Zgjedhjet 2013, rritje artificiale e banoreve në qarkun e Kukësit

editor

Rritje artificiale e banoreve në qarkun e Kukësit vetëm 2 muajt e fundit të këtij viti, pak kohë para se KQZ të nisë shqyrtimin për rishpërndarjen e mandateve në zonat elektorale. Kështu kjo zonë mbetet e pandryshuar ndërsa mandati i kërkuar i hiqet Beratit.

Sipas dokumenteve në periudhën shtator- nëntor, janë shtuar në 6 komuna të Kukësit rreth 600 banorë, të gjithë në fshatra larg qendrave të banimit. Sipas dokumenteve janë shtuar në komunën Topojan 166 shtetas me të drejte vote, në Shishtavec 88, në Kolsh 141, në Gjinaj 73, në Golaj 60 dhe në komunën Fierzë 124 banorë. Këto rritje, vetëm për dy muaj dhe kryesisht ne komuna, mandatet e te cilave mbahen nga deputete te Partisë Demokratike. Gjatë intervistës për Vizion Plus, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, sqaron se ky proces është monitoruar prej kohesh nga selia rozë dhe vetë ai, ka dërguar në adrese të Ministrisë së Brendshme tre shkresa në muaj të ndryshëm. Për ato të dërguara në muajin maj dhe korrik është kthyer informacion ndërsa për atë të dërguar në muajin shtator, përgjigja është dhënë 2 muaj më pas, kohe e mjaftueshme për të kryer manipulimet. Gjiknuri shton se PS do të vazhdojë të monitorojë këtë proces duke shtuar se e gjithë loja është bërë për të ruajtur mandatin e demokratëve në këtë qark. Nëse dokumentet janë të saktë, Kukësi është qarku i dytë pas Tiranës që ka rritjen më të madhe të popullsisë, fluks ky banorësh të rinj i përqendruar i gjithi ne 2 muajt e fundit, para rishpërndarjes së mandateve.

Ndërkohë pas 2 orë debatesh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të marrë vendim për ndarjen e mandateve të deputeteve për zgjedhjet e vitit 2013. Anëtarët e propozuar nga PS në KQZ, Denar Biba dhe Albana Shtylla, kanë kërkuar informacion shtesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile rreth lëvizjeve demografike; specifikisht në qarkun e Kukësit, për shkak edhe te dyshimeve mbi rritjen e popullsisë ne këtë qark shprehur nga përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj. Kryetarja e KQZ Lefteri Lleshi është shprehur kundër një hetimi administrativ për lëvizjet e popullsisë në qarkun e Kukësit, por iu ka lëne dy ditë afat propozuesve për të marrë informacion shtese, duke e shtyrë vendimmarrjen në datën 23 nëntor. Akti i përgatitur nga administrata e KQZ në bazë të informacionit të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për numrin e popullsisë, parashikon shtimin e një mandati për qarkun e Tiranës dhe Durrësit si dhe pakësimin e një mandati për qarkun e Beratit dhe Korçës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *