Zëri i heshtjes në poezinë e Moikom Zeqos

Dita

(Përsiatje për librin “Blici i ëngjëjve” të Moikom Zeqos, Aparxeas Abraxas, Tiranë 2017)

Fatmir Minguli

Kam heshtur pothuaj gjatë një kohe relativisht të gjatë duke mos shkruar për librat e fundit të Moikom Zeqos. Janë botuar brenda një periudhe dy vjeçare librat me poezi moderne si “Postierët e magjepsur”, “Në anën e trilluar të kohës”, “ Të ëndërrosh infinitin”, “Anija misterioze” etj. Nuk janë pak për një autor që të shkruaj kaq libra me poezi, kur në të njejtën kohë përballet me sëmundjen dhe me nxehtësinë e asfaltit të nxehtë mediatik, sidomos të kohëve të fundit.

Tek vështron kopertinat e këtyre librave, piktura në vaj të realizuara nga vetë Moikom Zeqo të duket sikur para teje janë radhitur ikonat e një altari shqiptar me pamje në sfond, qiellin.
Ashtu si ikonat që mbeten të përjetshme ashtu dhe kopertinat e këtyre librave fshehin poshtë tyre aventurat e poezisë që në rastin e Moikomit, ato shkojnë drejt infinitit por të ndërthurura me dilemën e përhershme të pamundësisë.
Moikom Zeqo në librin “Blici i ëngjëjve” sjell në botën e letrave koncepte të reja mbi imazhet poetike kur në fund të fundit janë ndjenja të autorit i cili i kap thelbin “gjërave që duken pa lidhje por që janë të ndërlidhura”., siç konstaton dhe shkrimtarja amerikane Kathryn Nuerenberger në parathënien e këtij libri.
Mendja e Moikom Zeqos është e aftë që kozmosin e imazheve e sjell jo në formën e kaosit por të një rregulli mistik të ndërlidhjes së tyre. E gjithë kjo aventurë poetike është patjetër e ngjashme me “gjahun e luanëve në një shkrtëtirë ku mungojnë oazet”.
Ashtu i pëlqen poetit, një shkretëtirë bosh, një univers ku boshësia është njëlloj si një pamundësi e të folurit. Kjo hiperbolë e dhënë mjeshtërisht nga Moikom Zeqo, në poezinë “Fauni pa mjekërr”, është fakti, vertëtimi i plotë i asaj se “arti është më i fuqishëm se njeriu”.
Moikomi I bindet kësaj fuqie supreme prandaj poezia e tij nuk ka shterim.
E ç’janë subjektet e poezive përpara mendimit, përpara emocionit befasues kur ai e kupton fare mirë se “dituria është një trimëri e fshehtë”, një trimëri që nuk e gëzojnë vetëm heronjtë e betejave apo të politikave por para së gjithash heronjtë e poezisë.
Prandaj duke e njohur forcën e artit pushtetmadh , ai përherë e më tepër I falet mistikës, një mistikë që ndoshta është dhe personale por që vende- vende ngjason me mistikat e njohura në teoritë budiste apo teosofiste.
Eshtë një mistikë krijuese që kërkon zbulimin e të fshehtave të jetës dhe të vetë mendimit njerëzor.

Kjo mistikë ndërtohet edhe në poezitë e librit “Blici i ëngjëjve” duke u përballur me jetën urbane ku “Semafori mat pulsin- e dorës- së rrugës- Ç’është kjo aritmi e trafikut?- Ç’është ky infarkt i Fatit? Ah-.”
Krejt ndryshe nga poetët dhe narratorët e tjerë shqiptarë të sotëm ai i kap enigmat e jetës dhe të fatit të njeriut, enigma që filloi të shpreh Migjeni i madh që një shekull më parë.

Zëri i heshtjes së Moikomit në poezitë e tij është dhe misteri, fshehtësitë e jetës në perceptimet origjinale të Moikomit. Me metaforën e madhe “pagjumësia e ajrit” ai të çon në koncepte që konstaton në vetë jetën e tij duke na thënë se ne nuk jemi ekzaktësisht ajo që gjithçka të tjerët shohin, por jemi ajo pak na gjejnë e që më pak na kuptojnë.
Kështu ai bëhet njësh me universin me të gjithë krijesat dhe e ndjen veten pjesë e tyre, si të thuash futet në unitetin e së përgjithshmes. Këto koncepte nuk indesh vetëm në librin e tij të parafundit ”Blici i ëngjëjve” por dhe tek librat që përmenda në fillim të këtij shkrimi. Vetë konceptet janë si mozaikë lëvizës të një bote reale aq sa dhe sureale e si të tilla sjellin bukurinë që është vetë imazhi i lëvizjes s` çdo poezie – gur i mozaikëve.

Diku në librin “Blici i ëngjëjve” Moikomi shkruan “Dhe habitem me vehten- pra ekzistoj!” që shpreh ekzistencializmin shumë planësh si njeri, poet, studjues, analist. Në çdo libër të tij gjithmonë ka një “farëmbjellës”, një shenjë e optimizmit të lindjes së një gjëje të re, që në një farë mënyre ndeshet me ekzistencializmin e tij dhe ky “farëmbjellës” është ndoshta dhe “udhëtar i shpirtit”!
Poezitë e Moikomit janë “ditar ëndrrash të pafundme “, herë të arritshme e herë të pakapshme, dhe ky ditar të duket sikur është vetë portreti i Moikomit. Por të mos harrojmë ëngjëjt se dhe ata janë pjesë e ëndrrave por të mos harrojmë dhe blicin e tyre. Engjëjt që bëjnë blice, janë dhe ata të heshtur ku heshtja e tyre flet me forcën e dritës fotografuese duke sjell pa folur imazhe të jetës. Ja pse poezia e Moikomit shkëlqen në diej të tjerë poetikë.

“Mes pemëve feks një rreze blici i fshehtë i ëngjëjve që s’i shoh, por më ndjekin.”- është mesazhi që na jep i tërë libri i Moikom Zeqos. Heshtja e Moikomit në poezi është me zërin e saj, natyrisht jo me zërin e H.P.Blavatskij, themelueses së teosofizmit, por me zërin që ai ndjen deri sa arrin të vizatojë vetë heshtjen duke e kthyer në qenie të gjallë.
Dashje pa dashje ai kthehet te dashuria e hershme te misteret e Atlantidës dhe për më tepër te syri I tretë duke e sjellë me metaforat e tij moikomiane. Ai shkruan “ Tërë hapësirat që u mahnitën nga princi Buda u koncentruan tek një sy i vogël mëllenje”.
Poezitë e Moikomit ndodhen në mes syrit të enigmës së tij ekzistenciale që frymëzohet nga misteri I një heshtje të paramenduar, një heshtje ku mistika flet e që ka lëshuar lulet e saj të optimizmit.

Zërin e heshtjes Moikomi e ka të lidhur me idenë që ai e shpall si pamflet poetik, edhe ndaj pakuptueshmërisë së botës por edhe si sfidë ndaj këtij realiteti.

Prandaj Moikomi luan me realen e botës duke pritur “fitimtarët e mbrapmë” siç shprehet në një nga poezitë e “ Blicit të ëngjëjve”, por që është një pritje e përjetshme. Duke e quajtur veten si “poet i flugerave” por dhe si lojtar metaforash qiellore ai na çon dashje pa dashje në një habi poetike. Për të poezia është një arkitekturë më vete por e shoqëruar me artin suprem të heshtjes.
Durrës 30 korrik 2017

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *