Zgjedhjet në SHBA dhe impakti i tyre Global

Ornela

Ilir Barjaba*

1. Amerika, një shtet Nobel: “Black Lives Matter”

Lëvizja e fundit “Black Lives Matter” ka krijuar një perceptim të gabuar apo të keqkuptuar në disa vende, ndoshta edhe në Shqipëri, sikur Amerika është një shoqëri diskriminuese ndaj pakicave etnike apo ekonomike. Përkundër këtij mirazhi të përkohshëm, Amerika ka qenë dhe mbetet një shtet nobel që ka luftuar për kauza të drejta në të gjithë botën. I vetmi vend që ka sakrifikuar mijra jetë djemsh të vet dhe shpenzuar miliarda dollarë për të çliruar nga diktaturat, tiranitë dhe varfëria shumë vende e popuj të botës, duke ndihmuar zhvillimin dhe instalimin e demokracisë. Asnjë shtet tjetër nuk i afrohet Amerikës në këtë kontribut unikal për çlirimin e popujve nga regjimet totalitare. Është e vërtetë që popullsia me ngjyrë në të shkuarën ka vuajtur skllavërimin e afro-amerikanëve apo indianëve vendas. Megjithatë, kjo duhet parë në kontekstin e kohës kur ka ndodhur dhe standartet e atëhershme të shoqërisë. Amerika e mundi historinë e vet dhe e eleminoi me guxim skllavërinë. Vetëm në Amerikë mund të ndodhë që pak dekada pas njohjes së të drejtave civile, afro-amerikanët t’u japin Shteteve të Bashkuara një President nga komuniteti i tyre. Prandaj nuk është aspak e drejtë të ngatërrohet Amerika e sotme moderne me atë që ka ndodhur para 100 apo më shumë viteve. Me këto episode të historisë së saj, Amerika është ndarë me dinjitetin e një shoqërie guximtare dhe novatore. Amerika e sotme moderne është vendi më human i të gjitha kohrave që ka ekzistuar në planet për garantimin e të drejtave dhe lirive.

2. Reformat në Amerikë janë të domosdoshme
Sigurisht, nevojitet një reformë për të rregulluar përdorimin e forcës në policinë amerikane. Por pamjet që kemi pare në media janë vetëm një pjesë e së vërtetës. Ne shohim policët që sulmojnë qytetarët, por nuk shohim qindra policë që kanë dhënë jeten e tyre për të mbrojtur jetët e qytetarëve. Madje edhe të atyre me ngjyrë. Statistikisht, çdo vit humbasin jetën me shumë policë se qytetarë që goditen nga policia. Përdorimi i armëve në një formë të liberalizuar, mbështetur në Amendamentin e Dytë të Kushtetutës, bën që jeta e policëve amerikanë të jetë më e rrezikuar. Rrjedhimisht, presioni psikologjik ndaj tyre rritet, dhe mjaft policë gabojnë, duke tejkaluar vetëmbrojtjen. Megjithatë, këto gabime të policisë duhen parë si raste të veçuara të gabimeve individuale. Sistemi amerikan nuk e promovon aspak dhunën e tyre. Prandaj reformat në polici janë të domosdoshme për të ruajtur imazhin e Amerikës nëpër botë.

3. Kapitalizmi amerikan është sistemi më i mirë ekonomik
Kapitalizmi amerikan është një sistem ekonomik unik, i cili mundëson që një shumicë sa më e madhe e qytetarëve të përfitojnë sa më shumë, duke ngushtuar pabarazitë sociale. Asnjë sistem tjetër ekonomik ne boten e sotme nuk e mundëson këtë më shumë sesa kapitalizmi amerikan. Kjo është edhe arsyeja përse miliona qytetarë nga e gjithë bota kanë emigruar dhe dëshirojnë të emigrojnë, të jetojnë e të punojnë në Amerikë. Sigurisht, edhe sistemi ekonomik amerikan mund të ketë nevojë për modifikime. Por kjo nuk ndryshon të vërtetën se kapitalizmi amerikan ka prodhuar ekonominë dhe mirëqenien më të madhe që ka njohur njerëzimi. Nuk është rastësi që shpikjet më të mëdha teknologjike po ndodhin në Amerikë. Ku shteti dhe modeli ekonomik respekton pronësinë intelektuale, inkurajon shkencëtarët për shpikje të reja, duke u garantuar shpërblimin financiar meritokratik. Ku shpikjet nuk shtetëzohen dhe të drejtat e individit nuk shkelen. Jo rastësisht rrjetet sociale, të cilat përfaqësojnë median e re, u shpikën në Amerikë. Efektet e tyre nuk kufizohen vetëm brenda shoqërisë amerikane, por shpërndahen në të gjithë botën. Nuk është rastësi që, pas masivizimit të Facebook dhe Twitter ndodhi “Pranvera Arabe”. Prandaj, kapitalizmi dhe demokracia amerikane janë një oportunitet e privilegj dhe jo shfrytëzim për pjesën tjetër të botës.

4. Kapitalizmi amerikan krijoi “New Media”, e cila po demokratizon botën
Përhapja e gjerë e rrjeteve sociale, sidomos Facebook dhe Twitter, ka demokratizuar median dhe ky proces po kontribuon në ndërtimin e demokracisë edhe në vendet jodemokratike. Rrjetet sociale i përhapin lajmet shumë shpejt, me kosto mjaft të ulta, shpesh edhe pa kosto, dhe janë me të mbrojtura prej ndikimeve e ndërhyrjeve të qeverive. Depërtimi i rrjeteve sociale edhe ne vendet jodemokratike ose me demokraci të papjekura informon, frymëzon dhe nxit vetëdijen shoqërore e politike të popujvë të këtyre vendeve, sidomos të brezit të ri. Rritja e vetëdijes për ndryshime ka nxitur lindjen e lëvizjeve shoqërore, të cilat shpien drejt lëvizjeve e ndryshimeve politike. Në këtë mënyrë, mediat e reja dhe rrjetet sociale janë shndërruar në agjentë të ndryshimeve shoqërore e politike dhe ushtrojnë presion ndaj regjimeve totalitare në mjaft vende si Egjipti, Tunizia, Siria dhe Libia.

5. Europa dhe ShBA, keqkuptim apo varësi e europianëve ndaj Amerikës?
Ndryshe nga administratat e mëparshme, Presidenti Donald Trump është shprehur dhe ka vepruar pa ekuiovoke kundër multilaterializmit tradicional, duke prezantuar një qasje të re të Shteteve të bashkuara në skenën globale. Thelbi i këtij ndryshimi është që ShBA dhe BE duhet të ndajnë në mënyrë më të drejtë barrën dhe kostot e demokratizimit, paqes, sigurisë, zhvillimit e mirëqenies në planet. Më të drejtë do të thotë që Amerika nuk ka pse të mbajë barrën kryesore të këtyre kostove. Europa, përvecse duhet të mobilizojë më shumë burime dhe të paguajë më shumë kosto për qetësinë e saj, duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe për paqen e sigurinë në botë, sidomos në rajonet e trazuara të globit.
Trump, si një President atipik dhe shumë i ndryshëm nga establishmenti politik tradicional, me vizionin e tij “Amerika e para” ka përpunuar një ideologji thelbësisht të ndryshme të politikës së jashtme të ShBA, të marrëdhënieve transatlantike dhe sigurisë së kontinentit të vjetër. Reagimi europian është i kuptueshëm sepse dihet që siguria e kombeve europiane mbështetet te Amerika dhe jo e anasjellta. Kjo asimetri varësie u imponon udhëheqësve të kombeve europianë, por edhe vetë Bashkimit Europian, të bashkëpunojnë me Presidentin Donald Trump, pavarësisht nëse e pëlqejnë apo jo këtë qasje të tij. Problemi është se shtetet europiane gjithashtu duan mbrojtje politike nga njëri-tjetri. Dhe vetëm Amerika mund ta sigurojë atë.
Bashkëpunimi me Amerikën, duke pranuar lidershipin e saj, që buron nga sakrificat dhe kontributet më të mëdha për zhvillimin, paqen dhe sigurinë në botë, nuk është një mohim i kontributit europian, por një njohje e rolit komplementar të BE-së në zhvillimet globale. Për më tepër, kur aleanca dhe partneriteti amerikano-europian duhet të përballojë sfidat e fuqive joperëndimore, për çështje aktuale globale si lufta kundër terrorizmit etj. Prandaj, pak rëndësi ka për Europën se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm amerikan. Politika e jashtme amerikane ka një tradite të gjatë dhe nuk ngelet në dorën e një individi të përvecëm.

*Juris Doctor – Northwestern University

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *