Në sallën e operacionit mbizotëronte vetëm heshtja dhe përqendrimi ishte në maksimum.
Momenti ishte shumë delikat, Iga Jasica, një bukuroshe 19-vjeçare polake, po bënte një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale për heqjen e një tumori në tru, nga ku ishte në rrezik jeta e saj.
Heshtja është thyer papritur pikërisht nga Iga, e cila i befasoi mjekët me daljen nga narkoza. Në një moment ajo ka kërkuar informacione mbi ndërhyrjen. “Si po shkon?”, ka pyetur ajo.
Efekti i anestezisë kishte përfunduar dhe Iga ishte zgjuar me trurin “e hapur”. Për fat të mirë, kirurgët e spitalit qendror në Katovice, qytet në jug-perëndim të Polonisë, arritën të ruajnë gjakftohtësinë, duke vazhduar operacionin, ndërsa bisedonin me vajzën.
Sipas ekspertëve, operacioni mund të ketë provokuar ndonjë mekanizëm që ka zgjuar të renë, pavarësisht nga anestezia.
Megjithatë, mjekët kanë hapur një hetim të brendshëm për të kuptuar nëse anestezia i ishte bërë në mënyrë korrekte.
