Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë mund të shtyhet. Qeveria e Kosovës i ka kërkuar qeverisë shqiptare shtyrjen e mbledhjes së parashikuar për në 16 nëntor, për shkak të zgjedhjeve lokale që do të ripërsëriten në shumicën e komunave të vendit.
Sipas kërkesës së qeverisë së Kosovës mbledhja do të zhvillohet në fillim të muajit dhjetor. Pala kosovare shpjegon se ndërsa Kosova ndodhet ende në valën e zgjedhjeve elektorale, një mbledhje e përbashkët mund të përdorej për interpretime elektorale.
“Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo nuk duhet të bëhet shkak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që kalendari i mbledhjes së përbashkët ishte rënë dakord që para caktimit të datës së zgjedhjeve. Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
