Intervistoi Xhevdet Shehu
Atmosfera liberale në dhjetorin e vitit 1972 në Tiranë dhe çfarë ndodhi në ditët e Festivalit të 11-të. Interpretimet e Vaçe Zelës, Tonin Tërshanës, Lindita Sotës, Gaspër Çurçisë dhe Dorian Ninit që ndezën skënën e Teatrit të Operas dhe ankthi që ndihej. Çfarë fshihej pas atij liberalizmi të skajshëm dhe të befasishëm. Marrëdhëniet në ekipin drejtues të Radiotelevizionit dhe një bisedë e panjohur me Nefo Myftiun, gruan e anëtarit të Byrosë Politike Manush Myftiu. Çfarë ishte në thelb ky Festival? Të gjitha këto në këtë pjesë të tretë të intervistës me Sadik Bejkon, në atë kohë redaktor letrar i festivalit…
Sadik, kemi hyrë tashmë me bisedën tonë në ditët e Festivalit. Mund të na tregosh ndonjë detaj të atyre ditëve?
Doemos. E nisëm këtë bisedë dhe do ta bitisim. Do të tregoj gjithçka mbaj mend dhe di nga ato ditë. Jo vetëm se festivalet e këngës ishin ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit, por ai i 11-ti ishte ndryshe, ndaj dhe ka më shumë kureshti. Kështu, pra, në Radio kur bëheshin Festivale krijohej një mjedis, hiq rrëmujën, shumë frymëzues. Si në dasmë, i zoti i shtëpisë nuk e shijon fort gëzimin, se ka dhe ankthin e përgjegjësinë e asaj si do të dalë, ç’do të thonë, sa do të kënaqen pjesëmarrësit, të ftuarit etj. Festivali kaloi fjollë drejt provës së përgjithshme, kur erdhën njerëz nga KQ dhe u dha viza për të dalë në skenë. Kishte një rregull që redaksia ishte deri këtu, deri te përgatitja. Më tej, me Festivalin merreshin shefat e mëdhenj. Ishte ngjarja më e rëndësishme muzikore e vitit. Do të jepte veç të tjerash dhe modelin se si do të zhvillohej më tej jeta krijuese në gjithë rrethet e Shqipërisë. Estradat, ansamblet e ndërmarrjeve, muzika që do të luhej në festa zyrtare, por edhe në dasma, pothuaj gjithë e ardhmja për artin skenik dhe jo vetëm për atë varej nga se si zgjidhej shija e interpretimi, tematika dhe performanca e këtij Festivali. Po të kalonte klasën ky festival, atëherë rruga ishte e hapur për ndryshime. Në ato ditë, si nën zë erdhi dhe lajmi që në Kosovë, grupi VOX, me Ali Podrimen, Rexhep Smajlin, Ibrahim Rugovën etj., kishin botuar një manifest “Vox clamantis in deserto”, zë në shkretëtirë, ku shpreheshin hapur kundër realizmit socialist. Këtu ishte synimi i nëndheshëm i artistëve që shihnin nga dritarja se mos hynte era e lirisë: jo partishmëri, jo hero pozitiv, jo art në shërbim të propagandës… Këto në Shqipëri nuk mund t’i shprehje hapur, por manifesti nga Kosova nëpërmjet botimit në shtypin e atjeshëm, ishte lexuar në Tiranë.
Me sa më kujtohet, pjesëmarrja e spektatorëve në ditët e Festivalit ishte selektive, përveç ftesave, apo jo?
Po, ashtu ishte. Në ditët e Festivalit kishte pak shitje biletash, se ishin shpërndarë ftesa. Ata që vinin ndjeheshin të privilegjuar. Si në çdo ngjarje ekstra, shfaqje mondane, ngjarje në prag të Vitit të Ri, kishte veshje të zgjedhura, parfume, solemnitet, emocion. Në hollin e Teatrit të Operas, skenë në të cilën u zhvillua festivali, në një faqe muri ishin afishuar fotot e gjithë pjesëmarrësve. Nën titullin e përbashkët “Tinguj, vargje dhe ngjyra nga Festivali i 11-të” kishte fotografi të këngëtarëve, kompozitorëve, poetëve, dhe gjithë ekipit që bëri festivalin. Kjo u bë për herë të parë. Për rreth 18 këngë nga 24 gjithsej, ishin përgatitur nga një fletë palosje ku paraqitej teksti dhe muzika. Ato u jepeshin spektatorëve në natën e parë. Një seri të tillë me 18 këngë e tekste të Festivalit të 11-të e kishte ruajtur kompozitori Tish Daija dhe mbas gati 40 vjetësh ia dorëzoi në Arkivin e Shtetit.
Si kaloi nata e parë e Festivalit?
Në natën e parë pritja qe e ngrohtë. Dhe nuk pati ngjarje. Nuk mbaj mend kush ishte lart në Lozhën e autoriteteve. Mbaj mend që këngëtari Tonin Tërshana u prit shumë mirë me këngën “Erdh pranvera”, teksti i Fatos Arapit. Në fjalët e kësaj kënge thuhet se kishte çelur bajamja, ishte hapur drita e qiellit, por vetëm kur vjen vajza, kur vjen aroma e buzëve… atëherë, po “e besova, kishte ardhur pranvera”… Kishte një nëntekst të fortë kjo poezi. Simbolika e pranverës ishte vetëm politike, pranvera në këngë duhet të ishte vetëm socializmi, komunizmi. Kënga thoshte që vetëm prej shijes së intimitetit dashuror,… nëpër buzët e tua, nëpër supet e tua… vjen pranvera.
Gaspër Çurcia ishte shumë simpatik me orkestrën e tij frymore. Ai gjithmonë kishte qenë tmerri i drejtorëve. “Ule, ule, Gaspër trombën”, i thoshin! Një ngritje në delir e trombës së Gasprit nën interpretimin e tij virtuoz, mund të fluturonte nga kolltuku i drejtorit, ta hiqte nga puna, edhe më të mirin e burrave. Gaspri ishte i lindur për të qenë aranzhues, drejtues orkestrash dhe instrumentist i muzikës xhaz. Këtë herë ai kishte marrë këngën e Çesk Zadesë, të kompozitorit më të shquar shqiptar edhe sot e gjithë ditën. Gaspri e kishte orkestruar dhe kishte futur një solo me saksofon që u luajt nga Osman Mula. Këngën e këndoi i ndjeri Dorian Nini. Dihet se më pas pati aq vërejtje dhe aq pasoja të hidhura për këta tre artistë, veçanërisht për Dorianin dhe Gasprin.
Vaçe Zela këndonte një këngë të bukur ritmike të Tish Dajisë “Natën Vonë”, një këngë edhe sot e lakmuar për këngëtarët. Nuk mund të lë pa përmendur se jeta ishte shpenguar. Këngëtaret, koristet kishin adhuruesit e tyre. Që gjatë përgatitjeve të festivalit Radioja u rrethua nga djem të rinj e vajza të reja. Sa mbaronin provat që ndonjëherë zgjatnin dhe natën vonë, adhuruesit e lumtur u shkonin krahun të dashurave të tyre dhe humbnin nëpër rrugët e Tiranës. Ishte liberalizuar, pra dhe marrëdhënia intime midis çifteve. Në ngricat e mëpastajme për shfaqje të tilla “të huaja” mund të haje ndonjë transferim në ndonjë fermë.
Këngëtarja bukuroshe Lindita Sota (Theodhori) këndonte këngën e Agim Krajkës me tekst të Agim Shehut. Ishte si gjithmonë një sukses i ri për Krajkën, kompozitorin më të ndjekur nga rinia në ato vite. Interpretimi, sharmi dhe sensualiteti i Linditës, në kulmin e vajzërisë e të bukurisë së saj, shoqërimi me “pa-rum-pa, me “ua ua” etj, ishin aq të bukura sa ç’u quajtën më pas edhe shumë-shumë skandaloze. Teksti veçanërisht ishte haptazi goditës. Vajzat shkojnë në kafe “Flora” kafe e mbushur plot me burra, siç janë edhe sot. Në këngë thuhet se xhaxhot konservatorë e shohin shtrembër ardhjen e vajzave në kafe:
“Pa shiko me sy tërthor,
Më sheh një konservator”
Ky tekst, pra, mund ta zbulonte si të thuash hapur mesazhin e ditës: të liberalizohemi.
U ndala në këto këngë, duke shprehur veç pak nga mbresat e mia të pashlyera edhe pas dyzet e ca vjetësh. Po me gjithë këto “ekzagjerime” për shijen e atëhershme, festivali u mbyll në një atmosferë shumë festive, rrezatoi energji, gëzim dhe shijen e së bukurës, të së ndaluarës… Gjithsesi një ndjenjë ankthi vërtitej në ajër… Molla e ndaluar… shijon kur kafshohet, por të mbetet në fyt.
Pra ju po e shijonit skajshëm liberalizmin me porosi nga lart?
Po të jap një tablo të Tiranës në atë kohë dhe të mjedisit artistik kryeqytetas. Këngëtaret më me emër të festivalit, ato më me emër në të gjithë vendin, më të njohurat ndër to do të uleshin në stola, do të pinin cigare dhe do t’i zbulonin shpërfillshëm këmbët deri fare lart. Nga ballkonet e të tri kateve, lartuar e mbyllur në të katër anët, si në lozha teatri, sy burrash do të lëbyreshin, do të ngjiteshin mbi këmbët e tyre. Atëherë nuk kishe rast të shihje gra të shfaqura kaq lirshëm në sytë e të tjerëve. Këtyre këngëtareve të quajtura të mëdha në atë vit u lejohej një sakrilegj i tillë: ekspozimi lakuriq i këmbëve në publik. Ishin vite të liberalizmit. Femrat po mbanin maksifunde e minifunde. Djemtë i kishin zgjatur favoritet, flokët u binin mbi jakat e xhaketave deri mbi shpatulla, pantallonat kauboj vinin e zgjeroheshin gjysmë metër kur binin mbi këpucë. Modeli i veshjes së të rinjve kopjohej nga RAI dhe hidhej në bulevardin e madh të Tiranës, ku çdo mbrëmje bëhej xhiroja e madhe, mbushej me ata që ndiqnin modën dhe me të tjerë që ua kishte ënda të shijonin jetën e kryeqytetit. Dalldia për të jetuar, për t’ia ndier lezetin jetës, hera-herës e pushtonte keqas këtë kryeqytetin tonë. Ajo dilte si nga dheu, shpërfaqej sheshit, lodronte e lazdronte dhe, në vartësi të klimës politike, fare lehtë fashitej prapë, gati si të mos të kishte ekzistuar fare, duke i lënë rrugët e mjediset në një boshllëk topitës. Ndërsa vajzat e reja argaliseshin duke kënduar me zë të ulët këngën e Lindita Sotës: Mos më shih baba ashtu, / unë jam vajzë që vij nga ju…
Pra suksesi ishte i jashtëzakonshëm?
Di të them se po merrnim përgëzime pafund, takonim fytyra të ndezura nga emocionet. Ishim pak marramendës nga që gjërat po shkonin mirë. Te shefat e mi nuk shihja asgjë të pazakontë. Nuk pati tjetër edhe prej tyre, veç përgëzime. Unë kisha dhe një arsye timen për të qenë në qiellin e shtatë. E fejuara ime, mësuese në Gjirokastër, erdhi për të ndjekur Festivalin. Nëna e saj u tha atyre në Gjirokastër se e bija është e sëmurë, kur… kameramanët, miq të mi, na kishin marrë me një stop-kamera dhe kishim mbushur ekranet e televizorit në gjithë vendin. Festivali transmetohej drejtpërsëdrejti dhe kishte numrin më të madh të shikuesve. Edhe ata që nuk kishin aparat televizori, shkonin te fqinjët. Në ato javë kisha botuar dhe një libër me poezi, “Rrënjët”. Kështu, që mund të them se ai vit për mua po mbyllej si jo më mirë.
