Sot miliona njerëz në Turqi votojnë në zgjedhjet e para të drejtpëdrejta presidenciale. Pritet që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e lartë, ndërkohë që kryeministri Rexhep Tajip Erdogan përballet me Ekmeleddin Ihsanoglun, ish-shef i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe me Selahattin Demirtass, kandidati i partisë pro-kurde Partia e Demokracisë së Popullit.
Kryeministri i Turqisë është favoriti i dukshëm në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale të vendit.
Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se nëse fiton zgjedhjet e së dielës, ka ndërmend të ndryshojë kushtetutën dhe të krijojë një presidencë ekzekutive. Në të kaluarën, presidentët e Turqisë kanë qenë figura ceremoniale.
Ndërkohë, zoti Erdogan ka thënë se do të ushtrojë kompetencat e plota të presidencës në bazë të ligjeve ekzistuese të Turqisë, duke përfshirë autoritetin për të thirrur parlamentin, mbledhje të kabinetit dhe për të caktuar kryeministrin, këshillin e ministrave dhe disa gjyqtarë të gjykatës së lartë.
Konservatorët fetarë, të cilët janë mbështetësit kryesorë të zotit Erdogan, e shohim ngjitjen e tij të mundshme në presidencë, si një arritje të madhe në përpjekjet e tij për të reformuar Turqinë. Gjatë një dekade si kryeministër, ai ka thyer konceptin laik që ka dominuar qeverinë që nga themelimi i republikës moderne turke në vitin 1923 nga Mustafa Qemal Ataturku.
Kritikët e kryeministrit janë të shqetësuar nga rrënjët e tij politike islamike dhe prirjet e tij gjithnjë e më autoritare. Vitin e kaluar, zoti Erdogan spastroi mijëra zyrtarë të policisë dhe prokurorë, duke rritur kompetencat e agjencisë së zbulimit dhe duke ndaluar qasjet në YouTube dhe Twitter, ndërsa luftoi hetimet për korrupsion që implikonin qeverinë dhe anëtarët e familjes së tij.
Parrulla e zotit Erdogan është “vullneti kombëtar, pushtet kombëtar”. Ai thotë se cilido të jetë rezultati i zgjedhjeve të së dielës, Turqia nuk ka për të qenë ajo që është. / VOA

-Erdogan eshte nje lider i lidhur bindshem me zhvillimin e turqise. Emri i tij ngjit shkallet e vleresimit,sa here ka sukses ky vend dhe do te ngelet ne historine turke,por edhe ne popujt e tjere perreth do ta deshironim nje lider te tille te perkushtuar..,pasi jeta eshte e shkurter..