Kryetari KQZ Klement Zguri raportoi këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit që drejton gjatë vitit 2018.
Zguri u shpreh se KQZ ka gati drafti-udhëzimin për partitë politike për keqpërdorimin e burimeve shtetërore.
“Partitë politike i sjellin me vonesë propozimet për komisionerë dhe i ndryshojnë, gjë që hedh dyshime mbi administratën zgjedhore, cënon funksionimin e KZAZ-ve, cënon procesin e numërimit të votave duke vonuar nxjerrjen e rezultateve, cënon procesin zgjedhor” u shpreh Zguri, ndërsa kërkoi nga partitë ti japin fund një sjelljeje të tillë.
Zguri u ndal më tej edhe në procedurën e ligjit për dekriminalizimin për të cilin u shpreh se nga nisja e funksionimit të ligjit, KQZ ka marrë 166 vendime për dekriminalizimin.
Kreu i KQZ bëri me dije edhe për problematika të ndryshme në vendimmarrje të ardhura këto për shkak të vakumeve ligjore.
“Përplasja politike me shumë gjasë nuk do e lë KQZ pa e përfshirë në vorbullën e vet në organizmin e zgjedhjeve lokale. Për këtë Kuvendi duhet ta mbrojë KQZ-në. Zgjedhjet meritojnë një administratë të fortë dhe profesionale.
Që zgjedhjet lokale të jenë me standarde Kuvendi duhet të mbështesë komisionin, sepse mund të kemi nevojë për ndihmën tuaj”, u shpreh ndër të tjera Zguri.
b.b/dita
