Të majtët dhe të djathtët tashmë varen nga Lëvizja Pesë Yjet për të krijuar një koalicion për në Senat. Lëvizja e Bepe Grilos mahniti të gjithë italianët me votat që mori duke dalë jashtë çdo lloj parashikimi të mundshëm
Mund ta kenë quajtur edhe pak të marrë e të jenë tallur me të, por humoristi Bepe Grilo, i cili ishte edhe fytyra zgjedhore e Lëvizjes “Pesë Yjet” ka arritur të marrë të paktën 25% të votave në zgjedhjet e zhvilluara në Itali për Senatin dhe Dhomën e Deputetëve dhe të lërë peng të dyja forcat politike në Shqipëri, si të majtën e Bersanit, ashtu edhe qendrën e djathtë të Berluskonit.
Lëvizja e Grilos ka dalë partia e dytë më e votuar në Itali, ndërkohë që në disa rajone është edhe më e votuara. Nga sondazhet parazgjedhore pritej një fitore e thellë e së majtës e përkatësisht e Partisë Demokratike të drejtuar nga Pier Luixhi Bersani, ndërkohë që Berluskoni pretendohej të kishte më pak mbështetje seç mori. Megjithatë duket se çdo parashikim është përmbysur pikërisht nga Bepe Grilo, që siç tregoi numërimi deri mbrëmë vonë, do të luajë një rol kyç në Senatin italian dhe në Dhomën e Deputetëve.
Tashmë në Itali kjo po cilësohet si “Fenomeni Grilo”, si një boom i paparashikuar, pasi Grilo pritej që të merrte vota, por jo në një numër kaq të madh. Sipas të majtëve, të cilët prisnin të kishte një fitore të thellë të tyre, numri i lartë i votave i marrë nga Grilo ka shumë mundësi që të ketë përfshirë ata të majtë të cilët në zgjedhjet e fundit brenda Partisë Demokratike votuan për Renzin i cili ishte përballë Bersanit në zgjedhje. Ky i fundit fitoi me një diferencë të vogël votash kundër Renzit çka besohet se ka çuar edhe në votat e shumta të marra.
Nga ana tjetër, Grilo nuk është shprehur për të bërë asnjë lloj koalicioni dhe deri në orët e vona të mbrëmjes në Itali ende nuk dihej se ç’do të bëhej. Në sistemin italian Dhoma e Deputetëve funksionon e veçantë nga Senati. Por nëse për Dhomën mjafton një votë më shumë për të pasur shumicën, që besohet se e ka e majta, për Senatin është e detyrueshme që të bëhet një koalicion. Dhe duket se për këtë koalicion të gjithë kanë kthyer sytë nga Grilo.
Ky i fundit, i njohur si jodashamirës ndaj mediave italiane, edhe në fund të fushatës së tij ka pranuar vetëm gazetarë të huaj. Nga ana tjetër ai njihet si një kundërshtar shumë i flaktë i Berluskonit dhe besohet se nuk do të bëjë një koalicion me të djathtë.
Në mbyllje të fushatës së tij Grilo madje i kërcënoi politikanët duke u shprehur: Dorëzohuni! Jeni të rrethuar!
Italia duket se tashmë duhet të presë Grilon. Shumë të majtë thonë se ai ka përfituar nga gjendja e keqe në Itali dhe se është thjesht një lëvizje populiste. Në fakt, Lëvizja Pesë Yjet është një lëvizje e cila nuk ka fytyra të njohura në të. Aty marrin pjesë të rinj e të rinj dhe në të gjithë propagandën e tij Bepe Grilo është shprehur se është koha që të vjetrit të largohen nga politika. “Fytyra ime është vetëm për të ndihmuar këta persona që të ndryshojnë sistemin. Unë jam thjesht një fytyrë. Nuk jam për të drejtuar!” është shprehur herë pas here Grilo.
Por të majtët thonë se tashmë shumë gjëra janë lëmsh. Pavarësisht paragjykimeve për Grilon, ata shpresojnë shumë që ky i fundit të bëjë një koalicion me të majtët dhe jo me Berluskonin, që do të thoshte rikthim i tij në pushtet. Dhe nëse humoristi nuk pranon koalicionin, kjo do të çonte në zgjedhje të reja. “Mund të themi fare mirë se Grilo po mban peng Italinë”, u shpreh mbrëmë për gazetën “Dita” një nga komisionerët e Partisë Demokratike në Kaljari.
Zgjedhjet dyditore të zhvilluara në Itali u mbyllën të hënën në orën 15:00 për të filluar numërimin e votave dhe për të shpallur kështu fituesin. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ra me 6%.
Deri në orët e vona të mbrëmjes së të hënës e majta dhe qendra e djathtë kishin një luhatje shumë të vogël me vetëm një përqind për të mbizotëruar në Dhomën e Deputetëve, si dhe në Senat, ndërsa Lëvizja Pesë Yjet ishte forca e tretë (e vetmja që s’ka bërë koalicion me asnjë). Por ndërsa për Dhomën mjafton një votë më shumë, për Senatin vendimi pritet që të merret sot.
Bersani kërkon të zbusë reformat
Deutsche Welle
Duket se Lista Mes-I Majtë do të jetë forca kryesore politike në Dhomën e Deputetëve në Itali. Kështu, Bersani mund të bëhet kryeministër. Ish-komunisti nuk i ka qejf daljet e bujshme dhe preferon thjeshtësinë.
Në fushatën elektorale në Itali u fol me nota mjaft personale. Në një fjalim televiziv, 61-vjeçari Pier Luigi Bersani tha se ai është krenar për tullën e tij, e cila ende rrethohet nga një tufë flokësh të zeza. Foli dhe tregoi me dorë tullën. Kjo e dallon atë në mënyrë fundamentale nga kundërshtari i tij, Silvio Berluskoni, i cili nuk i fsheh operacionet plastike që i ka bërë lëkurës rreth syve dhe implantimet e flokëve në kokën e tij dikur me flokë të rrallë. Përkundrazi: 76 vjeçari përkëdhelet me moshën e tij dhe përpjekjet për rinim. “Më parë unë dukesha më i ri. Kush i ka hequr pasqyrat, që e tregonin këtë?”, bënte shaka Berluskoni në fushatën elektorale. Këto fjalë Pier Luigi Bersani nuk do t’i shqiptonte kurrë. Në fushatën elektorale, ai tha se me truke magjistarësh dhe me “shprehje idiote” nuk do të luftohej dot kriza ekonomike.
Në dallim nga Berluskoni, Bersani do ta vazhdojë më tej kursin reformues të qeverisë teknokrate që dha dorëheqjen, por do ta zbusë atë në pika kryesore, siç është reforma e tregut të punës. “Italia nuk duhet të kursejë deri në shkatërrim”, thotë ai. Modeli i Bersanit në shpëtimin e euros është presidenti i shtetit francez, Francois Hollande. Ai erdhi në pushtet vitin e kaluar, edhe ai është socialist. Në nivelin evropian ai do të ishte një aleat i natyrshëm i Bersanit. Rezistenca kundër kursit të kursimeve të qeverisë gjermane, që perceptohet si i ashpër, do të rritej.
Nga komunist në socialdemokrat
Biri i një punonjësi të një pompe karburanti prej një fshati të vogël pranë Piacenzas në Italinë e Veriut shfaqet modest, thuajse pa u vënë re. Si burrë shteti ai thekson se për të ka rëndësi në radhë të parë Italia, pastaj partia e tij socialdemokrate dhe fare në fund politika e personelit ose gjëra personale. Vetëm kur e përçmon dikush për shkak të së kaluarës së tij mikroborgjeze, siç ndodhi në fushatën elektorale, atëherë ai nxehet. Nuk mund të jenë të gjithë miliarderë ose bij të tyre, e ktheu helmin Bersani duke pasur parasysh Silvio Berluskonin, i cili është njëri nga njerëzit më të pasur të Italisë.
Deri në vitin 1991, Bersani me profesion mësues punonte si funksionar i Partisë Komuniste të Italisë. Pas rënies së Murit dhe fundit të Bashkimit Sovjetik erdhi kthesa e shpejtë politike. Komunistët u bënë socialistë dhe më vonë një parti socialdemokrate me drejtim më tepër qytetar. Funksionari Bersani u përshtat dhe bëri karrierë. Ai fitoi zgjedhjet rajonale në rajonin federal të Italisë së Veriut, Emilia Romana dhe u bë në mes të viteve ’90 kryetar i qeverisë rajonale. Kursin e rreptë të majtë ai e la pas vetes dhe u zgjodh në një zgjedhje me vota të drejtpërdrejta kryetar i “Partisë Demokratike”, që e kish ndërruar emrin disa herë. Bersani thekson gjithmonë një lidhje të ngushtë me sindikatat. Nën kryeministrin e fundit socialist, Romano Prodi, Bersani u bë në vitin 2006 ministër i Zhvillimit Ekonomik. Në atë kohë ai nisi reformat e para, për ta decentralizuar ekonominë e ngurtësuar të Italisë. Në këto përvoja do të bazohet tani, bëri të ditur Bersani.
Pa të tjerët nuk bëhet
Kryetari i partisë u tregua i hapur për të formuar një koalicion me listën qytetare të kryeministrit të dorëhequr, Mario Monti. Por Monti nuk dëshiron të bashkëpunojë me komunistët e vjetër, të cilët bëjnë pjesë gjithashtu në aleancën Mes-I Majtë të Bersanit. Një koalicion me anarkistin Beppe Grillo ose me Silvio Berluskonin, Bersani e refuzoi para zgjedhjeve.
Edhe në jetën private dallohen Bersani e Berluskoni. Bersani është i martuar që prej 30 vjetësh me të njëjtën grua, në një kohë kur tjetri ka pas vetes një betejë për ndarjen nga bashkëshortja dhe një jetë private që del në media. Shpesh Bersani heq në publik xhaketën dhe përvesh mëngët, sikur kërkon të demonstrojë gatishmëri për t’iu përveshur punës.
ku – dove – come – nga e moret vesh ju