Po marrëdhëniet brenda RTSH-së si ishin? Më ke folur, Sadik vazhdimisht me simpati për Nefo Myftiun, drejtoren e radios, që ishte gruaja e Manush Myftiut, një anëtari të Byrosë Politike…
Po, kjo është vërtetë dhe është një moment që dua të theksoj. Pata një fërkim me tre të ardhurit e rinj, sidomos me poetin që erdhi nga Zëri i Popullit dhe shkova të marr takim me drejtoren e radios së brendshme, Nefo Myftiun. Fillimisht, dua të them se ajo ishte një grua gjirokastrite, me origjinë nga një familje tregtarësh që ishin goditur e shpronësuar. Kishte qenë partizane, ishte e shoqja e Manush Myftiut. Mbi të gjitha ajo ishte një grua e përzemërt në biseda. Kishte një dashamirësi të buruar për artistët, me ndërhyrjen e saj në zyra që kishin në dorë, ajo ka bërë të mira për shumë nga ata që punonin në institucionet kulturore të Tiranës së asaj kohe. Jepte strehim, jepte vende pune…
Me të ishte e lehtë të bisedoje. Ajo dinte të dëgjonte. Dinte të komunikonte. Nuk kishte në gjuhën e saj frazeologji zyrash të tipit “nën udhëheqjen e partisë, të mobilizohemi, të jemi të vëmendshëm ndaj gabimeve në kulturë” etj. Fillova të jap shpjegime për mosmarrëveshjet e mia me kompozitorin dhe poetin, me dy të dërguarit personalë të Drejtorit të përgjithshëm, shokut Todi. Ata, bashkë me regjisorin, tashmë ishin të vetmit udhëheqës artistikë dhe jo vetëm artistikë të Festivalit. Unë kërkova të di në ka ndonjë ndryshim zyrtar të platformës së Festivalit. Platforma e vjetër vetvetiu ra, por nuk ka asnjë platformë të re. Këta, të ardhurit, po përmbysnin gjithçka të bërë deri tani. Edhe tekstet që unë i kisha miratuar në Komitetin Qendror.
– Po, ja… transferimi i Thanasit, ardhja e drejtor Todit… do shoqëroheshin me ndryshime…
– Platforma e përmbysur nga këta, është e drejtor Todit, jo e Thanasit, – i thashë.
– Ama poet, – më tha ajo, – poet që kërkon platformë. Ju artistëve po u lëmë të lirë, të bëni një festival si të doni, dhe prapë nuk kënaqeni.
– Unë zyrtarisht jam punonjës, jam nëpunës i këtij institucioni. Shefi im i redaksisë është me punë në Kosovë. Këta të dy që po na japin urdhra, nuk janë asnjëri punonjës të Radios. Muzika nuk ka ndryshuar. Ndryshimet, përmbysjet thuaj, po bëhen në tekstet… në dekore, në veshje… në regji…
– Dëgjo, – tha ajo, – ndryshimet në art e në muzikë janë në vazhdën e këtij viti. U bë një festival i rinisë studentore jo me shumë politizime, festival i vërtetë rinor. Ekspozita vjetore e arteve figurative në Galerinë e arteve figurative me piktura si “Mbjellja e pemëve” dhe “Epika e yjeve të mëngjesit” solli risi që vjet as që mund të mendoheshin. Edhe ne si Radiotelevizion duhet të jemi në këtë hulli…
– Unë e pëlqej këtë që po ndodh. Ju e dini… kemi folur për këto… por po bëhen si me aksion… Ata dhe tekstet e mia duan t’i ndryshojnë.
– Si, edhe tekstet e tua?
– Po… teksti yt përshkohet nga një filozofi katolike, më thonë… vetëm një degë… vetëm një gotë ujë… vetëm një vajzë. Unë do të thosha se kjo filozofi është dhe komuniste, edhe njerëzore. Kur nga gjithë femrat duam me të vërtetë njërën, ajo është sa për gjithë të tjerat. U vë vizën gjithë të tjerave. Vetëm ajo…
Me siguri ju u ngrohët nga këto fjalë të Nefos?
Natyrisht. Unë u çlirova. Përndryshe nuk vazhdohej.
Sadik, çfarë ishte në thelb Festivali i 11-të, sipas jush?
Festivali i 11-të tregoi që Shqipëria dëshironte të hapej nga Perëndimi. Shqipëria e artistëve, shkrimtarëve, muzikantëve e dha provën e kësaj dëshire. Festivali i 11-të e dha këtë dëshmi për shqiptarët por edhe për ato kancelari perëndimore që i kishin thënë Shqipërisë: hapu, liberalizohu. Por dëshirat janë tjetër gjë nga realiteti i hekurt. Shqipëria për vullnetin e atij që e udhëhiqte diktaturën a për rrethanat e paracaktuara të luftës së ftohtë, do të mbetej peng i kufijve që nuk u hapën kurrë. I kufijve që ishin ngritur si direkët e perdes së hekurt të Jaltës. Si duket, sa do që të dëshironim ne, për brezin tonë këto porta nuk do të hapeshin kurrë. Të përplasur në këtë mur të hekurt që vendoset nga forcat e mëdha që mbajnë ekuilibrat e botës, dëshirat, poezitë, këngët, ngjyrat, mizanskenat, fustanet e unazat e bukura të vajzave që performuan, pra gjithë eleganca e brishtësia e atyre që guxuan të jenë vetja me atë festival të quajtur të 11-të, se ishte një festival i asaj që njeriu guxon të jetë edhe kur e burgosin me dënim të përjetshëm, pra ata që u bënë fli si gjelbërimet e hershme para ngricave të paracaktuara ndërkombëtarisht, nuk kanë humbur. Para një rendi botëror të paracaktuar që pa lindur, ata thanë, kënduan, u veshën, u sollën në skenë me një vetvetishmëri që është e barabartë me njëmijë vite liri në errësirë. Ndaj errësirës ata bënë të tyren, e bënë edhe në kundërshtim me vazhdimësinë e jetës së tyre. Ç’mund të bëhej me shumë se aq sa të pohoje se je për vete dhe se je krye më vete, jo domosdo një kryengritës, ç’mund të bëhej pra më shumë? Më shumë nën një perde të hekurt si presë thike mbi krye…?
