nxitojnë të largohen nga ky vend, si t’i shpëtojnë një epidemie vrastare. Në kryqëzime kohërash të vështira, sa shumë ngjarje lidhen me këtë emër. Filloi të ngjit lartësinë e Golgotës qysh në fëmijëri. Kush i paracakton këto fate të hidhura, për të jetuar vetëm stinën e dimrit? Vetëm atë!
Ishte shtatë vjeç kur filloi kalvari i frikshëm i mundimeve pa fund, i cili do memorizohej në kujtesën e artistit të ardhshëm. Po nga erdhi ky njeri, pjellë e një fati të mbarsur me shtrëngatë? Ua thotë vetë poeti teksa bashkëbisedon me statujat në qytetin bregdetar të Durrësit: “I zbritur nga Kurveleshi/ me hapa foshnje ngadalë/ Ti me dhembshuri më zhveshe/ dhe më vërtite mbi valë”.
Duke lexuar poetin të krijohet ndjesia sikur zërat vijnë nga Atlantida e përmbytur qyshkur. E vdekur e djeshmja, e pashpresë e sotmja. Sa shumë brenga. Brenda vargjeve flasin shpirtrat e mbytur nga dëshpërimi. Janë zëra njerëzorë. Poeti i këndon dheut të tij, shqiptarëve të tij, historisë plot bëma e gjëma.
Po a ka forcë arti për të ndryshuar botën? Shpirti i një populli flet me zërat e poetëve, prandaj Meti ngulmon të shërojë me magjinë e fjalës. Këtë rrëfen në bashkëbisedimin e tij me gjyshen e thinjur nga pesha e viteve dhe barra e halleve mbi shpinë: “- Ç’do t’u bësh me poezi/ Popujve me halle shumë?”/ “- Do t’u ngrej në shpirt stuhi/ Ose do t’i vë në gjumë”.
Gjergjajt! Dikur, drejtues të një principate të fuqishme ushtarake dhe kulturore, tashmë ka mbetur vetëm emri, si një tabelë që vërtitet nga era në hyrje të një qyteze të braktisur. Mbas rrënimit mbetën të shpërndarë në gjithë trojet e Ilirisë dhe përtej saj; në Kroaci, Bosnjë, Maqedoni, Itali, në Mbretërinë e Habsburgëve, gjithandej. Histori e artit është edhe vetë historia e krijuesve, pakashumë. E për të njohur brendinë e poetit duhet të ndjekim hapat e tij në rrugëtimin që ka bërë, aktet e dramave që e kanë shoqëruar. Le të mos shkojmë shumë larg, të ndalojmë në vitet 1914-1940.
Jazo Gjergji, babai i Metit, provoi kurbetin e largët në moshën 17 vjeçare. U vendos në Amerikë, në Montevideo. Punonte dhe shkollohej për drejtësi. Mori licencën e avokatit dhe u martua me një vendase. Pruri në jetë edhe tre fëmijë, të tre djem. I pari ishte Metson, emër që më vonë do ta trashëgonte edhe poeti. Mirëpo, i mbetur peng i traditës, në kushtet që merr një letër nga vendlindja, vendos të kthehet. Mori përsipër të kujdesej përkohësisht për dajon e tij, vëllain e nënës të mbetur pa njeri. Mes ngashërimeve u mundua gruaja e tij ta pengonte, por më kot. –Mos ik Jazo, se lumi që kapërceve do të mbyt nëse e kalon përsëri. Mos më lër të vetme me fëmijët… -Do kthehem i betohej Jazua, a nuk ika më parë dhe u ktheva prapë? Mirëpo Jazua nuk mund ta shikonte engjëllin e vdekjes që përgjonte pas shpine.
Ishte viti 1937. Dashuria për njerëzit e gjakut ishte më e fuqishme. Kishte edhe mall të shikonte vendet ku kishte punuar e luftuar. Kishte luftuar me Çerçiz Topullin, krah përkrah, madje ishte dënuar në mungesë nga malazeztë. Më vonë qëndroi në ballin e frontit të rezistencës kundër grekut, në vitin 1914, atëherë kur i gjithë Kurveleshi do shkrumbohej nga urët e zjarrit të korofillakëve. Ndërsa viti 1920 e gjeti Jazon në brigjet e Vlorës, mes luftëtarëve që hodhën në det pushtuesit italianë. Shqiptarët, përherë të përgjakur.
Ç’është ky mallkim që na qëndron mbi krye? Kjo do t’i kushtonte shumë Jazos, këtij burri sypatrembur, sepse në luftën italo-greke, në vitin 1940 u arrestua nga italianët. E burgosën në ishullin Ventotene (pritës i erërave) për tre vite 1940-1943. Në fundin e vitit 1943 u kthye në vendlindje. Poeti kujton me dhimbje ditët e fundit me babain e tij.
