Integrimi i komunitetit rom nëpërmjet mbrojtjes së të drejtave dhe fuqizimit të tyre mbledh rreth një tryezë autoritetet qendrore e lokale, përfaqësues të medies, si dhe profesionistë publik që trajtojnë këto çështje. Duke pranuar problematikat e theksuara me të cilat haset aktualisht ky komunitet, e që kanë të bëjnë kryesisht me riskun nga varfëria, qasjet e pabarabarta në marrjen e shërbimeve shoqërore, përjashtimin nga arsimi, apo dhunën e ushtruar, pjesëmarrësit kanë diskutuar rreth formave të reja të ndërhyrjes që duhen zhvilluar në shmangien e këtyre problematikave, të cilat pavarësisht punës së bërë për vite me radhë kanë penguar integrimin e këtij komuniteti.
Megjithëse, në këtë drejtim ka pasur edhe hapa pozitiv. Pikërisht këtë objektiv ka edhe projekti “Simple”, i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili adreson çështjet e pakicave me një strategji të gjerë për rajonin Adriatik. Në një seminar të organizuar me aktorë të ndryshëm për njohjen më nga afër të këtij projekti, u synua sensibilizim gjithëpërfshirës për çështje që kanë të bëjnë me komunitetin rom. Anëtarë të komunitetit rom, pjesëmarrës së seminar u shprehën se ndryshimi duhet të vijë fillimisht nga vetë komuniteti, e më tej nga e gjithë shoqëria.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale Blerina Zoto ka treguar se shpesh problematika është vënë re edhe në zbatueshmërinë në nivel lokal. Megjithatë, Zoto ka shtuar se Ministria e Mirëqenies Sociale, do të zgjerojë mbështetjen ndaj kësaj kategorie gjatë viteve në vijim, nëpërmjet akordimit të fondeve të posaçme për shkollimin e anëtarëve të komunitetit rom, formimin e tyre profesional, si dhe në krijimin e alternativave të punësimit. Drejtoresha e revistës ”Art dhe Trashëgimi”, Ilda Mara gjatë këtij aktiviteti ndau edhe çmimin për fotografinë më të mirë se si anëtarët e pakicave rome e shikojnë veten e tyre, ku fitues ishte Arben Kosturi, drejtues televiziv i një emisioni në Korçë, “Na njihni pastaj na paragjykoni”.
