Zhvillimi i zgjedhjeve evropiane po vijon me tre shtete të tjera, Sllovaki, Maltë dhe Letoni. Sondazhet paraprake konstatojnë një fitim të së majtës në Sllovaki dhe Letoni, ndërsa në Maltë shfaqet një luhatje midis barazimit mes dy kampeve dhe një përparësi e mundshme e së djathtës.
Sllovaki
Qytetarët sllovakë po votojnë për zgjedhjen e 13 eurodeputetëve. Zgjedhjet e kaluara evropiane të vitit 2009, në Sllovaki shënuan pjesëmarrjen më të ulët, pothuajse nga të gjithë vendet e BE-së, vetëm me 19.6%. Rezultatet paraprake të sondazheve, shfaqin një panoramë jo të zakontë, pasi partia në pushtet SMER pritet të marrë numrin më të madh të deputetëve dhe një sërë partish të tjera, arrijnë të marrin vetëm nga një deputet. Rezultati final do të ndikohet nga mundësia e kalimit të pragut prej 5% nga një sërë partish të vogla.
SMER është aktualisht partia më dominante në Sllovaki, e cila zotëron shumicën e vendeve në parlamentin kombëtar. Një parti e majtë populiste, popullariteti i së cilës identifikohet shpesh me figurën e liderit të saj, Robert Fico. Ideologjikisht orientimet i përkasin populizmit të majtë, ndërsa orientimet kryesore sociale- ekonomike rrëshqasin drejt qendrës së majtë, por me një ngarkesë të theksuar nacionaliste dhe konservatore. Drejtimi i vendit nga Fico, konsiderohet si një drejtim autoritar, me tone të forta nacionaliste. Deklaratat e tij përjashtuese ndaj komuniteteve të tjera dhe kryesisht ndaj komunitetit rom, kanë shkaktuar polemika dhe në nivel evropian. Qëndrimet e tij autoritare dhe nacionaliste dhe bashkëpunimi i përkohshëm me partinë e djathtë Partia Nacionaliste Sllovake (SNS) përgjatë disa viteve, u shoqëruan me një reagim të menjëhershëm nga Partia Europiane Socialiste, e cila e pezulloi përkohësisht nga anëtarësia në të.
SMER është i pozicionuar në qëndrime pro-europiane, por cilësohet si një parti që pragmatizmi ia “lejon” që të përdori si tonet euroskeptike, nacionaliste por edhe konservatore.
Letoni
Letonia po voton në këto momente për të zgjedhur 8 eurodeputetë. Gara sipas sondazheve paraprake po favorizon koalicionin e majtë në opozitë “Harmony Center” (HC) midis partisë Social-Demokrate dhe Partisë Socialiste, e cila mund të arrijë në 4-5 deputetë. Ajo ndiqet në renditje nga koalicioni i djathtë “Unity’ i përbërë nga partia e qendrës së djathtë “New Era”, partia liberal-konservatore “Civic Union” dhe partia e qendrës “ Society for other Politics”.
Është për tu theksuar, se sistemi politik në Letoni, ka njohur një paqëndrueshmëri të vazhdueshme qeveritare, ku disa prej tyre janë rrëzuar vetëm pas disa muajsh qeverisje. Një pjesë e konsiderueshme e partive në Letoni vlerësohen si të lidhura me oligarkë të fuqishëm ekonomikisht dhe korrupsioni është një fenomen i ndjeshëm për vendin. Deri vonë Letonia nuk ka pasur sistem financimi shtetëror për partitë politike, duke i ekspozuar ato gjerësisht ndaj financimeve informale të klasës së pasur në vend. Regjistrimi i një partie është relativisht një proces i lehtë pasi kërkohen thjesht firmat e 200 personave për ta krijuar atë, duke rezultuar në një sërë partish të reja të krijuara vazhdimisht.
Koalicioni i majtë është pro-europian dhe përbëhet nga dy parti: Partia Social-Demokratike “Harmony” e formuar më 2010 nga shkrirja e katër partive pro-ruse. Lideri i saj aktual është kryebashkiaku i Rigës, Nils Usakovs. Ndërsa partia tjetër në koalicion është Partia Socialiste një parti e linjës së ashpër, me ideologji komuniste, e cila i konsideron ngjarjet e pavarësisë së Letonisë më 1991, si “goditja kundër revolucionare, borgjeze-nacionaliste”. Mospjesëmarrja e HC në qeveri ka shkaktuar perceptimin mbi imazhin e saj si parti e duarve të pastra. HC është shndërruar në partinë më të rëndësishme të votuesve etnikë rusë në Letoni.
Malta
Një nga vendet më të vogla të BE-së, Malta shkon në votime për të zgjedhur vetëm 6 eurodeputetë. Mungesa e sondazheve të besueshme e bën jo shumë të qartë se drejt kujt do të shkojë fitorja, por sondazhe jo zyrtare dhe jo shumë të besueshme shfaqin fituese Partinë Nacionaliste ndaj partisë në pushtet “Partit Laburista”. Gjithsesi gara mund të shkojë dhe drejt një barazimi 3-3 duke marrë parasysh që në 2009 PL mori 4 deputetë dhe ajo Nacionaliste vetëm 2. Malta ka një nga përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në votime. Në zgjedhje e 2009-s niveli i pjesëmarrjes arriti në 78.8%.(im.ta)