“…Ishte maji i vitit 1944. Jetonim në Delvinë. Ishte errësuar. Trokiti porta e shtëpisë. Nëna nxitoi ta hapte. Ulu, i tha Jazua, nata është për burrat, dhe hapi derën. U uroi mirëseardhjen dy burrave të armatosur, me kapelet me yll mbi krye. Ishin Mustafa Matohiti dhe Bedri Spahiu. Pinë kafen dhe bashkëbiseduan me babain. I kërkuan t’i ndihmonte, sepse kishte influencë, i dëgjohej fjala dhe i shkonin shumë burra mbrapa. Debatuan ashpër, mirëpo babai i kundërshtoi. –Unë vij nga Amerika, e njoh mirë punën dhe pronën, komunizmi s’më pëlqen…
Këto ishin fjalët me të cilat i përcolli babai mysafirët. Dhe këto fjalë ata i mbajtën vëth në vesh. Edhe pse babai kishte ndihmuar e shpëtuar disa partizanë, për shkak të njohjeve të shumta që kishte, drejtuesit e tyre vendosën ta pushkatojnë në Delvinë. Ishte gushti i vitit 1945. Breshërinë e plumbave e priti i lidhur me pranga mes dy shehlerëve. Në dorë të Zotit, le të themi, për të ngushëlluar veten…”.
Kjo histori e trishtë ka ngjyrosur kujtesën e poetit. Ai s’mundi ta gjente varrin e babait, t’i vendoste një tufë lule, të derdhte burbuqet e lotëve mbi eshtrat e tij, si atëherë, në fëmijëri që i mungonte aq shumë. “E gërmova Shqipërinë/ Mos gjeja eshtrat e tua/ Rrëmova prozhme e brinjë/ E s’lashë kodër dhe përrua”.
Njeriu dhe artisti jetojnë bashkë. Ndodh, që shumë gjëra kërkojmë t’i harrojmë, sepse plagët që dhëmbin s’duhen ngacmuar. E përsëri rendim në kërkim të një varri të humbur, të një nëne të munguar, sepse dhembshuria e saj është e pakrahasueshme, të motrave mbetur larg, por, çuditërisht edhe pa sy e pa gojë, të nipërve e mbesave me emra të ndryshuar, marrin dhimbjen e të tjerëve dhe e ngarkojmë brenda shpirtit. Plagët e Atdheut janë edhe tonat.
Ky është poeti. Fjala e tij, tempulli i vetëm i bindjes. Dhe poeti fillon ligjërimin për djepin e tij, mandej vazhdon rrugëtimin e gjatë. “Ku shkoi Samiu?/ Ku shkoi Tafili/ Jazo Gjergji, i ziu/ Muhua dhe Demiri?” Janë njerëzit e gjakut të tij. Kush i kujton vallë? “Veç motra Shaniko/ I vajton me ligje/ Kur shkonte në gryka/ Për të prerë hilqe” .
Vonë, shumë vonë filloi publikimi i librave të këtij autori, sepse fjala e lirë ishte e ndaluar, ndërsa vargjet, të varrosura në burgun e fjalës. Këtë pohim tronditës e përcjell poeti te lexuesit e tij të shumtë: “Vargje-shkruarit nën plumba/ Strofa-gdhendurat nën predha/ Çuditem si nuk ju humba/ Habitem si nuk ju derdha”.
Poeti është qytetar, madje model qytetarie. Këtë e reflekton vargu dhe fjala e tij plot elegancë, problematika që trajton, mesazhet që përcjell, fuqia e mendimit të ushqyer pa ndërprerë, për të mbërrritur pastaj te lexuesi.
Thuajse në gjithë krijimtarinë e tij; te libri “Kur maji zbret përmbi atdhe”, te “Zhvarrosja e këngëve”, “Afrikë, dertet e mia”, “Kur shqiptarët”, “Krenari e nëpërkëmbur” sikurse në publikime të tjera të shumta, unë shikoj emancipimin e mendimit njerëzor, parashoh atë që pritet të ndodhë, ndjej largësinë ku mbërrijnë poetët, këta bohemë apo “dashnorë të pa dashuruar “,-sikurse shkruante Kuazimodo.
Të njëjtën gjë reflekton edhe libri i radhës” “Mrekullia e tetë”. Bëhet fjalë për gruan shqiptare. Tepër i kujdesshëm dhe shumë sqimatar guxon të trajtojë një nga kategoritë më të rëndësishme shoqërore, por edhe të nëpërkëmbur e të pavlerësuar.
Është një kumt drejtuar femrës shqiptare, mbase dhe një merak i pashpallur më parë i autorit; për nënën, motrat, bashkëshorten apo vajzën. Mbase. Por gjithsesi, unë ndaj të njëjtin gjykim me autorin, ato janë mrekullia e tetë. Sepse zoti s’mund të jetë i pranishëm kudo, prandaj i dërgoi mes nesh.

Cfar te them me keto qe po lexoj dhe mesoj duhet te behesha 35 vjec dhe te mesoj nje histori te ‘re per trungun e prejardhjes te mbiemrit Tim tashme nuk do se nga kam origjinen.