Kreu i qeverisë kockë e lëkurë nuk po përmbahet më. Në Berat deklaroi se meqë turizmi në shkallë vendi, sipas tij, do të rritet 40%, në këtë qytet ai do të rritet 400%, 10 herë më tepër. Nuk ka rrëzë kodre e fshati që nuk e ka ndjerë bubullimën e tij, se janë ndërtuar 11 mijë km rrugë, ndërsa ka 11 muaj që nuk është në gjendje të dokumentojë as 1100 km të tilla, 10 herë më pak.
Në Fier premtoi 10-fishin e shtimit të mbjelljeve të ullinjve. Me sa duket e pëlqen numrin 10. Shumëzon apo pjesëton me të, sipas rastit. Kur ka përpara njerëz që ia ha syri, shumëzon me 10. Kur përpara i dalin “zona” të opozitës, pjesëton me 10. Kjo mënyrë komunikimi ka qenë tepër e preferuar nga drejtuesit me origjinë kooperativiste të para viteve ‘90. Me qenë se dhjeta me gërma romake paraqitet si X, thuhet që një drejtuese e lartë e asaj kohe, në vend të lexonte shprehjen “në krahasim me shekullin e 19-të” me numrin adekuat, e lexoi atë “në krahasim me shekullin xix’ (gërmë për gërmë).
Me sa duket, qysh prej asaj kohe nuk ka më derman që të shkulet nga trutë e tyre ky numër (dhjeta). Ju duket se kjo është mënyra më e mirë për të shprehur mendimet edhe sot, nëse kështu do t’i quajmë ato që premton “xixa” e qeverisë aktuale, kur në çdo 5 fjalë thotë 10 (X) budallallëqe. Ndiqeni e nuk do t’ju mundojë fare të konstatoni se 10-n e ka numër fati. Shumëzon, pjesëton, zbret, mbledh ç’të dojë, boll herësi të jetë 10. Sepse kur premton, shifrat nuk i ngatërrohen: 2, 3, 4 … mbeten po 2,3,4… por me zero prapa, të cilat sado shtohen, për aftësinë e tij matematikore, po zero mbeten. Zero me xhufkë, xix fare! Nuk ia vlen të merresh më me ato çka ai deklaron. Premtimet e tij janë bërë tashmë si ato të Nastradit me sharrë në dorë, sot të premton muzikë e nesër e gjen shtëpinë me derë të shqyer.
Interesante është se kohët e fundit po manifeston dijeni “të gjera” në filozofi, disa teza të së cilës po i aplikon mbi aktivitetin e “mentorit” të vet, Edvin Ramën. Politika që ndjek Rama, tha në Vlorë, është pikërisht “politika e NEP-it që Lenini ndiqte ndaj të pasurve”. E pastaj në Gjirokastër, “për të kuptuar Ramën duhet të lexoni Frojdin, sepse është i njohur problemi i kompleksit të tij”. Ja pra, ftesa që na bën ky strateg i Evropës Juglindore. Kushdo që ka lexuar qoftë edhe shkarazi librat e shkollës të mesme, habitet e i bie nofulla për tokë. Me gjithë mend i thotë këto kumbulla ky? Apo do të tallë prapanicën me ata që bëjnë sikur e dëgjojnë kur ky bën sikur u flet?
NEP-i nuk ishte politika që ndiqte mësuesi i tij i lindjes ndaj të pasurve, por një lloj “politike e re ekonomike” që drejtohej kundër asaj që Lenini i tij e quante “komunizëm i luftës”, kundër atij rendi që e përjashton çdo liri të tregtisë private. Pra, krejt e kundërta e asaj që do të thotë ky që u shpall luftë të gjitha llojeve të mullinjve. Braktisja e kësaj politike nga ana e bolshevikëve ishte tamam kthesa katastrofike, e cila ishte edhe fillimi i disfatës të rendit, në emër të së cilës u pranua në Parti “biri i shtrenjtë i Tropojës” në vitin 1968.
Çfarë mjeku ka qenë ky shpirtkeq, kur edhe ato që ka dëgjuar për Frojdin, që e përmend si ndonjë shokun e vet, nga një vesh i kanë hyrë e nga tjetri i kanë dalë? Psikanaliza e Frojdit nuk është teori me të cilën mund të tallet ky kontrabandist i rëndomtë fjalësh, por metodë me anë të cilës ai identifikonte pacientët e tij, pas së cilës gjente rrugën e mjekimit. Pasi shpjegonte komplekset që trashëgon çdo njeri në këtë botë, nëpërmjet deviacioneve që shfaqnin, ai veçonte pacientët të cilët kishin nevojë për ndërhyrje.
Ja disa veti të pacientëve me të cilët Frojdi merret në shkrimin e tij “Uni dhe esi”:
a- “Mbiuni do të ruajë karakterin e babait dhe sa më e fortë të ketë qenë kompleksi i Edipit, sa më e përshpejtuar (nën ndikimin e autoritetit, të mësimit fetar, shkollës, leksioneve) që të kryhet zhvendosja e tij, aq më rreptë do të sundojë më vonë mbiuni si vetëdije, mbase si ndjenjë faji e pavetëdijshme mbi unin”.
b- “Me lindjen e homoseksualitetit, por edhe ndjenjave sociale të deseksualizuara, hulumtimi analitik na mësoi të njohim ekzistencën e ndjenjave të furishme të rivalitetit, që çojnë në prirje agresive, pas kapërcimit të të cilave objekti dikur i urryer kthehet në objekt të dashuruar ose në objekt identifikimi”.
Edhe një tjetër.
c- “Te neurozat shtrënguese mbisundojnë dukuritë e formimit të reagimit; uni këtu vetëm sa arrin mbajtjen larg të ndjenjës së fajit… Ishte befasuese të zbuloje se një rritje e kësaj ndjenje të pandërgjegjshme të fajit mund ta bëjë njeriun kriminel. Te shumë kriminelë mund të vërtetosh një ndjenjë të fuqishme faji që ekziston para aktit, jo si pasojë, por motiv të tij, si një ndjenjë të pavetëdijshme të lidhur me diçka reale dhe aktuale”.
Tani lexuesi, deri edhe analfabeti funksional, ta ndajë vetë se kush e ka të theksuar ndjenjën e sundimit të mbiunit, te cili ekziston ndjenja e furishme e rivalitetit, e cila objektet (personat) dikur të urryer i kthen në objekte (kolegë) të dashura, e te kush ndjenjat e pandërgjegjshme që bëjnë njeriun kriminel nuk janë pasojë, por motiv, shkak. Në fund të fundit, kush është i sëmurë, kush ka nevojë urgjente të kurohet, kush mund të jetë pacient i Frojdit të madh?
Sidoqoftë nuk është e mundimshme përgjigjja e pyetjes se a do të na shqitet kjo ferrë nga këmbët në 23 qershor? Patjeter që po! E ka të kotë që në këtë moshë të thyer të torturohet e të çahet më katërsh. Pyetjet që i bëhen nga disa gazetarë autodidakt, le t’ua kursejë përgjigjen, sepse i ka dhënë një herë 8 vjet më parë.
Ndofta do të jetë krejt e përshtatshme që deri më 23 qershor të mendoje e t’i përgjigjet asaj pyetjes të famshme të Shvejkut, që deri sot konsiderohet si kriter i burrave të shtetit të rangut të tij: “Në një shtëpi trekatëshe, secili kat ka nga tetë dritare. Në pullaz ka dy baxha dhe dy oxhakë. Në secilin kat banojnë nga dy qiraxhinj. Në ç’vit vdiq gjyshja e portierit të shtëpisë”?
Le ta vëmë një bast. Nëse i jep përgjigje, e meriton të votohet në postin e Kryeministrit. Por pas votimeve, shqiptarët duhet të marrin malet e të mbajnë vrapin nga sytë këmbët. Nëse nuk e jep këtë përgjigje, të mbathë opingat e të hidhet andej nga ishulli i Kamçatkës. Le ta fillojë kurën e arinjve të murrme, të hyjë në botën e tyre të pasur e në strofullat e tyre asnjëherë të mos e harrojë një fjale të urtë, sipas së cilës “kush nuk di të qeverisë, gjithmonë bëhet uzurpator”. Shqiptarët do të fillojnë më së fundi të mendojnë për lirinë e mirëqenien e tyre.
Berisha nuk eshte pacienti i Fjordit. Ai eshte ariu polar qe ka nevoje per gjume letargjik, e te mos te zgjohet kurre.
AH MOR MIK KUSH MUNDET QE TA KORIGJOJE ATE TE GJITHE QE NDEKIN KETE KAVIE JANE TEGJITHE SI AI .FATKEQESIA ESHTE PER NE
Na duhet nje zinxhir tip PALLAMARI.Per ta lidhur qe ashtu dhe te tretet, se i kerreu themeline cdo gjeje me vlere qe patem.