Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në dt. 03 korrik 2005 vazhduan të ishin reminishencë e paraardhëseve të tyre të mëparshme, veçse këtë herë përdhosja e votës së shqiptarëve kalonte nëpërmjet një procesi të sofistikuar. Në kuptimin që vendin e dhunës e terrorit të hapur e zëvendësoi manipulimi nëpërmjet shkresave e dokumenteve zyrtare. Teknologjia e shfrytëzimit të rrugicave e shtigjeve ligjore, që të jepte pushteti i shtetit dhe ai i parasë, ishte bërë kryeqendra e strategjisë së partive politike, pasi koalicioneve që pillnin deputetë të pamerituar nëpërmjet të ashtuquajturës “skema e Dushkut”, i kishte dalë boja. Biznesmenët e “pavarur”, të cilëve u jepej zona elektorale duke ju thënë investojeni vetë fushatën, fitoren apo humbjen, i gjeje në të gjithë spektrin e politikës shqiptare. Madje stimulimi i tyre, në jo pak raste, u bë edhe kundrejt kërkesave për koncesion. U krijua një situatë e ngjashme me atë të papatit të dikurshëm, që nxirrte në ankand shitjen e titujve papat kundrejt vendosjes së tarifave të përcaktuara. Që të bëheshe kandidat për deputet në zgjedhjet e korrikut 2005 duhej të mendoheshe mirë, pasi kishe para garues që shpenzimet i llogarisnin si ujë lumi. Më i dukshëm ky fenomen ishte tek e majta e përçarë, në PSSH nanoiste & koalicioni i të vegjëlve, PAD, PSD, PDS, PAA, dhe LSI, ku sikurse raportohej, shpenzimet për spote publicitare llogariteshin në shifra marramendëse: PS: 980, kundrejt 480 spoteve të PD-së dhe 244 spoteve të LSI-së. Fondet partiake pa deklarim origjine, të lëna në harresë gjatë gjithë proceseve të zhvilluara përgjatë viteve të shkuara, në këto votime shpërthyen me furi të paparë duke e vënë përfund statusin moral të garuesve.
Fushata kishte nisur që në hyrje të vitit elektoral, por temperatura e saj filloi të përvëlonte sapo kaloi kufiri zyrtar i shpalljes së saj. Ndeshja midis palëve, nga sa po vihej re, ishte e ashpër. “Aleanca për shtetin” vinte në këto zgjedhje pas qënies për tetë vjet në krye të vendit, kurse opozita pas tetë viteve në pritje të pushtetit qendror, pasi atë lokal e zotëronte.
Kryeministri i vendit, njëherësh dhe kryetari i socialistëve, Fatos Nano, kishte zgjedhur për të garuar në qytetin e Sarandës, ku ishte përqendruar e gjithë struktura e tij elektorale e përbërë nga zyrtarë të kabinetit, këshilltarë etj. Në krye të tyre qëndronte bashkëshortja e tij e dytë, Xhoana Nano, e akuzuar nga opozita se po stimulonte përdorimin e metodave bizantine të terrorit dhe abuzimit me pushtetin (një metodë kjo jo e shpikur prej saj, por e qenë prezent edhe gjatë kohës kur opozita e djathtë kishte administruar pushtetin).
Sikurse denonconte Partia Demokratike, shtypi e media e opozitës, tre ditë përpara mbajtjes së votimeve “shtabi i Fatos Nanos, me në krye bashkëshorten e tij po tensiononte situatën duke nxitur tensione sociale. Gjatë një takimi të mbajtur në lagjen “Butrinti” (në të cilën sundonin ndërtimet antiligjore), banorët e saj ishin kërcënuar se po të mos votonin për kryeministrin Fatos Nano nuk do t’u legalizoheshin banesat pa leje. Po ashtu në takimin elektoral të mbajtur në qytezën Ksamil, për t’i detyruar banorët të votonin për kandidat-kryeministrin Nano, ishte përdorur ligji 7501, i ndarjes së tokës bujqësore dhe shndërrimi i tij në troje ndërtimesh për qëllime turizmi. Një qytetar që kishte shprehur mendimin e tij kundër, Nebil Marku, ishte kërcënuar nga badigardët. “Grupi i pushtetarëve socialistë të kryesuar nga Xhoana Nano ka dashur t’u dorëzojë banorëve 50 fletë akt-marrje në përdorim të tokës, gjë që ka nxitur konfliktin me kreun demokrat të komunës, Vesel Koçi.”
Këto qenë të vetmet incidente të raportuara deri në dt. 03 korrik 2005, kurse ato që e dominuan situatën ishin certifikatat dhe listave emërore, që nga sa dukej ishin projektuar për të qenë arma e fitores.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u raportua se prej zyrave të Gjendjes Civile ishin zhdukur 15 mijë certifikata, që sipas kryetarit të KQZ-së, Ilirian Celibashi, mund të hidhnin në erë procesin zgjedhor më të rëndësishëm të vendit. Në komunën Kajan të rrethit të Elbasanit u raportua se ishin vjedhur 3100 certifikata të serisë 3100 – 6100. Këtë situatë, anëtari i KQZ-së, Çlirim Gjata do ta karakterizonte kështu: ”Ky është një fenomen i rrezikshëm. Në fillim u fol për 5 mijë certifikata të humbura që në muajin dhjetor dhe përditë ky numër vjen duke u rritur. Nuk dihet sa certifikata janë të vjedhura, të humbura apo të shpërndara, ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë për ndonjë hetim se kush i ka vjedhur dhe çfarë bëhet me to”. Në të njëjtën kohë, duke komentuar sjelljen e grupit përfaqësues të kryeministrit Nano në Sarandë, nëpërmjet një konference shtypi të mbajtur në dt. 30 qershor 2005, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Lulzim Basha, PD u shpreh: “Kërcënimi që kryeministri ka lëshuar ndaj autoriteteve lokale në Sarandë dhe Ksamil ka si synim që nëpërmjet presionit të mundësojë vënien në jetë të mekanizmit të certifikatave të falsifikuara”.
Shtetasi shqiptar me nënshtetësi amerikane, Nikollë Pëllumbi, i dtl. 1935, i ardhur në vendlindje nga SHBA, denoncoi dhunën e ushtruar, sipas tij në dt. 29 qershor 2005, nga një grup militantësh socialistë të prirë nga kandidati për deputet i PS-së, Paulin Sterkaj. Ngjarja kishte ndodhur në Vermosh, pranë kishës, gjatë kohës kur mbahej ceremonia e meshës. I dhunuari Pëllumbi denonconte publikisht se kandidati për deputet shoqërohej nga rreth 50 policë civilë dhe agjentë të SHISH-it…
Dhurimi i transformatorëve nga KESH-i, shpërndarja e thasëve me miell dhe i ushqimeve, prania e makinave me xhama të errët që terrorizonin votuesit, prezenca nëpër listat e votuesve e personave të dyzuar etj., ishin disa nga denoncimet që i paraprinë ditës së mbajtjes së votimeve.
Dy ditë para datës 03 korrik, Gjykata e Tiranës refuzoi të regjistronte rreth 1400 studentë që banonin në “Qytetin Studenti”, duke u hequr të drejtën e votimit në qendrën e banimit. Kjo nën argumentin se studentët ishin të regjistruar diku tjetër, në rrethet ku kishin gjendjen civile. Ndodhte kjo, ndërsa neni 64/1 i zgjedhjeve përcaktonte të drejtën e votimit në vendqëndrim.
Koalicioni shqiptar kundër korrupsionit (ACAC) denoncoi shpenzimet e mëdha të PS-së në fushatë, por i ashpër në denoncimin e përgatitjeve për manipulim ishte edhe Ilir Meta, drejtuesi i LSI-së, që në konferencën e shtypit të mbajtur në dt. 01 korrik deklaroi: “Qëllimi i manipulimit nga banda e Fatos Nanos është kryeqyteti, ku në mënyrë të paligjshme, aspak transparente, është bërë unifikimi i kodit të të gjitha njësive bashkiake të Tiranës me numrat 372, kur ka qenë një numër i ndryshëm kodi për të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës”. Duke dashur ta mbështesë mekanizmin e lëvizjes së kësaj skeme manipulimi me prova reale, Meta publikoi një certifikatë që kishte numrin e kodit të një njësie të kryeqytetit, por që ishte lëshuar dhe vulosur nga bashkia Fier. Lidhur me fatin e mëtejshëm të saj, Ilir Meta tha se ishte njoftuar ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Pavël Vacek, si dhe do merrte takim me shefin e ODIHR, Grunnet.
Këto zgjedhje, që vinin 15 vjet pas ndryshimit të sistemit monopartiak, u monitoruan nga 400 vëzhgues të huaj dhe 3000 vëzhgues vendorë, përfaqësues të shtatë organizatave shqiptare. Në përkufizim të zhvillimit të tyre ambasadori Vacek do të deklaronte se ai ishte një proces që u trondit nga certifikatat.
Vdekja e komisionerit
Ngjarja e rëndë dhe e para e një procesi zgjedhor, kishte ndodhur në qendrën e votimit nr. 37. Komisionieri i ndjerë, jetëhumbur, quhej Learton Vathi, 46 vjeç, i qëlluar me një plumb pistolete poshtë zemrës…
Gjatë ditës së mbajtjes së votimeve incidentet e raportuara mbi praninë e dhunës dhe terrorit ishin të pakta në numër, por ajo që e errësoi këtë të re pozitive të këtyre zgjedhjeve ishte humbja e jetës së një komisionieri të opozitës. Ngjarja e rendë dhe e para e një procesi zgjedhor postkomunist, kishte ndodhur në qendrën e votimit nr. 37. Komisionieri i ndjerë, që kishte humbur jetën, quhej Learton Vathi, 46 vjeç, i cili ishte qëlluar me një plumb pistolete, pas një debati midis palësh me përfaqësi të ndryshme politike. Plumbi i kishte përshkruar pjesën poshtë zemrës dhe ai ishte shuar në ambientet e spitalit, nga hemorragjia.
Megjithëse u raportua për manipulim të listave të votuesve, për presion ndaj komisionerëve të opozitës, për prani të propagandës elektorale ditën e votimit dhe pranë QV-ve, për kontrollim të fletëvotimeve që shënjoheshin, certifikatat mbetën kremastari ku u var anatema e fatit të këtij procesi, në të cilin e majta vinte e ndarë si forcë politike. Në zonën nr. 31 ishin kapur persona me certifikata të falsifikuara…, në zonën me nr. 17, rreth 400-500 persona tërhiqnin ende certifikata nga zyra e Gjendjes Civile… Raportimet vazhdonin…
KQZ-ja deklaroi të dielën rezultatet e 98 zonave zgjedhore në sistemin maxhoritar, ku PD-ja kishte fituar në 55 zona, PS në 41 zona, LSI në një zonë dhe një kandidat i pavarur, ndërkohë që, nga numërimi i votave në 97 zona në sistemin proporcional kryesonte PR, me rreth 20% të votave, PSD, me afro 13%. Ndërkohë PD-PS mbeteshin në garë balotazhi për dy mandate të tjera në mazhoritar, ku votimet do të përsëriteshin në zonat nr. 2 dhe nr. 64. “Rezultatet e votimit proporcional, si dhe ankimet në disa zona, po shtojnë shpresat e socialistëve dhe aleateve të tyre për një rezultat më të lartë në këto zgjedhje”, -përshkruanin analistët vendas, ndërsa radioja “BBC” komentonte: ”Ankimet