Zgjedhjet e dy ditëve më parë brenda Partisë Demokratike dhanë disa përfundime, të cilat nuk mund të mos binin në sy. Përveç faktit se u shpërblye për punët ndaj partisë Arben Ristani, u tregua kujdes i madh që në kryesinë e partisë të largohej “garda e vjetër” dhe të futeshin emra të rinj, deri diku dhe anonimë për publikun.
Nga grupi i kohës së Sali Berishë u mbajt (me sa duket me sforco për shkak të potencës që ka), vetëm Ridvan Bode. Ish-ministri i Financave, përveçse është në kryesi për shkak të pozicionit që ka në Kuvend, si nënkryetar komisioni, gjithashtu ka ndikuar që Edmond Spaho të jetë nënkryetari i PD-së. Më e humbura në këtë manovër duket se ka dalë Jozefina Topalli, e cila shihej si figura qendrore në PD pas Sali Berishës. Grupi i saj i Shkodrës u shkatërrua gradualisht. Në fillim nga zgjedhjet e 23 qershorit, më pas në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar dhe ajo ishte ushtari i fundit i rënë në betejën me Lulzim Bashën.
Bashkë me grupin Topalli u lanë mënjanë dhe “njerëzit e Olldashit”, të cilët duket se me ikjen e drejtuesit të tyre nuk e ngritën më kokën, edhe pse ishin figura të rëndësishme si Astrit Patozi, Mesila Doda, Genc Ruli etj. Tashmë pritet të shikohet lëvizja e figurave që janë mënjanuar nëse do të reagojnë, do të ikin në drejtim të Topit, apo do të presin fundin e mandatit për të dalë në pension politik. Në këto zgjedhje, u vu re që shumë berishistë u mënjanuan dhe ish-kryetari nuk reagoi. Por me sa duket ai ka llogari të tjera, duke kërkuar më shumë disa komoditete personale. Kështu, dhëndri do të jetë në kryesi dhe Lulzim Basha do të ketë ende në parti një pjesëtar të familjes Berisha.
Një analizë nga brenda vathës
Ish-këshilltari i Ridvan Bodes gjatë kohës që ky i fundit ishte ministër, Elvi Fundo, ka bërë një analizë të zgjedhjeve brenda PD-së. Ai thotë se kanë marrë poste figura periferike që janë futur në parti pa identitet, siç është ajo që ka pas drejtuar Genc Pollo. “Sot, PD mund të quhet e dorëzuar tek PDR e Genc Pollos. Njerëzit e tij, ata më të besuarit që sakatuan PD-në në vitin 1999, kapën postet kyçe. Enno Bozdo, ish-Zëvendësministri i Dritan Priftit, është përfolur dhe akuzuar jo pak. Një njeri që nga 1999, deri në 2005, nuk bëri asnjë gjë politikisht, vetëm dilte në konferenca shtypi e shante PD-në dhe strukturat e saj, të cilat i quante “struktura të kriminalizuara nga Saliu dhe bandat”, shkruan Fundo. Edhe ish-deputeti Fatos Hoxha thotë se nuk ka asnjë keqardhje për ata që kanë humbur.
“Unë sot kam një arsye më shumë për të qenë kundër, e për të mos mirëkuptuar të gjithë njerëzit që shpresuan, ose kandiduan, humbën dhe u zhgënjyen. Duke u vënë në rresht dhe duke i shërbyer skemës së Berishës, ata u bënë ushtarë të pengmarrjes dhe tjetërsimit të forcës së tyre politike. Me shpresën e “fitores personale”, i shërbyen verbërisht një akti kriminal, asgjësimit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj”, shkruan Hoxha në një analizë të gjatë. Ndërsa ish-deputeti tjetër Enkelejd Alibeaj, i shikon më ftohtë zgjedhjet brenda partisë. “Mund të aplikojë kushdo që ka ambicie, por statuti thotë se e drejta e zgjedhjes i takon kryetarit. Ai që merr faturën dhe privilegjin e sfidave elektorale është kryetari i partisë. Ai do duhet të zgjedhë bashkëpunëtorët dhe ekipin e vet ta çojë drejt fitores, ose jo dhe kjo është përgjegjësia e tij”, shprehet ish-ministri i Drejtësisë.
Për të mos i bërë hije kryetarit nesër
Zgjedhjet lokale janë në prag, ndërsa ato parlamentare duan pak më tepër kohë. Basha po harton një listë për të garantuar pozitën e tij si kryetar, sido që të jetë situata nesër. Po të shikosh emrat e larguar si Topalli, Doda, Patozi, janë me “hesht në dorë” për t’ia ngulur kreut “de jure” të partisë në rast të ndonjë rrëshkitjeje këmbe. Këtë këndvështrim e ka trajtuar edhe analisti Andi Bushati në editorialin e djeshëm.
“Basha as ka guxuar dhe as ka dashur të bëjë një zgjidhje principiale. Në vend të një qasjeje strategjike, ai ka tentuar një lëvizje taktike. Kupola e re që drejton PD-në tregon vetëm këtë. Aty janë zgjedhur njerëz që mbrojnë totalisht bilancin e Berishës, por që kanë edhe një plus më shumë: ata janë të aftë të jenë edhe kokulur ndaj Bashës. Vetëm kjo mund ta shpjegojë largimin e gardës së vjetër. Ata nuk po ikin se gabuan, dje, së bashku me kryetarin e mëparshëm, ata po spastrohen sepse mund t’i bëjnë hije, nesër, kryetarit të ri”, shkruan Bushati.
Nga Bashkia, në SHQUP
Shumë figura të reja që janë zgjedhur në forumin më të lartë të PD-së vijnë nga Bashkia e Tiranës si vartës të Lulzim Bashës. Premtimi se do të mbante larg bashkinë nga politika partiake mund të quhet i vdekur përfundimisht, pasi tashmë bashkia është kthyer një seli e dytë e Partisë Demokratike. Emra si Enno Bozdo, Nevila Xhindi, Ervin Salianji, etj., janë tregues i qartë se marrja me forcë e bashkisë në tryezën e KQZ-së ka qenë thjesht e në funksion të karrierës personale të Lulzim Bashës dhe jo të qytetarit, siç ishte fasada. Pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor, PD tashmë mund të shkojë në Kuvend dhe të përgatitet për zgjedhjet lokale, që me sa shihet do të jenë “malore” për Bashën dhe ekipin e tij.

Ceta-Veriore PD …
pa asnje intelektual te mirefillte, mbushur me maloke dhe provinciale injorate
qeta e PD-se eshte nje bande qei thote vehtes parti,qe ka shkaterruar shqiperine me keq se pushtuesi,tani ajo lufton me cdo kusht te ruaje pasurit e grabitura Prandaj,.Saliu caktoi Lulin,Luli, caktoi Ristanin dhe zingjiri i lidhjeve kriminale vazhdon ,per besnikri hajdutri, vrasje.Te tre keta duhet te ishin ne qeli jo te kakarizin.ne krye tePD si private.