Fitorja e Bersanit u vërtetua me një përqindje që nuk pritej: 60.9% të votave. Ai shprehet mirënjohës dhe nuk i kursen as fjalët e lavdërimit për kundërshtarin Mateo Renci.
Pesë muaj pasi u hap sfida e zgjedhjeve për qendrën e majtë, Pier Luixhi Bersani, lideri veteran i Partisë Demokratike mundi Mateo Rencin me një diferencë prej afro 22% të votave. Rreth 2.6 milionë votues iu rikthyen votimeve më 2 dhjetor në raundin e dytë. Bersani vërtetoi edhe një herë suksesin e tij në qytetet e mëdha dhe rimori “zonat e kuqe”, ku votuesit ishin të pavendosur. Polemikat për rregullat e zgjedhjeve që pllakosën mbi fushatën elektorale deri në ditën e fundit, u lanë mënjanë kur u shpallën të dhënat përfundimtare. “Fitorja e Bersanit është e qartë,” u shpeh Renci për mediat menjëherë pas telefonatës së urimit që i bëri fituesit. Bersani, nga ana e tij, pranoi se një sukses i tillë nuk ishte pritur.
Festa e fitores
Bersani doli në skenën e teatrit “Capranica” të Romës midis notave muzikore të Vasko Rosit pa fshehur dot emocionet. Falënderoi familjen e tij dhe shprehu mirënjohje për mbështetësit dhe vullnetarët e shumtë që punuan për fitoren e tij. U shpreh i kënaqur pasi rezultatet tregonin se fitorja nuk ishte ‘gjysmake’ dhe se synimet e tij tani e tutje do të përqendrohen në bashkimin e qendrës së majtë drejt zgjedhjeve të 2013-s.
Një ditë pas shpalljes së fitores së tij, Bersani i futet punës . Planet e para përfshijnë sferën ndërkombëtare ku me rëndësi është përmirësimi i profilit të Italisë në Mesdhe.
“Duke filluar nga nesër duhet të merrem me dy gjëra. Së pari, do të marr masa për t’i dhënë një profil të fortë qeverisjeje qendrës së majtë e së dyti, do të përgatis rrugën për t’i lënë hapësira gjeneratës së ardhshme”, tha Bersani duke theksuar sërish premtimin për ndryshime.
“Duhet të fitojmë edhe zgjedhjet e përgjithëshme, por fitorja nuk mund të bazohet mbi përralla. ‘Meqë nëna e demagogjisë dhe populizmit është gjithmonë shtatzënë’ , ne duhet të marrim një tjetër drejtim, duhet të fitojmë me duke u mbështetur vetëm te e vërteta”, shtoi ai.
Ndërsa kryetarit të Bashkisë së Firences, kandidati për kryeministër i bëri ‘nderimet e pasluftës’: “Renci ishte një figurë e fortë dhe e freskët që i dha një kuptim të ri zgjedhjeve. Sapo të jetë e mundur do të takohem për një drekë me të”.
‘Mea culpa’ e Rencit
Jo pak emocione kishte dhe në Firence. “Kam përmbajtur lotët, edhe pse nuk ishte e lehtë. Nuk munda ta ndryshoj politikën”, pranoi Renci. Dhe siç premtoi, nuk do të kërkojë rrugë të ndërmjetme për të ndryshuar rezultatet. “U them jo marrëveshjeve sipas mënyrës së vjetër. Ishte një garë e bukur, por përfundoi këtu. Nuk kam për t’i devijuar fjalës sime”, tha ai.
Në stafin e partisë së Bersanit u festua gjatë fitorja e ndoshta entuziazmin ia shtonte humbja e Rencit. “U mposht Renci dhe idetë e tij”, thërrisnin mbështetësit. Ndërsa për Masimo D’Alemën, Bersani ishte një lloj ‘Davidi kundër Golias’. “Fitorja u arrit, megjithëse të gjitha mediat ishin bërë njësh kundër nesh”, u shpreh ai.
Megjithatë, hesapet me Mateo Rencin nuk janë larë për shkak të 40% të votuesve që e mbështetën dhe si pasojë e ndryshimit që sjell ky fakt në bilancin brenda qendrës së majtë. Ai u kthye të hënën në zyrën e tij si kryetar bashkie. Pak me hidhërim e disi autoironik, ai bën shaka me një frazë që kishte dëgjuar për veten: ‘Renci më në fund bëri diçka të majtë: humbi’.
Somario: Bersani vërtetoi edhe njëherë suksesin e tij në qytetet e mëdha dhe rimori “zonat e kuqe”, ku votuesit ishin të pavendosur. Renci humbi me gati 22% më pak të votave