Tymi i bardhë doli në orën 19:06 nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, duke sinjalizuar kështu zgjedhjen e Papës së ri, i cili është argjentinasi Horge Mario Bergolio, që do të thirret me titullin Papa Françesku I.
Kardinali nga Amerika e Jugut, me prejardhje italiane, është zgjedhur në raundin e pestë të votimit në dhomën ku ishin mbledhur 115 kardinalët nga e gjithë bota. Tymi i bardhë i dalë nga selia e shenjtë dhe kambanat sollën brohoritjet dhe ovacionet e besimtarëve të mbledhur në sheshin “Shën Pjetër”, ku u kënduan këngë në gjuhë të ndryshme, madje edhe nga ato të stadiumeve.
Kreu i ri i Kishës Katolike nga Amerika e Jugut në histori. Ai ka qenë arqipeshkvi i Buenos Airesit dhe kishte arritur pranë postit “të shenjtë” në konklavën e kaluar, por arriti “i dyti” pasi i pari u zgjodh Jozef Ratzinger.
Papa Françesku është shfaqur më pas në dritaren e lozhës, ku ka mbajtur një fjalim para besimtarëve të pranishëm, të cilëve u ka kërkuar të luten për bekimin e tij nga Zoti për këtë rrugëtim të ri të tij.
“Papa i ri u mor nga fundi i botës. Ju falënderoj për pritjen tuaj. Së pari, dua të bëj një lutje për Benediktin XVI. Uroj për një rrugë dashurie dhe besimi mes nesh. Të lutemi për njëri-tjetrin, për të gjithë botën, që të ketë një vllazëri të madhe. Uroj që rrugëtimi që nisim sot do të shërbejë për vangjelizimin e këtij qyteti të bukur. Para se peshkopi të bekojë popullin, kërkoj lutjen e popullit për bekimin tim nga Zoti!”, tha Papa i ri, i cili më pas është lutur me besimtarët.
“Faleminderit për pritjen, lutuni për mua dhe do të shihemi së shpejti. Për sot, gjumë të ëmbël”, e mbylli fjalën e tij ati i ri i shenjtë.
Zgjedhjet e parakohshme në Vatikan u mbajtën pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI më herët gjatë vitit, për shkak të moshës së thyer.
Por kush është Papa i ri?
Papa Françesku, me emrin e lindjes Mario Bergoglio, i lindur në Buenos Aires si një ndër pesë fëmijët e një punonjësi italian të hekurudhës, konsiderohej si një prej figurave më të devotshme dhe me ndikim në Kishën Katolike, ndonëse jo një favorit i qartë për të pasuar Benediktin XVI. Ai do të jetë Papa i parë në historinë e Vatikanit me origjinë nga Amerika e Jugut.
I formuar në seminarin e “Vila Devoto”-s, ai u diplomua në San Miguel për filozofi nga Kolegji i Lartë Katolik i San Hozesë dhe në vitet në vazhdim, dha mësim në literaturë dhe psikologji, në një kolegj të Santa Fesë dhe më pas në Buenos Aires.
I urdhëruar “at” në vitin 1969, Bergolio shërbeu si një prift në zonat e largëta në Argjentinë midis viteve 1973-‘79, ku aftësitë mbresëlënëse në komunikim, thjeshtësia, përulësia dhe aftësia e tij në përhapjen e fesë katolike e ndihmuan që në 1980-n të rikthehej në Buenos Aires, për t’u bërë reaktor i universitetit në të cilin u formua.
Papa Françesku u transferua në Evropë në vitin 1986, në Gjermani, për të vazhduar karrierën e tij akademike, por pas mbrojtjes së tezës së doktoraturës, u rikthye në atdhe, ku shërbeu përsëri si peshkop në një kishë në Kordoba.
Ishte Papa Gjon Pali i Dytë ai që duke vlerësuar punën e një jete të Papës Bergolio, një njeri i përulur, veçanërisht i devotshëm dhe që pavarësisht mundësive për të bërë një karrierë të rehatshme në zyrat e Kishës Katolike, zgjodhi jetën e një misionari të vazhdueshëm, në vitin 2001 e thirri në Vatikan, ku në 21 shkurt e nderoi duke e graduar kardinal.
Si kardinal, Bergolio edhe një herë më shumë u bë i njohur për përulësinë e tij, konservatorizmin ndaj doktrinës së krishterë dhe drejtësisë shoqërore. Ndryshe nga kardinalët e tjerë, Françesku refuzoi që të jetonte në apartamentet luksoz me shpenzimet e Vatikanit, duke zgjedhur një banesë të thjeshtë për të jetuar me pagën e tij modeste.
Ai gjithashtu refuzoi transportin me makinë, duke preferuar të lëvizte me mjetet e zakonshme të transportit, ndërsa gatuan vetë.
Në vitin 2005, kardinali argjentinas, i pari Papë nga Amerika e Jugut, mori pjesë në konklavën, nga e cila u zgjodh Benedikti XVI, pas vdekjes së Karol Vojtilës, Papa Gjon Palit të Dytë.
Bergolio është një teolog i kompletuar, i cili e ka distancuar veten nga teoritë liberale, duke zgjedhur rrugën e konservatorizmit. Ai është shprehur kundër martesave homoseksuale, duke kundërshtuar ashpër vendimin e shtetit argjentinas për t’i ligjëruar në 2010-n, por ka kërkuar që kisha t’u mësojë anëtarëve të këtij komuniteti fjalën e saj dhe të mos i syrgjynosë, duke thënë se rruga e vetme që mund të ndjekë kisha është ajo e dashurisë për njeriun.
“Le të mos jemi naivë. Nuk është vetëm një betejë e thjeshtë politike ajo e martesave të së njëjtës gjini, por një pretendim shkatërrimtar ndaj planit të Zotit. Martesat homoseksuale nuk janë një ligj, por një makinacion gënjeshtrash, që synojnë të turbullojnë, zhgënjejnë dhe largojnë nga rruga e duhur fëmijët e Zotit”, ka thënë Ati i Shenjtë mbi martesat e komunitetit LBGT.
Ai gjithashtu shtoi se njohja e martesave homoseksuale do të ishte një formë diskriminimi ndaj fëmijëve dhe mbrojti këtë konstatim pavarësisht kritikave të ashpra politike, me Presidenten e Argjentinës, Kristina de Kirshner, që duke iu referuar përfaqësuesit më të lartë të Kishës Katolike në vendin e saj, atëherë kardinalit Bergolio, i cilësoi “këto tone të ngjashme me ato të kohërave mesjetare dhe inkuizicionit”.
Papa Françesku, i pari me këtë emër, është gjithashtu një kundërshtar i ashpër i abortit dhe eutanazisë.
Në gjestin më të madh të përuljes dhe thjeshtësisë, Ati Françesku i Parë, në vitin 2001, vizitoi një qendër shëndetësore ku trajtoheshin të sëmurë me HIV-Aids, duke larë dhe puthur këmbët e 12 të sëmurëve.
Përsa i përket doktrinës politike dhe asaj sociale, Papa Françesku predikon më shumë përkushtim dhe lutje ndaj Zotit, Krishtit e Frymës së Shenjtë, duke besuar se diçka e tillë do të ngjallë automatikisht më shumë kujdes për klasat më të varfëra të shoqërisë. Megjithatë, idetë e tij shtrihen edhe në rafshin praktik, përtej atij shpirtëror, duke mbështetur programet sociale dhe sfiduar publikisht teoritë e tregut të lirë.
Zgjedhja e kardinalit 76-vjeçar si Papa Françesku i Parë, ishte deri një surprizë, pasi ndonëse i konsideruar si midis 10-15 kardinalëve me më shumë ndikim brenda Vatikanit dhe në botë, ai nuk ishte përfolur si një favorit i qartë për këtë përzgjedhje.
Zgjedhja e emrit Françesk gjithashtu ishte një surprizë. Bergolio është Papa i 266-të në radhë, por i pari që preferoi këtë emër. Vatikani nuk ka një kriter të përcaktuar mbi emrin me të cilin “pagëzohet” një Papë dhe ai zgjidhet nga vetë kardinali në momentin që votohet për të drejtuar Selinë e Shenjtë.
Megjithatë, në të shkuarën, zgjedhja e emrit ka qenë një kriter për të treguar mbi preferencat e Papës dhe linjës që ai ka dashur të ndjekë, duke iu referuar Papëve të mëparshëm mbajtës të këtij emri.
Me përzgjedhjen e emrit Françesk, kardinali argjentinas duket se tregon dëshirën e tij për të shkruar një kapitull të ri në historinë e Vatikanit. Pa dyshim, nëse Papa Françesku, i formuar brenda linjës jezuite të katolicizmit do të jetë një reformator, një ndjekës i linjës konservatore apo asaj liberale këtë do ta tregojë koha.
Pavarësisht atyre që do të tregojë Vatikani në drejtimin e Françeskut të Parë, duket se konklava këtë herë bëri një zgjedhje të qartë, në favor të thjeshtësisë, konservatorizmit të argumentuar, teologjisë së gërshetuar me ndikim në doktrina politike dhe një Papë të veprimit, sepse duke gjykuar nga jeta e tij si misionar, nuk është e vështirë të parashikohet që Françesku do të ndjekë hapat e Gjon Palit II dhe Benediktit XVI në pasjen e një kalendari të ngjashur udhëtimesh për t’i qëndruar pranë katolikëve dhe jo vetëm në të gjithë botën.
Siç tha edhe Papa Françesku, nga sot do të jetë ai që do të lutet për të gjithë ne. Por, dje, “lutjuni Zotit për mua dhe qofshin lutjet tuaja udhërrëfyesi im”, tha ai nga ballkoni mbi Shën Pjetër, tashmë në piedestalin e katolicizmit në Tokë.