Zëvendësoi Zoran Zaev, zgjidhet kryetari i ri i LSDM në Maqedoninë e Veriut

J L

Është zgjedhur tashmë pasardhësi i Zoran Zaev, në postin e kryetarit të LSDM-së.

Dimitar Kovaçevski u përzgjodh në këtë post pas zgjedhjeve të dyta brendapartiake, gjë që e tregojnë të dhënat nga votimet në gjithsej 193 vendvotime.

Kovaçevski ka pasur një epërsi bindëse ndaj kundërshtarëve Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski. Të drejtën e votës në zgjedhjet e sotme të parakohshme brendapartiake në LSDM e kanë shfrytëzuar 43.469 anëtarë. Votimi ka përfunduar në orën 19.00.

Ai gëzonte mbështetjen e fuqishme të zotit Zaev dhe të disa zyrtarëve të lartë të LSDM-së. Në një konferencë me gazetarët pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, kryetari i ri Kovaçevski tha se do të vazhdojë rrugën e pararendësit të tij Zoran Zaev për zhvillimin demokratik të Maqedonisë së Veriut.

“Sot fitoi LSDM-ja, ndërsa prej nesër duhet t’i përvishemi punës, sepse qytetarët presin nga ne, që të punojmë me përgjegjësi dhe me përkushtim”, theksoi ai.

Pasardhësi i Zaev tha se do t’i japë përparësi kthimit të unitetit brenda partisë dhe se programet sociale e demokratike të saj duhet të jetësohen në praktikë brenda shtetit. Ai theksoi parimin për një shans të drejtë dhe hapjen e partisë dhe institucioneve për ata, të cilët kanë kapacitet profesional.

Rivali i tij, Jovan Despotovski, i cili është drejtor i një agjencie shtetërore, e hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes së tij në qeverinë e re me një post ministror.

Ai tha se do të qëndrojë anëtar i thjeshtë i partisë. Ndërkaq, ish-nënkryetarja social-demokrate Remenski u shpreh se “edhe më tej do të vazhdojmë të punojmë së bashku”.

Kreu i ri i social-demokratëve aktualisht është zëvendës-ministër i Financave. Ai e merr drejtimin e partisë në një kohë të vështirë si në aspektin shëndetësor, ndërsa vendi është ndër më të prekurit në rajon nga pandemia e Covid-19, po ashtu edhe në aspektin e vështirësive ekonomike dhe krizës energjetike.

Kryetari i ri i LSDM-së pritet të marrë edhe mandatin për formimin e qeverisë së re, përkatësisht të një riformatimi të pritshëm të kabinetit, ku krahas Lidhjes Social Demokrate me partnerët e saj të vegjël dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e Partisë Demokratike Shqiptare, do të përfshihet edhe partia Alternativa.

j.l./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *