Zgjedhjet parlamentare, të cilat janë paralajmëruar të mbahen në muajin prill në Serbi, do të ndikojnë drejtpërdrejtë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të paktën në nivelin më të lartë të përfaqësimit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Ata thonë se dialogu do të pushojë të paktën deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti.
Nuk përjashtohet mundësia që ky pushim të jetë edhe më i gjatë, kur gjithë kësaj situate i shtohen edhe problemet në skenën politike në Kosovë, si pasojë e kundërshtimeve që ka opozita lidhur me marrëveshjet e caktuara të arritura në kuadër të këtij dialogu.
Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e lirë, vlerëson se takimi i përfolur si i mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të janarit në Bruksel, në rast se edhe ndodh eventualisht, ai do të jetë i fundit në nivel kryeministrash, për një periudhë disa mujore.
“Sa herë që ka pasur zgjedhje në Serbi, kanë afektuar në masë kritike dialogun. Edhe zgjedhjet lokale kanë afektuar në masë kritike dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve. Por, duke pasur parasysh edhe krizën (politike) në Prishtinë, ka qenë vështirë të pritet ndonjë avancim i theksuar i dialogut në këtë pranverë”.
Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhjet në Serbi dhe siç e quan ai, kriza politike në Kosovë, tashmë kanë krijuar kushte që dialogu të pushojë, tash për tash.
“Duket që dialogu, megjithatë, do të ‘pauzojë’ për shkak të zgjedhjeve (në Serbi), por edhe për shkak të klimës së krijuar pas dënimit të Oliver Ivanoviqit. Unë mendoj se tash për tash nuk ka kushte që dialogu të vazhdojë. Takim mund të ketë, të ekspertëve, sidomos sa u përket këtyre çështjeve që ne po i quajmë teknike”.