Për këto vite janë shkruar edhe më parë kujtime. Çfarë ka ngelur pa u thënë?
Janë shkruar disa libra me kujtime nga Todi Lubonja, ish-drejtor i atëhershëm i Radio-Televizionit; ka shkruar Spartak Ngjela te libri i tij i fundit; ka shkruar një libër mbresëlënës Agron Çobani me titullin “Ju flet Tirana”, ka kujtime të Skifter Këlliçit… Sigurisht secili e ka rrokur atë në një kënd të vetin, si e ka parë secili atë ngjarje. Kjo është një periudhë historike, që vazhdon të rishfaqet prej 20 vitesh në gazetat shqiptare dhe mbetet nyje ende e pazbërthyer. Ashtu si vdekja e Mehmet Shehut.
Nesër do të lexoni:
Stuhia pas Festivalit të 11-të dhe fillimi i masakrës mbi artistët dhe shkrimtarët.
Analiza e Festivalit në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe përmbysja totale para Plenumit të 4-t të partisë
Largimi i Todi Lubonjës si drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së dhe rikthimi i Thanas Nanos

E MO, NA E BETE BOZE KETE FESTIFALIN E 11-TE. Po beni 23 vjet qe shkruani e stershkruani,sikur do na mbante shpirtin gjalle. I KEMI MESUAR PERMENDESH TE GJITHA KRITIKAT ARTISTET E DENUAR E REGJIZORI I DENUAR……. Pa shkruani nje here per festivalet e tanishme,te cilet jane aq te “mire” se njerezit nuk dine se kur zhvillohet festivali.
C;FARE TE DEGJOSH !? Tekstet qe vetem tregojne se u dogjen nga dashuria, fjalet qe nuk merret vesh se c’thone,apo muzika qe nuk te ngjallas nje emocion ,,,,,,,,.Meruni ju kritiket e muzikes me keto festivale,e me ato kenge qe nuk po hyni dot ne netet finale te festivalit Europian e lereni ne hall te vet festivalin e 11 -te qe po ben nje” shekull” qe eshte dhene. E DI QE NUK DO T’U PELQEJ KY MENDIM I DHENE ,PO E VERTETA KESHTU ESHTE.
Shoku Shaban Shpiragu ,
nuk eshte se nuk na pelqen mendimi yt ,problemi eshte se
nuk eshte mendim fare
do ishte mrekulli sikur te kishe aftesine ta perdorje materien gri ,por nuk ka gjasa qe kjo te ndodhi .
Shoku Shaban Shpiragu , po te drejtoj paksa te ajo qe quhet “llogjike”
nuk ka krahasim midis nje festivali ,ku u moren jete njerzish sepse guxuan te
ENDERRONIN NJE BOTE NDRYSHE
dhe midis ktyre festivaleve ku ti “enderron” finalen e Europes
sepse mire apo keq qe kendojne ,me apo pa finale
NUK I VRET ASKUSH !
Kjo eshte ajo qe ke 23 vjet qe po “lodhesh” por ama nuk po e kupton
mire shoku Shabe ?!
sigurisht kjo replike vlen dhe per kta te tjeret qe kane komentuar ,
ndryshoni vetem emrat sepse si llogjike jeni seria difektoze e
riformimit te njeriut te ri !
U te keqen ore malukat qe genjen pa piken e turpit. Me avash more evlad, se çdo gje ka kufij. Keshtu si po genjen ti edhe perrallat popullore behen me te besueshme njesoj si te kishin ndodhur vertet.
