“Zgjidhni sa më shpejt administratorët”

redaktor

Ministria  e Çështjeve Vendore në dosjet që u ka shpërndarë krerëve të bashkive në takimin e parë të mbajtur në Kryeministri me kreun e qeverisë, Edi Rama, ka përcaktuar qartë edhe kalendarin e punimeve të kryetarëve të bashkive dhe vendimeve që duhet të miratohen nga këshilli bashkiak deri në shtator.

Thirrja drejtuar të gjithë krerëve të bashkie ka qenë edhe emërimi sa më parë për administratorët e njësive administrative në vend, (të reja pas shkrirjes së komunave), në mënyrë të tillë që mos të mos mungojë asnjë shërbim kundrejt qytetarëve.

“Administratorët e njësive administrative duhet të emërohen sa më shpejt nga ana juaj, mundësisht që në ditën e parë të punës, me qëllim moskrijimin e vakumit në drejtimin e njësive administrative, pas largimit të ish-kryetarëve të komunave.

Emërimi i administratorit është e drejtë e kryetarit të bashkisë, me kushtin e vetëm që përcakton ligji, që ata duhet të jenë banorë të njësisë administrative përkatëse. Formatet përkatëse për emërimin e administratorëve dhe delegimin e kompetencave kryesore, janë përgatitur nga ana jonë, ndërkohë që në proces ju mund të vazhdoni me delegime të tjera të kompetencave, si dhe këshilli bashkiak mund të delegojë gjithashtu funksione të tjera të parashikuara në ligjin nr. 30/2015″, thuhet në materialet drejtuar krerëve të bashkive.

Kështu, gjatë muajit gusht çdo bashki në vend duhet të nënshkruajë akt-rakordimin me degën e thesarit në lidhje me gjendjen financiare të bashkisë, ku në bashkëpunim me specialistët e financave do të planifikojnë edhe mënyrën e shpenzimeve për muajin gusht.”Do t’u duhet të nënshkruani kërkesën drejtuar degës së thesarit për çeljen e veprimeve financiare në përputhje me planifikimin e bërë nga ana juaj. Do t’iu duhet të nënshkruani pagesën e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë dhe të siguroheni për shpërndarjen e saj në të gjitha njësitë administrative.

Do t’iu duhet të nënshkruani pagesën për pagat e administratës së bashkisë dhe njësive administrative. Do t’u duhet të kryeni pagesat për shpenzimet e domosdoshme dhe prioritare në përputhje me mundësitë reale që paraqitet”, thuhet në material.

Ndër të tjera, drejtuesve të bashkive u kërkohet që gjatë këtij muaji si dhe atij të shtatorit, krerët e bashkive do t’u duhet të urdhërojnë fillimin e punës për përgatitjen e objekteve shkollore për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe ngritjen e një grupi pune për hartimin e projekt-paketës fiskale të vitit 2016 për çdo njësi administrative dhe të bashkisë në tërësi.

Ndër vendimet e rëndësishme që do t’iu duhet të marrin drejtuesit e bashkive janë pikërisht edhe ai për ngritjen e një grupi pune për hartimin e projektbuxhetit të vitit 2016.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *