Dehja kolektive pas ndeshjes së futbollit tashmë do të ikë dhe për analistin Artur Zheji, rikthehet normaliteti i varfërisë në vend. Në një editorial të sotëm në “Mapo”, Zheji ngre pyetjen nëse shqiptarët duhet të kenë ëndrra më të mëdha se sa topi i futbollit, duke përkujtuar këtu gjendjen e mjerë nëpër spitale.
“Mirëpo, a na duhet të Ëndërrojmë vetëm për Topshkelmimin, apo kemi edhe Ëndrra pak më të mëdha? Që lidhen me të përditshmen tonë. Që lidhen me qytetet dhe fshatrat tona hallexhesha. Që lidhen me spitalet tona mjerane. Me luftën e pandërprerë politike dhe shpalosjen e ca egoizmave ekstreme, majtas djathtas, lart apo poshtë”, shkruan ai.
Zheji shton: “…Që lidhen me një sistem monopolesh që po kolaudohen me shpejtësi të pa rrëfyer dhe me një ndarje e diferencim klasor, me një polarizim gjithmonë e më ekstrem. Që lidhen me një Krizë të plotë Idealesh dhe me një grabitje globale të të gjithëve kundër të gjithëve.
Ose më saktë, të ca të Pakëve kundër të Gjithëve. Të një shoqërie që nuk ka besim te Zoti, por vetëm te Paraja. Të një shoqërie që nuk beson më tek e Vërteta, por lutet gjunjazi te Perëndesha Gënjeshtër”.
