Ndërsa po afron 23 qershori, dita kur mbahen zgjedhjet parlamentare, akoma më shumë rritet edhe ankthi nëse zgjedhjet do të jenë të rregullta. Gjasat janë që edhe këto zgjedhjet të quhen si zgjedhjet më të mira të bëra deri më tani, por që nuk i plotësojnë standardet. Le të shohim disa nga mënyrat me të cilat manipulohen zgjedhjet në Shqipëria. Një nga teknikat më të përhapura që përdoret është votimi i dyfishtë. Ta thjeshtëzojmë. Një person që është votues në Kukës, pasi voton atje në mëngjes, niset edhe voton në vendin ku është caktuar për të votuar për së dyti. Sigurisht, kjo bëhet në mënyrë të organizuar dhe nuk është vetëm me një person, por me mijëra të tillë. U sigurohet udhëtimi, ushqimi dhe kthimi. Furgonat gjatë gjithë rrugës shoqërohen nga policia, në mënyrë që të mos ketë probleme. Ju do thoni se këtë herë nuk është e mundur pasi s’ka dublikime. Por sistemi mund të eliminojë vetëm ata emra që janë të njëjtë. Po çfarë bëjnë mjeshtrit e kësaj pune? Ata ndryshojnë atësinë në lista. Pra, p.sh. Gëzim Blerim Poka është një votues në Kukës. Në listën ku është caktuar të votojë për herë të dytë ka të njëjtin emër e mbiemër, por ka atësi të ndryshme. Pra, mund ta ketë Gëzim Bledar Poka. Kjo i lejon atij të votojë edhe në Kukës, edhe në komunat e Tiranës, si Paskuqani p.sh. Është një sistem i tërë që ngrihet para zgjedhjeve e funksionon me direktiva të qarta, me urdhra të padukshme. Është gati si sekt.
Një mënyrë tjetër është presioni me heqjen e vendit të punës. Kjo taktikë përdoret me të punësuarit e administratës. Dy muaj para zgjedhjeve, administratës së shëndetësisë apo arsimtarëve u kërkohet të plotësojnë një formular, në të cilin kërkohet numri i votuesve në familjen e tyre si dhe qendrën ku ata votojnë. Më pas, të dhënat u shpërndahen përgjegjësve sipas qendrave ku janë të caktuar të jenë komisionerë dhe ata janë të kujdesshëm që ditën e zgjedhjeve të përcjellin kërcënimin e pushtetit te gjithsecili prej tyre. Kjo është metodë shumë e sofistikuar dhe bëhet me njerëz që janë të sprovuar me këto punë e nganjëherë përdoren edhe njerëz të dyshimtë kriminalë.
Një tjetër opsion i manipulimit të votës është edhe fotografimi i fletës me anë të aparatit celular. Punonjësit të administratës i kërkohet që të fotografojë votën dhe pasi del nga qendra e votimit ai duhet t’ia tregojë fotografinë personit mbikëqyrës të manipulimit. Në rast të kundërt, atij i bëhet e ditur shkarkimi nga puna.
Po çfarë ndodh në zonat rurale? Në këto zona ndodh edhe manipulimi më i rëndomtë: blerja e votës. Në komuna pak a shumë njihen edhe vektorët e kaheve. Dihet kush është i majtë e dihet kush është i djathtë. Në këto zona edhe varfëria është e madhe. Këtu bëhet kërdia në blerjen e votave. Një votë mund të shkojë nga 2000 lekë e deri në 8000 të reja. Kjo është në varësi të forcës së bindjes së votuesit. Mjeshtri që është ngarkuar me këtë punë kontakton me kryefamiljarin e një familjeje që njihet që është votues i majtë. Ai në këmbim që të mos votojë fare i afrohen para. E në kushtet e varfërisë ekstreme, rrallëkush nuk tundohet. Pasi arrihet akordi, kryefamiljarit i kërkohet që të dorëzojë të gjithë kartat e identitetit të familjarëve që janë votues. Kjo bëhet në mënyrë që të mos i lihet asnjë rrugë e mundshme votimi. Kartat mbahen deri pasi të mbarojnë zgjedhjet e pastaj iu kthehen mbrapsht. Ky mekanizëm aplikohet me shumë familje e sidomos me ato familje që kanë shumë votues e janë me bindje të majta.
Një tjetër mënyrë është edhe qarkullimi i fletës së votimit nga votuesit. Para se personi të futet për të votuar, atij i jepet një flet e shënuar me kryq tek partia që duhet votuar. Ai futet në qendrën e votimit, merr fletën nga komisioni edhe shkon tek dhoma e fshehtë. Në këtë moment nxjerr fletën e shënuar dhe e fut në kutinë përkatëse, ndërsa fletën që e merr nga komisioni e fut në xhep e kur del jashtë, fletën e paprekur iu jep “mjeshtrit”. Ky qarkullim bëhet me shumë persona, me qindra. Të mos themi se atyre u bëhet presion edhe me mënyra të çuditshme. P.sh.,duke qenë se shumica e njerëzve nuk e dinë se si funksionon sistemi zgjedhor, pra njerëzve të thjeshtë. Atyre u tregohen edhe mënyra të ndryshme të kontrollimit të votës. Para votimit, “mjeshtri” e nxjerr veçmas votuesin dhe me një stilolaps që dallohet vetëm nga drita e lazerit i demonstron se si mund t’ia kontrollojë votën. Atij i jepet një stilolaps i tillë e i kërkohet që të bëjë një shenjë tek fleta e votimit. Sigurisht, shkrimi i stilolapsit nuk dallohet kur kalon në proces numërimi, por ama as nuk ka mundësi që të vërtetohet votuesi. Kjo lloj metode është thjeshte një kërcënim për njerëzit që nuk janë të informuar, por që funksionon në mënyrë perfekte. Që të ketë ndryshim pushteti duhet që vota kundër pushtetit të jetë aq e madhe se të mbushë të çarat e votimit. A do ndodhë kjo më 23 qershor?? Në mbetet veçse të presim.
Jane te gjitha te verteta por ka dhe shume te tjera prandaj Partia Socialiste ti hape mire syte .Te evidentoje te gjitha rastet dhe te mos lejoje mangesi te tilla. Por fundja ti beje dhe ajo.
Shkrim i mire.
Kesaj radhe do te behen gati kutite mbushura te votimit, te cilat do te nderrohen nga policia me ato qe do te arijne ne KQZ nga qendrat e votimeve.