Anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve janë mbledhur sot në Sallën e Sinodit në Vatikan, ku ka nisur mbledhja e parë e Kongregacionit, në përgatitje për Konklavin, nga i cili do të dalë papa i ri. Katër ditë pas hyrjes në fuqi të dorëheqjes së Banediktit të XVI, përgatitjet e konklavit kanë nisur zyrtarisht. Një mbledhje tjetër do të zhvillohet në orën 17:00 ku kardinalët do të vendosin për takimet dy herë në ditë.
Kushtetuta apostolike parashikon gjithçka, madje edhe mënyrën se si duhet të vishen kardinalët. Gjatë periudhës së vendit vakant në krye të kishës, kardinalët duhet të mbajnë veladonin e zi me fashën e kuqe, kapuçin, kryqin në gjoks dhe unazën.
Për momentin nuk ka dispozita shtesë të cilat sanksionojnë komunikimin gjatë ditëve të kongregacionit. Vlen për t’u kujtuar rasti i vitit 2005, kur dekani i kardinalëve, Jozef Ratzinger, kërkoi heshtjen e të gjithë kardinalëve.
Në kongregacionin e përgjithshëm duhet të marrin pjesë të gjithë kardinalët. Ndërsa në mbledhjen e veçantë të Kongregacionit marrin pjesë kamerlengu dhe tre kardinalë, nga një për secilin urdhër, të cilët përzgjidhen me short mes të gjithë kardinalëve të mbledhur në Romë. Pas tre ditësh, tre kardinalët zëvendësohen me tre të tjerë që zgjidhen me të njëjtën procedurë.
Gjatë periudhës së zgjedhjes, çështjet më me rëndësi trajtohen nga asambleja e kardinalëve zgjedhës, ndërsa çështjet rutinë diskutohen në kongregacionin e kardinalëve.
Kongregacioni i përgjithshëm është vendi ku studiohen kandidaturat dhe aleancat që mund të shfaqen brenda Kapelës Sistinë. Mbledhjet mbahen në sallën e Palit VI dhe drejtohen nga dekani i kolegjit apo në mungesë të tij, zëvendësdekani. Por nëse këta të dy e kanë kaluar moshën 80 vjeç dhe nuk gëzojnë më të drejtën për të zgjedhur papën, asambleja e kardinalëve zgjedh si drejtues kardinalin më të madh në moshë me të drejtë vote.
Letra e thirrjes së kardinalëve në Vatikan kujton se kongregacioni do të vazhdojë deri sa të arrihet numri i plotë i kardinalëve me të drejtë vote dhe vetëm në atë moment, Kolegji vendos datën e mbylljes në Konklav.
Për momentin, 75 kardinalë janë me qëndrim të përhershëm në Romë, ndërsa 66 të tjerë të ardhur janë vendosur përkohësisht aty. Të tjerë priten të mbërrijnë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli