Zgjedhje për bashkitë, apo për qeverinë?

redaktor

Nga një fushatë tek tjetra njerëzit presin të shohin çfarë ndryshon për më mirë. A po e jep politika, përmes partive politike, këtë ndryshim? Mund të thuhet me siguri se ka një hap drejt një sjelljeje, paraqitjeje, komunikimi më të mirë me zgjedhësit, ka një pranim nga të gjitha palët se duhen braktisur disa klishe komunikimi me akuza dhe sjellje vulgare, me sharje, me ofendime të kandidatit kundërshtar. Kjo është një përpjekje pozitive. Megjithatë opozita nuk përmbahet dhe noton në ujrat e fushatës zgjedhore të modelit të ashpër, me akuza, me sharje të forcës politike kundërshtare dhe të kandidatëve të saj.

Zgjedhjet e 21 qershorit janë për pushtetin vendor dhe si të tilla ato duhet të trajtojnë problemet e qytetarëve në komunitete. Fokusi i fushatës duhet të jenë qeverisjet vendore, si të ngrihet niveli i administrimit të bashkitë e reja, si të zgjidhen ato problem konkrete që kanë njerëzit aty, si të përmirësohen shërbimet, si të administrohet territori dhe të përmirësohet jeta në komunitet. Aktualisht po propozohen kandidatët për kryetarët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Ky është një moment i rëndësishëm, që karakterizon vetë fushatën, i hap rrugë ndryshimit të pritshëm të gjendjes dhe natyrës së qeverisjes vendore në kushtet e ndërtimit të bashkive të reja. Si po modelohet kjo fushatë zgjedhore? Ka dy dukuri që janë marrë nga modeli i sistemit të kaluar, kur zbatohej parimi “politika në plan të pare” dhe “ç’thotë partia bën populli, ç’don populli bën partia”. Ky model është ai i një fushate gjestesh, thirrjesh, sloganesh dhe fjalimesh që nuk u thanë zgjedhësve ato gjëra që ata presin.

Politika në plan të parë

Edhe pse zyrtarisht fushata nuk është shpallur, opozita ka nisur një fushatë të zjarrtë me akuza politike për qeverisjen e vendit nga shumica e majtë. Në thelb kjo qasje është jo vetëm e gabuar, por dhe joproduktive për zgjedhjet vendore. Aq vetë opozitës nuk i sjell dobi, sepse në këto takime prezantuese nuk flitet fare për qeverisjen vendore, cilat janë vizionet e kandidatëve që ajo propozon për administrimin e bashkive. Me komunitetet nuk bisedohet, nuk debatohet, nuk komunikohet për problemet që kanë qytetarët, por flitet për politikë. Ky merak i opozitës dhe më pak i shumicës, e shndërron fushatën në një fushatë politike.

Kur planifikohet një fushatë zgjedhore më së pari mendja të shkon se në çfarë atmosfere do të zhvillohet fushata. Situata politike, ekonomike dhe sociale në këtë moment zhvillohet si një proces që shfaq tensione politike, debate të nxehta për gjendjen e vështirë ekonomike, të papunësisë, të eksodit të shtuar të njerëzve për të shkuar në vendet perëndimore, për dekriminalizimin, për luftën kundër korrupsionit, etj. Lufta politike është tipari karakterizues i kësaj fushate, në vend të përpjekjeve për të gjetur rrugët e forcimit të qeverisjes vendore.

Mazhoranca e majtë investohet në afirmimin e sukseseve gjatë 18 muajve qeverisje, duke evidencuar gropën e madhe ku e la vendin qeverisja e djathtë gjatë 8 vjetëve (edhe kjo gjë është një qasje politizuese e polarizuese). Ajo pranon se gjendja e vendit nuk është ajo që do të duhej, por këmbëngul se vendi po shkon në drejtimin e duhur, se do të kërkohet kohë të realizohen premtimet dhe programi i rimëkëmbjes së vendit. Për mazhorancën janë realizuar disa reforma të rëndësishme që po i japin fytyrën shtetit ligjor të munguar nën qeverisjen e demokratëve dhe se ky është një sukses fondamental.

