Lista e Zgjedhësve, si një mjet që sanksionon të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre, përbën një ndër elementët më thelbësor të ndërtimit dhe realizimit të një procesi zgjedhor ligjor, të drejtë dhe të ndershëm.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) konstaton se procesi i përgatitjes dhe publikimit të listave paraprake të zgjedhësve, më saktësisht, i ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve, sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, është cënuar nga mosrespektimi i afateve ligjore të parashikuara dhe moszbatimi i dispozitave ligjore të përcaktuara.
Sipas dispozitave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor[1] si dhe në udhëzimin nr. 374 datë 10.12.2012 të Ministrisë së Brendshme[2], të gjitha njësitë vendore duhet që brenda datës 3 Janar 2013 të kishin përgatitur, printuar dhe publikuar në ambientet e Zyrave të Gjendjes Civile, ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun, ekstratin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve[3].
Koalicioni ngre shqetësimin për ndjeshmërinë e pakët ndaj zbatimit me korrektësi të ligjit që vërehet në një pjesë të madhe të zyrtarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, madje disa prej tyre nuk janë në dijeni të detyrimit ligjor, apo kanë informacion të gabuar mbi dispozitat që përcaktojnë afatet apo mënyrat e publikimit të listave paraprake të zgjedhësve.[4]
Një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore ende janë duke punuar për riformatimin e qendrave të votimit sipas kërkesave të reja të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon shkrirjen e qendrave të votimit me më pak se 200 zgjedhës si dhe ndarjen e qendrave të votimit me më shumë se 1000 zgjedhës (përjashto qarkun Tiranë ku ky kufi është 700 zgjedhës), ndërkohë që afati i përcaktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit sipas procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe në udhëzimin e Ministrisë së Brendshme ka qenë data 3 Janar 2013[5].
Koalicioni i tërheq vëmendjen Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, për një përkushtim dhe profesionalizëm sa më të lartë në përmbushje të detyrimeve ligjore.
Sipas informacioneve të marra kryesisht nga Njësitë Bashkiake në Tiranë, konstatohet se ka patur probleme në lidhje me ndarjen e zgjedhësve me të njëjtin mbiemër apo nga e njëjta familje në qendra të ndryshme votimi, ndërkohë që Kodi Zgjedhor përcakton qartë se “programi kompjuterik i RKGJC (Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile) bën ndarjen automatike të listës mbi bazën e numrit të qendrës së votimit të caktuar çdo zgjedhësi. Zgjedhësit me të njëjtin mbiemër nuk mund të ndahen në lista të ndryshme”[6] .
Në ekstratin zgjedhor janë evidentuar edhe pasaktësi të tjera, madje rezultojnë qendra votimi pa asnjë të dhënë siç është rasti i QV Nr. 1699 në Njësinë Bashkiake Nr. 1, në Tiranë[7].
Koalicioni i tërheq vëmendjen Ministrisë së Brendshme që të detyrojë institucionet dhe administratën në varësi të zbatojnë ligjin me seriozitet dhe profesionalizëm, si dhe t’u ofrojë informacion dhe gatishmëri për bashkëpunim të gjithë aktorëve institucionalë sikundër e kërkon ligji.
Ministria e Brendshme duhet të marrë urgjentisht masa të furnizojë me pajisjet e nevojshme kancelarike Zyrat e Gjendjes Civile në Kuçovë, Lushnjë, Kavajë, etj, ku procesi i publikimit të listave ka ngecur për mungesë të bojës së printerit.
Në përfundim, Koalicioni i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të përdorë sa më parë instrumentat e tij për të mbikëqyrur nga afër procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit si dhe të numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, sikundër e kërkon ligji[8], si edhe për të ushtruar autoritetin e tij për të mbështetur e ndihmuar Njësitë e Qeverisjes Vendorë në realizimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit 2013!
Më poshtë vijojnë sqarimet përkatëse nga KVV lidhur me çështjet e ngritura më sipër:
[1] Neni 51, pika 4 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012: “4. Jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, pas miratimit nga kryetari i njësisë vendore, printojnë dhe publikojnë ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë vendbanim në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre. Publikimi bëhet në ambientet e zyrave të gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun.
[2] Pika 12 e Udhëzimit Nr. 374, datë 10.12.2012 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin”: “12. Zyrat e gjendjes civile në bashki/komuna/njësi bashkiake, brenda datës 3 janar 2013, printojnë dhe publikojnë, pasi të firmoset nga kryetari përkatës, ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve, sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ekstrakti i përbërësve zgjedhorë, me të njëjtat kritere, do të printohet dhe publikohet edhe çdo 30 ditë sipas përcaktimit të Kodit Zgjedhor. DPGJC-ja publikon këto ekstrakte në shkallë vendi, në faqen e saj zyrtare, si dhe ia dërgon KQZ-së për publikim në faqen e saj zyrtare.
[3] Nga monitorimi i kryer deri më tani rezulton se vetëm pak njësi vendore i kanë publikuar listat paraprake të plota (psh. Njësia Bashkiake Nr. 3 – Tiranë, Bashkia e Këlcyrës – Përmet, Bashkia Burrel, etj); disa i kanë publikuar ato pjesërisht dhe po punojnë për ndreqjen e gabimeve në pjesën tjetër të listave (psh. Njësia Bashkiake Nr. 4, Nr. 7 dhe Nr. 11 – Tiranë, etj); ndërkohë që ka edhe njësi të cilat i kanë publikuar listat të shpërndara në vende publike pranë qendrave të mundshme të votimit, dhe jo pranë zyrës së gjendjes civile sikundër parashikohet në ligj (psh. Njësia Bashkiake Nr. 11 – Tiranë, Bashkia Kukës, etj).
[4] Ndër argumentat e paraqitura përmendim: Listat janë gati por nuk jepet asnjë argument për mospublikimin e tyre; Listat janë në proces verifikimi por sipas tyre ka kohë deri në 2 muaj para ditës së zgjedhjeve për të bërë publikimin e tyre; Listat janë online dhe skanë marrë udhëzim apo urdhër që t’i publikojnë, etj. Këto dhe argumente të tjera janë dhënë nga njësitë vendore si në Bulqizë, Durrës, Librazhd, Tepelenë, Njësia Bashkiake Nr. 8 – Tiranë, Sarandë, Malësi e Madhe, etj.
[5] Neni 62, pika 5 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012, si edhe Udhëzimi Nr. 374, datë 10.12.2012 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin”. Ky proces është konstatuar në Elbasan, Vlorë, Përmet, Gjirokastër, Pogradec, Shkodër, etj.
[6] Neni 51, pika 3 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012, si edhe Pika 8 e Udhëzimit Nr. 374, datë 10.12.2012 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin”.
[7] Sipas zyrtarëve të Njësive Bashkiake, Zyrtarët e RKGJC kanë pranuar gabimet në lista për shkak të një gabimi kompjuterik, madje kanë qene këta të fundit që iu kanë kërkuar atyre të ndërpresin procesin e shpalljes së listave paraprake deri në saktësimin e tyre.
Koalicioni u përpoq të merrte reagim zyrtar nga RKGJC, por nuk iu dha asnjë shpegim nga zyrtarët përkatës.
[8] Neni 50, pika 3 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012.