Meksikanët i janë drejtuar sot kutive të votimit për të përcaktuar presidentin e ri të vendit.
Këto zgjedhje në Meksikë janë cilësuar si më të përgjakshmet, pasi më shumë se 130 kandidatë dhe punonjës të fushatave politike janë vrarë që nga fillimi i tyre.
Sondazhet duket se favorizojnë kandidatin e majtë 64-vjeçarin Andres Manuel Lopez Obrador, i cili ka qenë kryebashkiaku i kryeqytetit Meksiko City.
Ai është zotuar për të luftuar korrupsionin dhe në rast se ai fiton, Obrador mund të nxjerrë jashtë loje dy partitë që qeverisin Meksikën thuajse prej një shekulli.
Rivalët e tij, të cilët renditen shumë prapa në sondazhe, e përshkruajnë Obradorin si një populist, të cilit nuk mund t’i besohet ekonomia e vendit.
Por krahas presidentit të ri, meksikanët do të zgjedhin edhe 128 senatorë dhe 500 përfaqësues në kongres.
88 milionë meksikanë kanë të drejtë vote dhe sipas analistëve këto zgjedhje, për vetë faktin që janë luftuar kaq shumë, pritet që të kenë pjesëmarrje rekord.
Për më tepër, pakënaqësia e madhe ndaj presidentit aktual Enrike Pena Nieto ka arritur kulmin dhe meksikanët e bëjnë atë e administratën e tij fajtorë për ekonominë e dobët, korrupsionin galopant, krimin dhe pandëshkueshmërinë.
s.a/dita