e kandidatëve vonojnë rezultatin përfundimtar. Procesi zgjedhor në Shqipëri është futur në spiralen e ankimeve të shumta nga kandidatë për deputetë dhe parti politike, duke vonuar ndjeshëm nxjerrjen e rezultatit përfundimtar…” Sipas vëzhguesve të huaj, situata post-zgjedhore po tensionohej ngaqë kjo vonesë kishte rritur edhe tensionin në mesin e partive politike. Presidenti Alfred Moisiu e kishte vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor dhe mënyrën se si po e administronte atë KQZ-ja, ndërsa bëri thirrje për rikthimin sa më shpejt në jetën normale. Zëdhënësi i KQZ-së, Erton Sinani, tha se në KQZ ishin depozituar 230 ankesa post-zgjedhore për kundërshtimin e tabelave të rezultateve (më vonë ky numër do të ngjitej në 303), kurse udhëheqësit socialistë kanë thënë se do të njohin vetëm rezultatet e certifikuara nga institucionet e zgjedhjeve. Kryeministri Fatos Nano ka akuzuar PD-në dhe kryetarin e saj Sali Berisha se po bënte presion mbi administratën, kurse sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode, bëri të ditur se kishin filluar përgatitjet për krijimin e qeverisë së re… Dhe kur më së fundi KQZ vendosi ta mbyllte procesin, komunikoi rezultatin sipas të cilit dilte se në sistemin mazhoritar PD kishte fituar 56 deputetë, PS 40 deputetë, LSI një deputet, PBDNJ një deputet dhe një deputet i pavarur. Në proporcional PD dhe aleatët e “Duarve të pastra” kishin fituar 19 deputetë, PS dhe aleatët 16 deputetë dhe LSI 5 deputetë. Kjo donte të thoshte se me numërimin 56 + 19 = 75 deputetë, PD formonte shumicën parlamentare, duke marrë edhe të drejtën e krijimit të qeverisë, për të cilën duheshin 50% + 1 votë e deputetëve të parlamentit me 140 deputetë, pra minimumi 71 deputetë minimumi.
Çfarë përbën çudinë e këtyre votimeve është fakti se ndonëse në to PD arriti të marrë 41% të votave të elektoratit, duke futur PAA-në e Xhuvelit, PR-në, PDK e PBL, përfitoi 53% të deputetëve të parlamentit me 140 vende.
Në vlerësim të tyre, Olli Rehn, komisioneri europian për zgjerimin, gjatë një takimi me ministrin e jashtëm gjerman, Joshka Fisher, vlerësoi: “Zgjedhjet duket se kanë qenë të drejta dhe të lira, duke u bazuar në raportet e vëzhguesve të organizatave të tilla si OSBE-ja, ODIHR, etj. Kjo ka hequr një nga barrierat kritike për përfundimin e negociatave për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Shqipërinë. Ka ende çështje të tjera që duhen zgjidhur por kjo, sigurisht përbën rritje të fortë të shanseve të Shqipërisë për të bërë një hap tjetër përpara në rrugën drejt Europës”.
Nesër: VOTIMET 2007. NJË OPOZITË TJETËR.
Medemek manipulimet i beri PS-ja, qe ishte ne pushtet, zgjjedhjet i fitoi PD-ja -pala e demtuar nga manipulimet. Kjo eshte shume e bukur. Ne kete shkrim nuk del aspak e verteta: qe Nanoja beri fushate vetjake, gjoja te forte, per te fshehur pazarin qe kishte bere me Berishen per t’ia lene fitoren, me kusht qe te mbeshtetej me favore vetjake. Pse e dorezonte Nanoja pushtetin? Sepse ishte lodhur se vjedhuri, sepse ishte bere i urryer. Ai ne vend qe te ikte vete nga skena politike e te linte partine qe kryesonte te fitonte zgjedhjet, i shiti ato te kundershtari i tij, qe dikur e kishte futur edhe ne burg, sikur t’i kishte zgjedhjet e pushtetin ndonje prone qe ia kishte lene babai. Ja, nga keta politikane kemi e do kemi edhe ca kohe, sa te vije mortja te beje punen e saj.