Policia ka mundur të gjejë 16-vjeçaren Gazije Kazija, e cila u zhduk nga banesa 13 ditë më parë.
Adoleshentja nga Durrësi u vetëdorëzua në Sarandë, ku kishte shkuar së bashku me një djalë që kishte njohur në Facebook. Ajo tashmë ndodhet në duart e policisë dhe po merret në pyetje. Nuk ka informacione nëse i shoqëruar është edhe djali me të cilin ishte arratisur vajza.
Policia kishte identifikuar djalin me të cilin 16-vjeçarja ishte larguar dhe kishte informacione se mund të kishin shkuar në Sarandë apo në Vlorë dhe për këtë arsye kishte dërguar në këto dy qytete agjentë të posaçëm.
Vajza kishte lënë një shënim në kompjuterin e saj para se të largohej nga banesa dy javë më parë, ku shkruante se do të largohej me të dashurin që e kishte njohur në Facebook. Ka qenë mamaja e 16-vjeçares që bëri denoncimin në polici se vajza i ishte larguar në mesnatë nga shtëpia.
Adoleshentja shkoi me taksi deri tek Plepat dhe prej andej humbi gjurmët. Babai i vajzës akuzonte taksistin se ishte i përfshirë në këtë ngjarje dhe e qëlloi me thikë duke e plagosur lehtë.
Për këtë arsye, i ati i 16-vjeçares Gazije Kazija është shpallur në kërkim, pasi u largua kur plagosi me thikë taksistin.