Po per cilen rini e ke fjalen more derdimen. Ne kooperativat bujqesore, ne fshat vajzat e vishin fustanin siper pantallonave more karafil. Vetem ne Tirane e gjeje minifundin, se as ne Durres nuk shihje me minifund jo me ne qytete te tjera.
Te them te drejten, kam qene ne moshen e rinise ne kohen e Festivalit te 11-te dhe nuk me ka lene ndonje pershtypje te vecante per vlerat muzikore te saj. Ka qene pak me tjeter se festivalet paraardhese me shume ne paraqitjen e jashtme te kengetareve dhe ne ndonje tonacion ndryshe ne ndonje orkestracion kenge te vecante. Por, kjo s’do te thote qe te vazhdohet t’i behet jehone kaq e madhe si te ishte kulmi i “opozicionit” te regjimit te atehershem. Eshte e lehte te flasesh tani, pas 40 vjetesh, a thua se eshte denuar nje mrrekulli e muzikes shqiptare. Pushteti komunist i kohes gjeti sebepin tek ky festival per te ndikuar tek populli ne realizimin e interesave te tij politiko-shoqerore.
Une e kam jetuar atmosferen e Festivalit 11-te jashte salles se teatrit te Operas dhe Baletit, por brenda RTVSH. Festivali pati kenge shume te bukura, por regjia ishte skandaloze, prezantimi mendjelehte, veshjet te ekzagjeruara, sic ishte edhe Drejtori i Pergjithshem i RTVSH, mendjemadhi Todi Lubonja. Enver Hoxha e hapi fushaten e liberalizimit te jetes me fjalimin programatik te Matit ne shkurt twe vitit 1972, por Ramiz Alia, Fadil Pacrami, Todi LUbonja, Spartak Ngjela moren flamurin e liberalizmit te Enver Hoxhes dhe e njollosen me ekstravagancat e tyre. Fest. 11 pati shume verejtje nga populli, veteranet, fshataret, puntoret etj., sepse ekstravagancat e tij kishin shume naivitete. Per kete arsye, Enver Hoxha u detyrua te terhiqej per te ruajtur ekuilibrin e propagandes se Partise.
Me pelqen fakti se edhe redaktori i talentuar, simpatik dhe shume serioz, Sadik Bejko ka protestuar per nderhyrjet e personave te jashtem te radios, por miq haremesh te Todi Lubonjes, tek Drejtoresha e radios Nefo Myftiu, sepse po te lihej Fetivali 11 ne dore te Redaksise se Muzikes se Radios, ku kishte specialiste shume kopetente, nuk do te kishte reaksion ndaj transmetimit te tij. Fest. 11 u denua, sepse organizatoret e jashtem per te marre flamurin e Liberalizmit kaluan ne ekstrem dhe sic dihet ekstremet jane te denueshme.
Pergezoj Z. Bejko per ndjeshmerine dhe llogjiken qe zoteron dhe uroj qe te mendoje per nje liber mbi Fets. 11, pasi qe ne qender te ciklonit, e pesoi nga mendjelehtesite e te tjereve dhe ka aftesiste studiuese e krijuese te perjetoje ate Festiaval me mire se kushdo tjeter. Personalisht, nese Sadiku e shkruan librin dhe une do te kem fatin te jem i ftuar, i premtoj nje shishe Raki Skrapari si dhurate!
5 muaj para ketij festivali vjen ne kampin e rinise ne Golem Rudi Monari,atehere sekretar i rinise,i shoqeruar nga Alfons Ballici,qe luajti ne kitarre elektrike metalistet amerikane sa u entusiazmua gjithe turma qe perbehej nga te rinj te gjimnazeve te Tiranes dhe rretheve.Festivali i 11 ishte asgje me shume se nje festival folklorik,krahasuar me avangarden e gjimnazeve te kryeqytetit,prandaj mos cpikni mite moderniste me kete festival,se late nam.Perfaqesues te rinise shqiptare nuk kane qene Mehmet Elezi,dora e forte katunare e komitetit qendror,qe zevendesoi qytetaret liberale ne drejtimin e rinise. Me vjen keq edhe per keto maloket e KLAN-it,qe shurrohen para Zdravkos.Ne,rinia e gjimnazeve te Tiranes nuk kemi degjuar as Zdravkon dhe as Lepa Brenen,keto i degjonin konviktoret e rezervave te punes!Mos harroj,edhe Podgoricant e Shkodres!