Mishel Uilliams (Michelle Williams) ka ndarë me gazetën “Huffington Post” përballjen me depresionin për vite me radhë. Këngëtarja e grupit femëror më të suksesshëm të të gjitha kohërave, Destiny’s Child, rrëfen se ka vuajtur nga depresioni që në moshën e adoleshencës.
“Jam përballur me depresionin”, thotë 32-vjeçarja. “Duhej të ngrihesha nga krevati dhe të bëja gjithçka duhej për të qenë e lumtur. Na kishin mësuar si duhej të shkonim në kishë në raste të tilla. Por unë mendoj se ndërkohë, Zoti na ka dhënë edhe njerëzit, mjekët apo terapistët që na ndihmojnë të shërohemi. Duhet t’i drejtohemi një profesionisti në një rast të tillë. Depresioni nuk është gjë e mirë, por të kërkosh ndihmë për të është diçka e domosdoshme”, thotë ajo.
Fituesja e çmimit “Grammy” thotë se ia doli kundër depresionit me ushtrime, terapi dhe mendime pozitive, më shumë se me ilaçet.