Avioni i “Trigana Air” që u zhduk të dielën, është gjetur. Lajmi është konfirmuar nga drejtori gjeneral i Transportit Ajror gjatë një konference për media.
Sipas tij, fshatarët në Okbape, që është rreth 24 kilometra larg nga Oksibili, kanë raportuar se në një mal në afërsi të fshatit të tyre është rrëzuar një avion.
Zyrtari tha se nuk është regjistruar asnjë komunikim nga piloti, për të shprehur ndonjë shqetësim, megjithatë të gjitha pretendimet pritet të verifikohen.
Aktualisht kërkimet janë ndalur, për shkak se ka filluar të errësohet, por mësohet se 150 vetë nga emergjencat lokale janë nisur në drejtim të këtij vendi.
Agjencia për Kërkim dhe Shpëtim ka shkruar në Twitter se “për shkak se është natë dhe dukshmëria është e ulët, kërkimet për ‘Trigana Air’ do të vazhdojnë në orën 06:00 të mëngjesit”
“Trigana Air” ka pasur 14 incidente serioze, që prej nisjes së operacioneve në 1991-shin, periudhë përgjatë së cilës ka humbur të paktën 10 aeroplanë. Kjo linjë ajrore është që prej 2007-s në listën e zezë të Bashkimit Europian, ku me përjashtim të 4 kompanive, bëjnë pjesë të gjitha linjat e tjera indoneziane.