Atmosfera e kësaj fushate zgjedhore jep përshtypje se është vënë në shërbim të partive politike. Debati kryesor fokusohet rreth qeverisjes qendrore, në vend të debatit për qeverisjen vendore. Partitë flasin, ato dëgjohen, ato bëjnë akuza për njëra-tjetrën, ato premtojnë se pushteti vendor që do të dalë nga këto zgjedhje do të përmbushë përgjegjësitë e tij, se kandidatët që do të votohen janë figura të merituara etj. Ndodh e kundërta e asaj që do të duhej të ndodhte, të fliste populli që zgjedh, të flisnin kryesisht kandidatët që do të marrin mandatin të menaxhojnë njësinë vendore. Dukuria që ndodh është kopje e modelit të sistemit komunist, kur politika ishte në plan të parë.

Nuk është aspak e drejtë dhe e dobishme shmangia nga debati si të bëhet më efektive qeverisja vendore. Orientimi i fushatës në retorika sesi është qeverisja dhe politika qeveritare, nuk i shërben forcimit të qeverisjes vendore. Janë pa vlerë për qeverisjen vendore akuza të tilla si ato të kryetarit të PD-së që përsërit nga një takim zgjedhor në tjetrin: “Më 21 qershor shqiptarët duan ta mbyllin një herë e mirë këtë kapitull tallës ndaj dinjitetit të tyre”. Nuk i thonë asgjë zgjedhësit retorika politike si përbetimet e kryetarit të PD në qytetin e Gjirokastrës, ku theksoi se “21 qershori është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, është dita e ndëshkimit me votë të keqqeverisjes Rama-Meta”. Kjo retorikë thuhet pa menduar se çfarë do të ndodhë kur të jepet rezultati i zgjedhjeve. Si mund t’i justifikojë Basha këto përbetime nëse votuesit “në ditën e ndëshkimit” votojnë për kandidatët e krahut të majtë? Si do t’ia shpjegojë elektoratit të djathtë humbjen e mundshme?

Partia përzgjedh, zgjedhësit votojnë

Në kushtet e një ndryshimi të madh të organizimit territorial-administrativ po kuptohet se është koha të bëhen hapa përpara në administrimin e njësive vendore. Në këto situata të reja janë përzgjedhur kandidatë për kryetarë të bashkive njerëz me kapacitete, me integritet dhe me përkushtim për të drejtuar bashkitë. Por, duhet pranuar, vazhdon modeli i vjetër kur kandidatët janë përzgjedhur sipas pëlqimeve të kryetarëve të partive, ka riciklime të disa kryetarëve që kanë drejtuar bashki edhe tre-katër mandate. Edhe në këto zgjedhje janë partitë politike ato që përzgjedhin, që propozojnë, që vendosin në zyra listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiake. E humbën mundësinë të bënin një proces demokratik në përzgjedhjen e kandidatëve. Kjo do të kishte ndodhur po të ishin organizuar takime përzgjedhjeje në komunitet, propozimet të bëheshin nga baza.

Modeli që po zbatohet në qeverisjen vendore, me këshilltarë në 61 bashki nga listat e partive, pa përfaqësues në zona, nuk do të ketë qeverisje vendore me përfaqësim në zona, por në çdo bashki do të ketë nga dy-tri “skuadra” politike formale, të cilat do të votojnë, ose nuk do votojnë politikisht vendimet e mazhorancave nëpër bashki,

Përzgjedhja e kandidatëve në ndonjë rast është vënë në dyshim për figurë jo e përshtatshme, me probleme. Aktualisht ka një presion të fuqishëm nga shoqëria civile për pastrimin e listave nga kandidatë me probleme. Këtë konstatim e kanë shprehur edhe partnerët tanë përmes përfaqësuesve të ambasadave të tyre në vendin tonë. Kanë kërkuar rishikim të listave dhe korrigjimet e nevojshme. Nëse korrigjimet bëhen me seriozitet do të ishte përsëri një hap në drejtimin e duhur.

Prezantimi i kandidatëve në disa raste shërbehet si shou për të bërë politikë, sidomos nga opozita e cila përmes kryetarit të PD-së i ka lënë në hije cilësitë dhe arsyet pse i propozon këta persona për të drejtuar bashkitë.

Momenti i zgjedhjeve vendore është jo vetëm themelori, se tregon sesa demokratike janë procedurat e përzgjedhjes. Kjo tregon dhe qëndrimin e partive politike në raport me demokracinë, me gatishmërinë e tyre për t’u dhënë zgjedhësve kandidatë të merituar, me integritet moral, me vlera qytetare, menaxherë që dinë të qeverisin me kompetencë dhe përgjegjshmëri.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *