Zgjidhja reale për autobusët urbanë

redaktor

I nderuar zoti Thano! Faleminderit që keni hapur në Dita hapësirë për të hedhur mendime qytetarët e zakonshëm. Dëshiroj të parashtroj disa mendime lidhur me Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të biletës nga 30 në 40 lekë në autobusët urbanë. Edhe 70 lekë ta bëni çmimin e biletës, sa e kërkon biznesi i këtij shërbimi, problemi nuk merr zgjidhjet e duhura. Çudi e madhe është që gjithë ai Këshill Bashkiak, plus seksioni apo Drejtoria e Transportit e aparatit administrativ të Bashkisë të mendojnë aq pak për popullin, vetëm me argumentin e vënies së kasetës elektronike në të ardhmen. Por jo more të uruar, se ka aq shumë mundësi, që po të merren disa masa me një investim fare të vogël, të kapet çmimi me 20 deri 30 lekë bileta dhe biznesi të dali i kënaqur. Parashtroj argumentet: – Të krijohet korsia e autobusëve në të gjitha magjistralet kryesore në “Unazë”, “Unaza e Re”, “Qendër-Kamëz”, “Kombinat-Kinostudio” etj. Në të gjitha këto magjistrale mund të vijëzohet korsia urbane, mund të ketë vështirësi vetëm segmenti “Qendër-Farmacia 10”. Kjo korsi mund të shfrytëzohet edhe për ambulancat, zjarrfikëset, për policinë në ndjekje keqbërësish etj. Kush e pengon realizimin e korsisë rrugore urbane në Tiranë? Mos vallë disa kosha plehrash që nuk janë vendosur xhep në trotuar, kur këto lloj xhepash janë vendosur edhe në rrugicat e lagjeve? Disa nga këto xhepa jashtë standardi Bashkia i ka korrigjuar kohët e fundit. Mos vallë boja shumë e pakët për të vijëzuar korsinë rrugore urbane? Mos vallë lejet e dhëna nga Bashkia për parkimin e taksive apo e makinave të tjera që kanë zënë korsinë me ditë e ndoshta me muaj e vite?

Me realizimin e korsisë së autobusëve urbanë, kursehet 2-3 fish karburant se nuk mbahet mjeti ndezur duke lëvizur me shpejtësinë e këmbësorit, hipin në autobusë shumë më tepër qytetarë sepse janë të sigurt që e kapin orarin e punës pa i përjashtuar bosi si tani, hipin në autobusë të sëmurët rëndë dhe gratë për të lindur se e dinë që arrijnë spitalet më shpejt se veturat në trafikun e rënduar të Tiranës. Do të ketë edhe qytetarë që do të vlerësojnë urbanin në vend të veturës, se arrijnë më shpejt në destinacion. Po kështu kursehet në amortizimin e mjeteve, futen në punë në linja më pak autobusë. Me këtë gjendje të krijuar me mendjet dhe duart tona, është turp i madh t’ia ngarkojmë këtë zgjedhë në qafë më hallexhinjve. Le t’më thotë dikush: Pse e kanë zgjidhur më së miri këtë problem fqinjët tanë? Ose dhe më tej shtetet e tjera? Pasi të zgjidhen këto probleme, jam i sigurt se me një grup specialistësh (të profesioneve të ndryshme), duke kontrolluar trafikun, biletat, kohën e xhiros, kilometrat, karburantin e harxhuar e të tjera shpenzime deri edhe administratën me pagat, siguracionet etj., besoj do të binden Drejtoria e Transportit në Bashki ku mbase paguhen 20 a 30 vetë, se do të rezultojë çmimi i biletës 20 lekë. Madje të bindet edhe biznesi, pasi me sharje dhe ofendime si ato në Këshillin Bashkiak, nuk zgjidhet asnjë problem, veçse kënaqim politikanët e paaftë që po i mban në kurriz ky popull këtu e 25 vjet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *