Zëvendësimi i Frrokut përplas opozitën me maxhorancën

redaktor

Marrja e mandatit prej Mirela Ferracakut, deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë dhe që zë vendin e Mark Frrokut, ka përplasur maxhorancën dhe opozitën në seancën plenare.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se bëhet fjalë për një rast të pashembullt më parë dhe se për këtë duhej marrë mendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Kushtetuta përcakton mbarimin e mandatit kur kemi një vendim të formës së prerë prej gjykatës. Deputeti Mark Frroku ka dhënë dorëheqjen dhe zëvendësuesi i tij, Arben Frroku është i dënuar, por Kushtetuta përcakton se deputeti duhet të marrë njëherë mandatin pastaj t’i hiqet ai. Pra kemi të bëjmë me një rast të pashembullt më përpara dhe kjo çështje kërkon interpretim kushtetues. Kur e merr? Si e merr dhe kur mbaron?”, tha Bylykbashi.

Taulant Balla replikoi duke deklaruar se bëhet fjalë për zbatim të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Këshilli i Mandateve lexoi vendimin unanim të Komisionit Zgjedhor dhe ne jemi këtu thjesht në zbatim të këtij vendimi”, tha Balla.

Bylykbashi deklaroi se pavarësisht vendimit të KQZ-së, ka një shkelje të Kushtetutës.

“Merret një vendim institucional që të mos i jepet mandati sepse është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe është i arratisur”, tha ai.

Duke u ndalur tek ligji i dekriminalizimit, Bylykbashi tha se sot ky Kuvend ka në dorë të ndalojë këtë fenomen.

Pas betimit të deputetes Mirela Ferracaku, fjalën e mori ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Rama si përgjegjës për kriminalizimin e Kuvendit.

“I uroj deputetes së re suksese, por gjersa Arben Frroku të vendoset në vendin ku e ka caktuar drejtësia, Arben Frrok është Edi Rama. S’është për të qeshur kjo, është për të vajtuar. E çove vetë jashtë. Je bërë simbol i krimit në këtë Parlament”, iu drejtua ai kryeministrit Edi Rama.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *