Një trup i pajetë është nxjerrë sot nga ujërat e Shkumbinit, ndërsa një grua rezulton ende e zhdukur, pas aksidentit të një dite më parë, kur një automjet doli nga rruga duke përfunduar në lumë. Trupi i pajetë i Ismet Karajt u identifikua nga familjarët e tij, të cilët po presin anës lumit për gjetjen e turpit të bashkëshortes së tij Albina Hunçi, e cila udhëtonte në makinë me të. Ndërkohë, policia dyshon se në automjet ndodhej edhe një tjetër person, i cili nuk është identifikuar ende.
Një ditë më parë, çifti i bashkëshortëve u aksidentuan në Librazhd, ndërsa udhëtonin drejt Tiranës me një mjet tip “Benz”, me targa AA 655 GB.
Mësohet se çifti i emigrantëve ishin prindër të një fëmije gati 2 muajsh. Sipas policisë, Karai dhe Hunçi ditën e martë kishin qenë në Tiranë së bashku me fëmijën e tyre dhe në mbrëmje kanë shkuar në familjen e gruas në fshatin Dorëz, ku edhe kanë lënë foshnjën. Paraditen e së mërkurës ata janë nisur për në Tiranë me qëllim që të porosisnin një banesë me qira pas kthimit nga Greqia, ku kishin jetuar e punuar vitet e fundit.
