Zgjimi i dhimbshëm i Lazaratit

redaktor

Kot që ja nxini emrin e nderuar dëshmorit lazaratas Muhamet Gjollesha me gjimnazin e këtij fshati, thoshte dje një komentues në faqen online të DITA-s, “më mirë quajeni gjimnazi “Pablo Eskobar””. Kishte marrë shkas nga lajmi se të rinjtë gjimnazistë që kishin planifikuar një protestë paqësore në qendër të fshatit kundër pranisë së vazhdueshme policore, në fakt bënë protestë, por aspak paqësore. Dhunë ndaj policëve që ndodheshin aty, makina të shkatërruara etj, derisa erdhën përforcime dhe vendosën rregullin.

Përtej ironisë ndoshta të panevojshme në këtë rast, ngjarja e djeshme është një pasojë e pritshme e ç’është më kryesorja, që duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur, e operacionit të madh anti-drogë në fshatin ish-kryeqytet i hashashit. Nuk mund të mos lidhet ky episod me një moment tjetër, më të hershëm, përpara se të kryhej ndërhyrja e madhe e policisë së shtetit. Drejtori i policisë së qarkut dhe kryetari i komunës së Lazaratit, kryen në prillin e kaluar një bashkëbisedim me nxënësit e fshatit të madh, për të bindur prindërit që këta të fundit të mos merreshin më me kultivimin e hashashit. Ky farë seminari, i kritikuar dhe i përqeshur asokohe, rezultoi se ishte (sipas pohimeve të mëvonshme të ministrit të Brendshëm Tahiri), një diversion mbi operacionin që po përgatitej. Ashtu qoftë. Ndërkaq, ka mbetur i regjistruar reagimi i një gjimnazisteje pas thirrjes së Dasho Alikos që “ta lëmë hashashin, paratë t’i investojmë në biznese të ndershme”. Nëse shteti u siguron prindërve tanë fitime të ngjashme në punë të tjera, vetëm atëherë ne do t’u lutemi prindërve të mos merren më me hashash, tha vajza hazërxhevape.

Ja ku jemi sot, në Lazaratin që ka disa muaj pa hashash. A u hodhën të rinjtë në aksione të dhunshme vetëm nga presioni psikologjik që shkakton prania policore në qendër të fshatit, nga namuzi i lënduar djaloshar po themi? Mund të jetë një faktor, por besoj se kryesorja është portretizimi i policisë si shkaktare që “mbaruan paratë”; që tani ata janë të rinj si në çdo qendër tjetër të banuar, të cilëve dora-dorës që pakësohen paratë e prindërve, do t’u fillojnë hallet e zakonshme të shkollimit, punësimit, nxjerrjes së jetesës. Në fakt, është fjala për një fshat të tërë që jetoi për 20 vjet në moshën e adoleshencës me shfrenimet dhe teprimet që të lejon “mbivlera”, dhe që tani duhet të bëjë llogaritë me realitetin. Është një zgjim nga një ëndërr, që si çdo zgjim vjen si dush i ftohtë, aq më tepër për një brez të tërë që ka lindur dhe është rritur nën hijen e hashashit. Dhe që sot e sheh gjithçka ka ndodhur, si një padrejtësi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *